Bashkimi ka bërë befasi të madhe në xhiron e parë të Superligës së Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma, skuadra prizrenase e mposhti Golden Eagle Yllin në Suharekë.
Ndeshja e fundit e xhiros së parë përfundoi 77:71 në të mirë të Bashkimit.
Prizrenasit e nisën ndeshjen mirë dhe çerekun e parë e fituan 22:13. Shkëputjen e vazhduan edhe në çerekun e dytë dhe pjesa e parë përfundoi 44:30 për mysafirët. Në çerekun e tretë suharekasit u afruan në një pikë, 59:58, por pa ia dalë të barazojnë. Bashkimi bëri shkëputje tjetër në fillim të çerekut të katërt dhe më pas mbajti epërsinë deri në fund.18 sekonda para fundit Ylli u afrua në 73:71, por më pas Bashkimi shënoi katër pikë rresht për fitoren 77:71.
Erik Copes shkëlqeu te Bashkimi me 25 pikë e 14 kërcime. 21pikë i kishte kapiteni Altin Morina, ndërsa Grant Lozoya i realizoi 11 pikë e tetë kërcime.
Jalen Nesbitt ishte më i miri te Ylli me 13 pikë e tetë kërcime. Kapiteni Gëzim Morina i kishte 19 pikë e pesë asistime, ndërsa Henrik Shirko i realizoi 13 pikë e tetë kërcime po ashtu.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.