Luciano Spalletti ka konfirmuar se do të largohet nga posti i trajnerit të Napolit në fund të këtij edicioni, duke shtuar se do të bëjë një pushim njëvjeçar përpara se ti kthehet zejes së tij. Ai ka përjashtuar mundësinë që do ta marrë drejtimin e ndonjë ekipi tjetër për edicionin e ri, i cili nis në muajin gusht.
64-vjeçari udhëhoqi këtë edicion skuadrën e Napolit drejt titullit të kampionit, sukses që ekipi nuk e kishte shijuar mbi tri dekada.
“Nganjëherë, edhe me një dashuri kaq të madhe, duhet të largohesh. Aktualisht, nuk jam në gjendje të jap gjithçka që Napoli meriton. Me duhet një pushim. Duhet të shkëputem për një periudhë dhe nuk do ta drejtoj as Napolin apo ndonjë ekip tjetër, pasi do të jem në pushim për një vit”, insistoi Spalletti të hënën.
Krerët e Napolit kishin opsionin automatik për t’ia rinovuar kontratën Spallettit deri në vitin e ardhshëm, por sipas raportimeve thuhet se trajneri ka kërkuar largimin nga klubi. Spalletti ishte në krye të Napolit prej vitit 2021, ndërsa te Napoli ka gjasa të zëvendësohet me Luis Enriquen.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.