Derisa Parisi po përshpejton përgatitjet për Lojërat Olimpike 2024, kujtimet e kaosit që prishi finalen e Ligës së Kampionëve të vitit të kaluar në kryeqytetin francez mbeten të hidhura për tifozët e klubeve të përfshira. Ndeshja ndërmjet Liverpoolit dhe Real Madridit në “Stade de France”, në periferi veriore të Parisit, Saint-Denis, më 28 maj të vitit shkuar, u fitua 1:0 nga skuadra spanjolle.
Megjithatë, gjithçka u la në hije nga fiaskoja jashtë, me fillimin e ndeshjes të shtyrë për 37-të minuta pasi tifozët u përpoqën të futeshin në stadiumin kombëtar të Francës, pasi policia i futi korridore të ngushta të mbipopulluara ndërsa po afroheshin.
Më pas ata hodhën gaz lotsjellës drejt mijëra tifozëve të mbyllur pas gardheve metalike në perimetrin e stadiumit. Një vit më vonë, tifozët që ishin atje mbeten të traumatizuar nga përvoja. John Marquis, një tifoz i Liverpoolit, i cili kishte bileta për të ndjekur ndeshjen me vajzën e tij, nuk arriti kurrë të hynte në stadium.
“Ishte pas pjesës së parë kur situata u bë vërtet e keqe”, tha Marquis, duke shtuar se për pak milimetra një shkop i huqi kafkën e tij. Ai thotë se nuk e ka parë më Liverpoolin që atëherë dhe lufton me sulme paniku në mjedise të mbushura me njerëz.
“Unë jam diagnostikuar se vuaj nga PTSD çrregullim i stresit post-traumatik. Unë nuk kam më forcë ose aftësi për të ndjekur Liverpoolin. Unë kam dhe nuk do ta shikoj më kurrë Liverpoolin”, pranoi ai.
Ashtu si shumë tifozë të Liverpoolit, përvoja në “Stade de France” i riktheu kujtimet Marquisit të katastrofës së Hillsborough të vitit 1989, e cila u kushtoi jetën 97 tifozëve të klubit.
“Sigurisht që shumë nga njerëzit që ishin në Paris kanë qenë në Hillsborough dhe pa dyshim që rishfaqet”, tha Peter Scarfe, i cili i mbijetoi asaj fatkeqësie, por e pa finalen e “Stade de France” në televizion.
Scarfe bëri thirrje që njerëzit të mbahen përgjegjës për kaosin e Parisit dhe tha se është “e frikshme" që i njëjti stadium do të jetë pjesa qendrore e Kupës së Botës së ragbit të këtij viti dhe Olimpiadës së ardhshme.
“Ajo që ne nuk morëm 34 vjet më parë ishte llogaridhënia”, tha ai. “Këtë herë kjo është ajo që njerëzit po kërkojnë. Ata duan llogaridhënie. Ata duan që bota të pranojë se ka pasur gabime të mëdha”.
Autoritetet franceze fillimisht u përpoqën të fajësonin tifozët e Liverpoolit dhe pretenduan se problemi ishte me biletat e falsifikuara. Mirëpo, një hetim i senatit francez më vonë zbuloi se siguria nuk ishte në nivelin e duhur.
Një raport i pavarur i publikuar në shkurt zbuloi se organi drejtues i futbollit evropian UEFA mbante “përgjegjësinë primare”. UEFA kërkoi falje dhe premtoi të rimbursojë biletat e të gjithë tifozëve të Liverpoolit dhe të tjerëve të prekur nga telashet. Ndeshja e këtij edicioni në Champions mes Manchester Cityt dhe Interit do të mbahet në Stamboll më 10 qershor.
Megjithatë, UEFA mbetet e varur nga qytetet dhe vendet pritëse kur bëhet fjalë për policinë. Disa vëzhgues vështirë se janë të qetësuar nga vendi i finales së Ligës së Kampionëve, veçanërisht me kujtimet e asaj që ndodhi në Superkupën e UEFA-s të vitit 2019 midis Liverpoolit dhe Chelseat në stadiumin e Beshiktashit në Stamboll.
“Ishte situata kaotike, pasi policët turk nuk dinin gjuhën angleze dhe na konfiskonin gjithçka”, tha një tifoz që ishte i pranishëm në atë ndeshje. Mund të kalojë pak kohë para se UEFA të rikthejë një nga ndeshjet e saj në Francë. Autoritetet franceze u kritikuan për një përgjigje të ashpër ndaj tifozëve, bazuar në supozimet e pasakta se tifozët përbënin një kërcënim për rendin publik. Kjo ngre pikëpyetje se si ata do të trajtojnë turmat në Kupën e Botës në ragbi më vonë këtë vit dhe në Lojërat Olimpike. Debakli i “Stade de France” dëmtoi reputacionin e vendit ndërkombëtarisht. Prandaj, autoritetet tani janë të shqetësuara për të siguruar që Franca të mund të presë me sukses një Olimpiadë të sigurt.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.