Sport

Hendboll, fitore për Kastriotin e Rahovecin

 

Me vetëm dy ndeshje ka nisur edicioni 2023/2024 i Superligës së Kosovës në hendboll. Ndeshja Deçani – Vëllaznimi është shtyrë për të enjten, ndërsa termini i ndeshjes Vushtrria – Besa Famgas nuk është caktuar ende. Vëllaznimi e sidomos Vushtrria po përballen me vështirësi aktualisht.

Kampionati megjithatë u hap me një ndeshje shumë interesante. Të shtunën në Ferizaj, Kastrioti e mposhti Trepçën me rezultat 31:30. Mitrovicasit nisën me seri 7:1 dhe mbajtën në pjesën e parë epërsi prej 4-5 golash. Por vendasit nuk u dorëzuan. Barazimin e parë e arritën në minutën e 37-të, 18:18. Në minutën e 48-të kaluan në epërsi për herë të parë, 24:23. Më pas krijuan epërsi edhe prej dy golash, ndërsa Trepça ia doli të barazoi rezultatin në 30:30. Por Kastrioti më pas shënoi për 31:30 dhe për fitoren dramatike.