Nëse Manchester City fiton trofeun e Ligës së Kampionëve të shtunën, misioni do të jetë i kompletuar për klubin e mbështetur nga Abu Dabi. Futbolli evropian më në fund do të “pushtohet”, pasi do të thyhet pengesa e fundit drejt elitës.
Për Cityn, trofeu i Ligës së Kampionëve përfaqëson më shumë sesa vetëm argjendi, që sigurohet nëse e mposht Interin në “Ataturk Olympic Stadium”. Do të ishte një “deklaratë” për fuqitë e vjetra të futbollit se skuadra e injoruar dikur nga ish-trajneri i Manchester Unitedit, Alex Ferguson - që e kishte quajtur “fqinj të zhurmshëm” - ka mbërritur vërtet zenitin.
“Shumë klube kanë shkatërruar projekte dhe ide sepse nuk ishin në gjendje të fitonin këtë garë dhe kaq shumë janë bërë klube të mëdha sepse ishin në gjendje ta fitonin”, tha Pep Guardiola këtë javë.
Me gjithë suksesin që City ka arritur gjatë një periudhe marramendëse 15-vjeçare, kur papritmas u bë një nga skuadrat më të pasura të futbollit në botë, kulmi evropian ka mbetur i paarritshëm.
Familja në pushtet e Abu Dabit ndryshoi fytyrën e sportit kur Sheiku Mansour bin Zayed Al Nahyan bleu Cityn në vitin 2008. Miliarda dollarë janë shpenzuar për të mbledhur lojtarët më të mirë në botë dhe për të punësuar ndoshta trajnerin më të madh të gjeneratës së tij, Guardiolën. Shuma të mëdha parash janë hedhur në stadium dhe ambiente stërvitore, ndërkohë që një rrjet klubesh në mbarë globin janë bërë pjesë e familjes City, duke identifikuar dhe shfrytëzuar talentet më të mira në zhvillim.
Megjithatë, Liga e Kampionëve ka qenë gjithmonë shumë larg. City dhe Guardiola e kanë pasur të pamundur që të shpërthejnë në skenën më të madhe.
Tani duket ndryshe. Kjo skuadër e Cityt duket shumë e mirë për të dështuar, pasi fitoi Premier Leaguen dhe Kupën FA në javët e fundit dhe tashmë ka eliminuar gjigantët evropianë Bayern Munichun dhe Real Madridin në rrugën për në finale.
Interi, skuadra e tretë më e mirë në Itali këtë edicion, do të duhet të bëjë një nga befasitë më të mëdha në historinë e Ligës së Kampionëve për të ndaluar Cityn. Tifozët e Cityt, që kanë arritur në Stamboll ditët e fundit, kanë insistuar se janë në Turqi për të festuar. Ekziston një ndjenjë që më në fund ka ardhur koha e tyre.
Ka pasur një ndjenjë mes shumë prej tyre se kërkesa për stabilitet në futboll ishte përpjekje që të pengohet City. Rregulloret e UEFA-s për ferplejin financiar (FFP), janë krijuar për të krijuar stabilitet financiar në futboll, duke siguruar që shpenzimet të jenë të balancuara me fitimet. Por për shumë tifozë të Cityt, të cilët në mënyrë rutinore tallnin himnin e Ligës së Kampionëve para ndeshjeve, rregullorja është parë si mënyrë për të bllokuar pronarët super të pasur që të konkurrojnë me elitën tradicionale si Real Madridi, Barcelona, Bayerni, Unitedi dhe madje edhe Interi. Në vitin 2014 City u gjobit me 82 milionë dollarë dhe u urdhërua të kufizojë madhësinë e skuadrës së tij në Champions pasi kishte shkelur rregullat e FFP-së. Paris Saint-Germaini i mbështetur nga Katari mori të njëjtin dënim. Megjithatë, City nuk u ndal, duke grumbulluar edhe më shumë lojtarë të klasit botëror, si Kevin De Bruyne, Raheem Sterling e Riyad Mahrez dhe duke punësuar Guardiolën. City u përjashtua nga garat evropiane për dy vjet në vitin 2020 për “shkelje serioze” të rregullave të shpenzimeve dhe dështim për të bashkëpunuar me hetuesit. Dënimi erdhi pas publikimit të emaileve dhe dokumenteve të zbuluara, me gjasë të hakuara, që dyshohet se tregonin përpjekje për të mbuluar burimin e të ardhurave të klubit. City mohoi akuzat dhe ndalimi u anulua nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv. Në shkurt të këtij viti klubi u godit me më shumë se 100 akuza për mashtrime financiare nga Premier League, pas një hetimi katërvjeçar. Përsëri City i mohon akuzat, të cilat, nëse vërtetohen, mund të çojnë në dënime aq të rënda sa zbritja e pikëve apo edhe përjashtimi nga elita e futbollit anglez. Kjo padyshim do të thyente dominimin e Cityt në Angli, por veprimi i ligës duket se ka shërbyer si një shtysë për atë që po pritet të jetë edicioni më i suksesshëm ndonjëherë. Skuadra e Guardiolës ka ecuri të pandalshme që nga ngritja e akuzave, e cila ecuri solli titullin e pestë në gjashtë vjet.
Suksesi evropian mbetet qëllimi përfundimtar dhe pas mposhtjes së UEFA-s triumfi në fushë është kufiri i fundit për atë që mund të sjellë një epokë të re të dominimit në Ligën e Kampionëve. City dhe PSG-ja janë mbështetur nga fuqia e madhe shpenzuese e pronarëve nga Abu Dabi dhe Katari. Megjithatë asnjëri klub nuk ka arritur të fitojë çmimin më të madh të futbollit evropiane në nivel klubesh, me Real Madridin që dominoi vitet e fundit. Kjo është ndjerë si një pengesë mendore më shumë se çdo gjë tjetër për dy klube që janë ngjitur kaq shpejt në majat e sportit.
Për Cityn suksesi të shtunën mund të jetë katalizator për shumë trofe të tjerë të Ligës së Kampionëve në të njëjtën mënyrë si triumfi në Kupën FA në vitin 2011 që hapi rrugën për 15 trofe të tjerë në 12 vjetët pasues.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.