5 perditesime
23:00

City në gjysmëfinale me Realin pasi eliminoi Bayernin

Manchester City i Pep Guardiolës do të luajë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. City të mërkurën mbrëma barazoi në udhëtim te Bayern Munichu, dhe nuk e lëshoi epërsinë e krijuar nga ndeshja e parë të cilën e fitoi 3:0.

Bayerni e City barazuan 1:1 në ndeshjen kthyese të çerekfinales, që u zhvillua në “Allianz Arena”. Erling Haaland e pati mundësinë të shënonte nga penalltia në pjesën e parë, por dështoi përballë portierit Yann Sommer, duke gjuajtur lartë mbi portë.

Ishte pikërisht Haaland që nuk gaboi në minutën e 57-të pas një kundërsulmi të shpejtë.

Ai e kaloi Dayot Upamecanon dhe e mposhti Sommerin për golin e 12-të të edicionit në “Champions”. Joshua Kimmich në minutën e 83-të shënoi nga penalltia për barazimin e rezultatit, që ishte përfundimtar në këtë ballafaqim. City e Reali takohen në gjysmëfinalen e parë më 9 maj. Ndeshja kthyese e gjysmëfinales luhet më 16 maj. Finalja e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve është vendosur të luhet në stadiumin “Ataturk Olympic Stadium” në Stamboll.

22:46

Bayerni barazon rezultatin

Bayerni ka barazuar rezultatin në duelin kundër Manchester Cityt.

Nga penalltia golin për Bayernin e shënoi Joshua Kimmich.

Ai mposhti portierin Ederson në minutën e 83-të.

22:22

City shënon, afër gjysmëfinales

Manchester City ka shënuar golin e epërsisë ndaj Bayern Munichut.

Shënues i golit ishte norvegjezi Erling Haaland, i cili në pjesën e parë humbi penalltinë.

Haalandi realizoi golin e 12-të të edicionit në Ligën e Kampionëve, pasi e kaloi Dayot Upamecanon, e më pas nuk pati vështirësi përballë portierit Yann Sommer në minutën e 57-të të ndeshjes.

 

21:53

Bayerni e City shkojnë në pushim me rezultat të barabartë

Bayern Munichu dhe Manchester City kanë shkuar në pushim mes pjesëve me rezultat të barabartë, 0:0. 
City ka epëris prej tri golave nga ndeshja e parë në Angli. 
Fitoi me rezultatin 3:0. 

Ndërkohë, në duelin kthyese në Gjermani, Bayerni pavarësisht rasteve që pati, nuk shënoi. 
Rastin më të mirë në 45 minutat e para të ndeshjes e pati Erling Haaland i Cityt.

Sulmuesi norvegjez dështoi të shënonte nga penalltia në minutën e 37-të. 
Ai gjuajti mbi portë.

21:42

Erling Haaland gabon nga penalltia

Erling Haaland ka humbur mundësinë ta kalonte Cityn në epërsi ndaj Bayernit në “Allianz Arena”.

Haalandi nuk shënoi nga 11-të metra në minutën e 37-të.

Ai gjuajti mbi portë.

20:51

Formacionet zyrtare Bayern Munich – Manchester City

Joao Cancelo do të jetë titullar te Bayern Munichu për ndeshjen ndaj ish-skuadrës së tij Manchester City. Bayerni ka bërë dy ndryshime nga dueli i parë i çerekfinales së Ligës së Kampionëve, ku City triumfoi 3:0. Cancelo dhe golashënuesi më i mirë i skuadrës, Eric Maxim Choupo-Moting janë titullar.

Choupo-Moting është kthyer nga lëndimi i gjurit, ndërsa zëvendësohen me Alphonso Daviesin dhe Serge Gnabryn. Sadio Mane është kthyer nga suspendimi i një ndeshjeje nga klubi, pas përleshjes që pati me Sanen. Mane, megjithatë, është në bankën rezervë.

Formacioni i Bayernit: Sommer, Cancelo, De Ligt, Upamecano, Pavard, Goretzka, Kimmich, Coman, Musiala, Sane, Choupo-Moting.

Manchester City do ta ketë formacionin e njëjtë nga dueli i javës së kaluar. Tetë nga 11-të që do të luajnë titullar sonte, ishin të pranishëm edhe në fitoren 3:1 ndaj Leicester Cityt në Premier League. Nathan Ake, Manuel Akanji dhe Ilkay Gundogan janë kthyer në formacion Phil Foden është në bankën rezervë pas një operimi që e pati. Formacioni i Cityt: Ederson, Ake, Dias, Akanji, Rodri, Stones, Grealish, Gundogan, De Bruyne, Silva, Haaland.