Pas dy shtyrjeve, finalja e Championsit kthehet në Stamboll

Herën e fundit kur finalja e Ligës së Kampionëve u zhvillua në Turqi, ndeshja u bë e njohur si “Mrekullia e Stambollit”.
U deshën gati dy dekada për ta kthyer finalen dhe atë në mënyrë të mrekullueshme. Stambolli duhej të priste finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2020, por nuk ndodhi. Pastaj finalja e vitit 2021 gjithashtu nuk ndodhi. Pandemia e koronavirusit i ndryshoi ato plane vetëm disa javë para fillimit. Në vend të Stambollit të dyja finalet u luajtën në Portugali.
Më në fund koha e Stambollit ka ardhur përsëri - 18 vjet pasi Liverpooli kapërceu disi epërsinë 3:0 të Milanit nga pjesa e parë, për të fituar trofeun ikonik të Championsit me penallti. Të premten qyteti ishte mbushur me flamujt me shkrimin “Stambolli 23”. Turqit mirëpritën ekipet e Interit e Manchester Cityt, si dhe tifozët që vinin për ndeshjen e së shtunës.
Në një park buzë një shatërvani në rrethin e portit “Yenikapi”, në anën evropiane të qytetit, koncertet dhe shfaqjet filluan të enjten. Hyrja ishte falas në “Fan Festival”.
“Qyteti është i gjallë me Ligën e Kampionëve”, tha presidenti i Federatës së Futbollit të Turqisë, Mehmet Buyukekşi përmes një përkthyesi të premten.
Për Turqinë dhe qytetin e saj vatër futbolli, shtyrja trivjeçare është pothuajse e harruar.
“Durimi, entuziazmi, përkushtimi dhe pritja e ngrohtë” nga vendi pritës u vlerësuan nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin.
“Ju e keni pritur shumë gjatë këtë moment dhe unë dua që ju ta shijoni këtë rast po aq sa lojtarët dhe tifozët e të dy klubeve”, ka thënë Çeferin.
Brenda stacionit të metrosë Yenkapi, qendra për të pritur tifozët e Cityt të shtunën ishte e mbushur me fotografi të lojtarëve. Ato zbukuronin vendkalimet nëntokësore.
Shumica e materialeve promovuese dhe mallrave thelbësore për një qytet që pret një finale evropiane më në fund po përdoren. Mijëra bluza, çanta shpine dhe sende të tjera me mbishkrimin “Istanbul 2020” dhe “Istanbul 2021” për ndeshjet që nuk janë luajtur, tani po vishen dhe barten nëpër botë.
UEFA tha se fondacioni bamirës i saj për fëmijët dhuroi dhe shpërndau mallrat e tepërta në vendet e tjera përmes projekteve dhe organizatave me të cilat punon.
Në vitin 2020 shpërthimi i koronavirusit u shpall zyrtarisht pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë më 11 mars, disa orë përpara se Liverpooli dhe Paris Saint-Germaini të organizonin ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Gjashtë ditë më vonë, kur UEFA shtyu Kampionatin Evropian 2020, futbolli në të gjithë kontinentin ishte ndalur. U mendua se Stambolli mund të presë ende finalen e Ligës së Kampionëve, si dhe gjysmëfinalet me një ndeshje të vetme. Kjo dukej optimiste.
Por në mes të qershorit UEFA do të vendoste për dërgimin e tetë çerekfinalistëve në Lisbonë për një turne në muajin gusht, pa tifozë dhe në stadiume pothuajse plotësisht të zbrazëta. City duhej të priste deri më 7 gusht për të mposhtur Real Madridin në 1/8 e finales, më shumë se pesë muaj pas ndeshjes së parë në Spanjë.
Situatë tjetër ishte në maj të vitit 2021, kur federata turke dhe Stambolli u përgatitën për të pritur një finale me rreth 10 mijë tifozë në stadiumin olimpik me kapacitet prej 72 mijë ulësesh. Gjysmëfinalet përfunduan më 7 maj dhe finalistët ishin të njohur. Një finale tërësisht angleze midis Chelseat dhe Manchester Cityt do të luhej më 29 maj. Zyrtarët e klubeve madje erdhën në Stamboll për të mësuar planin e organizimit të ndeshjes.
Më pas ndërhyri qeveria britanike e udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Boris Johnson. Turqia u shtua në “listën e kuqe” të vendeve ku udhëtimi dhe kthimi nuk ishte i lejuar. Kjo do të thoshte që tifozët nuk do të udhëtonin mes Anglisë dhe Turqisë për finalen dhe qeveria britanike ofroi mundësinë që ajo të luhej në stadiumin “Wembley” në Londër.
Mirëpo bisedimet për atë plan u ndërprenë sepse UEFA nuk mund të hiqte dorë nga sponsorët, të ftuarit dhe mediat. Ata nuk mund të vizitonin Londrën pa pasur nevojë të karantinohen. Një finale e dytë e epokës së pandemisë shkoi në Portugali dhe ishin vetëm 14,110 shikues në stadiumin me kapacitet prej 50,000 ulësesh në Porto.
Të shtunën stadiumi “Ataturk” do të jetë plot, duke përfshirë të paktën 20,000 tifozë nga secili finalist, për të krijuar një përvojë të vërtetë futbolli edhe një herë në Stamboll.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.