Sport

Pezullimi i licencës dëshmon krizën e madhe në karate, i përfshirë edhe KOK-u

 

Licenca e Federatës së Karatesë së Kosovës është pezulluar të hënën nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Kështu vetëm është konfirmuar kriza e madhe në sportin e karatesë, përkatësisht ndarja e komunitetit të karatesë në dy grupe. Në zhvillimet negative rreth karatesë është përfshirë edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

MKRS-ja ka njoftuar se ministri Çeku ka aprovuar propozimin e Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive për pezullim të licencës të Federatës së karatesë. Sipas vendimit, veprimet e Federatës së Karatesë janë në kundërshtim me Ligjin për sport, Udhëzimin Administrativ për kushtet, kriteret dhe procedurat e themelimit, licencimit dhe rivlerësimit të federatave, si dhe Statutin e FKK-së.