3 perditesime
16:55

Gjilani fiton ndaj Dukagjinit

Skuadra e Gjilanit ka shënuar fitore në kuadër të xhiros së 32-të të elitës së futbollit të Kosovës. Gjilani të mërkurën në terrenin me bar sintetik në Gjilan, fitoi ndaj Dukagjinit me rezultatin 2:0, me dy gola të Mevlan Zekës. Për Gjilanin ishte ndeshja e pestë rresht pa disfatë në të gjitha garat. Në këtë seri ka katër fitore e një barazim. Ndërkohë, klinasit pësuan disfatën e parë në gjashtë ndeshje, pas serisë së dy fitoreve e tri barazimeve. Golin e parë, Zeka i Gjilanit e shënoi në minutën e 28-të.

Nga minuta e 83-të, Dukagjini luajti me një futbollist më pak për shkak se gjyqtari kryesor Alban Shala, e përjashtoi nga loja Ardin Dallkun që ndali në mënyrë të palejuar sulmuesin Baton Zabërgja si lojtar i fundit.

Në minutën e tetë të kohës shtesë, Zeka shënoi edhe një herë tjetër pas kundërsulmit të shpejtë, kur e tërë skuadra e Dukagjinit, bashkë me portierin Kenan Haxhihamza, kishin dalë në sulm për ta barazuar rezultatin pas një goditje nga këndi. Klinasit në atë moment kërkuan penallti, por gjyqtari Shala pasi rishikoi situatën në VAR, tha se goli është i rregullt dhe penallti nuk ka.

Gjilani pas 32 ndeshjeve ka 50 pikë dhe zë pozitën e tretë në tabelë. Është edhe në finale të Kupës së Kosovës me Prishtinën. Dukagjini në vendin e pestë ka 41 pikë, aq sa ka edhe Llapi që e ka një ndeshje më pak të luajtur. Në fundjavë, Dukagjini luan në shtëpi përballë Malishevës, kurse Gjilani luan në udhëtim te Prishtina.

16:46

Dallku i Dukagjinit ndëshkohet me të kuq

Ardin Dallku është ndëshkuar me karton të kuq në duelin që Dukagjini është duke e humbur në udhëtim te Gjilani në terrenin me bar sintetik në Gjilan.

Dallku ndali në mënyrë të palejuar sulmuesin gjilanas, Baton Zabërgja.

Gjyqtari Alban Shala e ndëshkoi atë me karton të verdhë fillimisht, por pas rishikimit të situatës në VAR, e anuloi të verdhin dhe e ndëshkoi Dallkun direkt me të kuq, pasi ishte lojtar i fundit.

Ndodhi kjo në minutën e 83-të.

15:49

Përfundon pjesa e parë në Gjilan me epërsinë e vendasve

Skuadra e Gjilanit është në epërsi 1:0 pas pjesës së parë kundër Dukagjinit. Kjo ndeshje po luhet në qytetin e Gjilanit dhe i takon xhiros së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Golin e vetëm në këtë ndeshje gjatë pjesës së parë, e shënoi sulmuesi Melvan Zeka për t’i dhënë epërsinë ekipit vendas.

Zeka shënoi në minutën e 27-të për ta zhbllokuar rezultatin, me të cilin edhe përfunduan 45 minutat e para.

15:29

Gjilani në epërsi ndaj Dukagjinit

Gjilani ka kaluar në epërsi ndaj Dukagjinit.

Në minutën e 27-të, gjilanasit gjetën golin me Mevlan Zekën.

Ndeshja është e vlefshme për javën e 32-të të Superligës.