Pas rritjet së presionit publik, Federata e Futbollit e Kosovës të hënën doli me një reagim lidhur me dy ndeshjet e xhiros së fundit të Superligës së Kosovës në futboll. Ka dyshime shumë të mëdha se ndeshjet Ferizaj – Dukagjini dhe Trepça ’89 – Prishtina ishin të kurdisura. Momentet gati qesharake në këto dy ndeshje bënë që të ketë reagime të shumta të dielën e të hënën. Tashmë ndeshjet po hetohen nga Prokuroria, ndërsa FFK-ja e ka lavdëruar garën e zhvilluar në Superligë.
FFK-ja ka shkruar se ka marrë të gjitha informacionet relevante për dy ndeshjet e përfolura të xhiros së 36-të.
“Organet përkatëse të FFK-së kanë ndërmarrë masat e duhura dhe kanë filluar procesin e mbledhjes së deklaratave dhe dëshmive nga të gjithë zyrtarët e këtyre ndeshjeve për t’i adresuar dhe shqyrtuar ato me seriozitet maksimal”, thuhet në komunikatën e lëshuar të hënën pasdite.
Pra FFK-ja nuk ka njoftuar për ndonjë masë konkrete, ndonëse goli i pranuar nga Dukagjini ishte më shumë se qesharak. Skena të turpshme kishte edhe në ndeshjen në Mitrovicë.
FFK-së i kanë penguar shkrimet për kurdisjen e ndeshjeve.
“FFK reagon me ashpërsi ndaj çdolloj njollosjeje që i bëhet me deklarata të ngutshme dhe akuzuese, derisa është e vendosur për të ruajtur imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës, pas të gjitha investimeve që ka bërë për një garë sa më ‘fair-play’. FFK-ja nuk do të lejojë që individë, grupe apo kushdo tjerë të prishin imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës”, vazhdon komunikata.
Federata e Futbollit ka shkruar se është e hapur për bashkëpunim dhe se inkurajon hetim të detajuar për çdo pretendim. FFK-ja ka informuar organet shtetërore, ndërkohë që vlerësohet se i takon FFK-së që të iniciojë hetime pas akuzave të shumta publike.
“Çdo pretendim që vërtetohet do të ndëshkohet me ashpërsi në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret përkatëse. FFK-ja do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim maksimal për të mbrojtur integritetin e garave dhe imazhin e futbollit të Kosovës në përgjithësi. Në këtë kontekst, Federata fton të gjithë protagonistët e futbollit, si zyrtarët, lojtarët, trajnerët, tifozët dhe mediat, që të angazhohen në promovimin e vlerave sportive dhe respektimin e rregullave të lojës”, shkruan FFK-ja.
Federata ka ndaluar komentet në postimin e bërë.
Deklarata nuk dallon shumë nga deklaratat e lëshuara më herët që kishin të bënin me dyshimet për kurdisje. Zakonisht janë kërkuar dëshmi. Dhe rrjedha aktuale shkon në drejtim që dyshimet e akuzat për kurdisje të harrohen pas pak ditësh, pasi të zvogëlohet presioni publik. Ndonjë veprim konkret, në bazë të komunikatës, as që pritet. Ka pak gjasa që ndonjë veprim konkret të ketë edhe nga institucionet e tjera.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.