Kur Victoria Azarenka u fut në fushën numër 15, të hënën në mëngjes, për meçin e saj të parë në Wimbledon pas dy vjetësh ajo u përshëndet me duartrokitje. Ndërkohë, kur kampionia e dy Grand Slameve nga Bjellorusia konfirmoi fitoren, e përshëndeti publikun i cili e priti ngrohtësisht.
Për dallim prej kundërshtares së saj Yuan Yue, nacionaliteti i së cilës ishte i cekur në semafor, Azarenka nuk kishte fare shtet që e identifikonte në semafor. Kjo për shkak se tenistët nga Rusia e Bjellorusia, që janë kthyer në Wimbledon pas mungesës vitin e shkuar shkaku i luftës në Ukrainë, janë të regjistruar si sportistë neutralë e që zyrtarisht nuk përfaqësojnë asnjë shtet.
Lufta që nisi në shkurt të vitit 2022, kur Rusia e pushtoi Ukrainën me ndihmën e Bjellorusisë, dhe që vazhdon ende, bëri që Wimbledoni mos t’i lejojë tenistët rusë dhe bjellorusë që të marrin pjesë vitin e shkuar. Por, në mars të këtij viti Wimbledoni njoftoi se kishte vendosur të largonte pezullimin, gjë që tashmë është konfirmuar. Përderisa tenistët e tjerë kanë flamujt e shteteve të tyre përkrah emrit dhe mbiemrit, rusëve dhe bjellorusëve nuk iu lejohet një gjë e tillë. Po ashtu ata nuk mund të shihen në shtetet e tyre duke luajtur në Wimbledon, pasi është i ndaluar transmetimi i këtij Grand Slami të tenisit si në Rusi ashtu edhe Bjellorusi. Azarenkas dhe tenistëve tjerë nga këto dy shtete u është dashur të firmosnin një deklaratë në të cilën pajtoheshin për tri gjëra: Ata nuk do të përfaqësonin Rusinë ose Bjellorusinë; nuk do të pranonin financime nga qeveritë e këtyre shteteve ose kompani që operojnë me to; dhe nuk do të shprehnin mbështetje për pushtimin e Ukrainës apo liderët e Rusisë e Bjellorusisë.
“Ishte një vendim i vështirë, siç thamë kur e morëm në fillim të vitit”, tha të hënën udhëheqësja e “All England Club”, Sally Bolton në lidhje me ndryshimin e politikës. “Ne morëm shumë kohë për të menduar me kujdes për vendimin që sollëm dhe ndikimin që do të kishte, në të njëjtën mënyrë si vitin e kaluar. Ne mendojmë se është vendimi i duhur për kampionatin e këtij viti”.
Tenistja nga Rusia, Liudmila Samsonova, që u eliminua të hënën nga Ana Bogdan e Rumanisë, tha se vendimi i vitit të kaluar ishte shumë i vështirë për t’u pranuar.
“Këtë vit, kur ata thanë se ne ishim në gjendje të luanim, ishte e mahnitshme”, pranoi ajo.
Nëse kishte dyshime se si mund të priteshin rusët dhe bjellorusët pas kthimit të tyre, indikacionet në ditën e parë ishin se nuk kishte asgjë të pazakontë. Asnjë protestë. Asnjë ngacmim. Asnjë britmë në mbështetje të Ukrainës, apo kundër tenistëve që u kthyen. Flamujt e Rusisë dhe Bjellorusisë nuk lejohen të futen në terrenet e turneut.
“U ndjeva sikur nuk u largova kurrë nga ky turne, sinqerisht. Ndihem mirë të luaj këtu”, tha Azarenka pasi mposhti kinezen Yuan (6-4, 5-7, 6-4 në sete). “Personalisht kam përjetuar një trajtim shumë të mirë. Madje isha e motivuar të luaja mirë para turmës që më përkrahu”.
Rusët që fituan të hënën përfshinin Andrey Rublevin dhe Aslan Karatsev te meshkujt, ndërsa Veronika Kudermetova e nisi me fitore Wimbledonin në konkurrencën e femrave. Ashtu si Azarenka, ata dëgjuan mbështetje nga njerëzit në tribuna si gjatë ndeshjeve ashtu edhe në përfundimin e tyre.
“Turma ishte shumë e mirë për mua. Tifozët treguan mbështetje”, tha Kudermetova pasi duartrokiti drejt spektatorëve kur eliminoi Kaia Kanepin.
“Mendoj se nuk ka rëndësi nga cili vend jeni. Ne jemi këtu vetëm për të luajtur tenis. Ne jemi këtu për të garuar dhe të përpiqemi të tregojmë më të mirën tonë”. / AP
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.