Emir Sahiti nuk ka shfaqur shumë në ndeshjet e para të kampionatit. Por ka gëzuar tifozët e zjarrtë të Hajdukut të Splitit të shtunën mbrëma. Hajduku i dha fund serisë prej dy humbjeve me fitoren 1:0 ndaj Lokomotivës së Zagrebit. Sahiti shënoi supergol për fitore në ndeshjen e xhiros së nëntë të elitës kroate.
Për Sahitin, reprezentuesin e kohëpaskohshëm të Kosovës, ishte goli i parë në këtë edicion. Deri të shtunën nuk kishte as asistime.
Trajneri i Hajdukut, Ivan Leko, ka pranuar se kishte presion për ta larguar Sahitin nga formacioni bazë.
“Besoj se dikush lart i sheh të gjitha. Në dhjetë ndeshjet e para ka pasur zero gola e asistime. Si trajner është dashur që ta largoj. Por kur e kam parë se si është angazhuar në stërvitje kam thënë se nuk do ta largoj. Le të më largojnë mua, por unë atë nuk do ta largoj. Do të kisha dëshirë që tash të shënojë gola të tjerë dhe të vazhdojë të jetë modest. Më vjen mirë që nuk e kam larguar”, ka thënë Leko, shkruan “Slobodna Dalmacija”.
24-vjeçari luan sulmues krahu. Te Hajduku është prej vitit 2018. Në vitet e fundit është lojtar i rëndësishëm.
Hajduku shquhet për tifozët e zjarrtë dhe përkrahjen e madhe nga tribunat. Përkrahje të madhe kishte edhe të shtunën ndaj Lokomotivës.
“Kemi fituar me meritë. Kemi pasur shumë raste. Është ndjenjë e mirë kur shënon gol dhe më e rëndësishmja është që kemi fituar. Duhet ta harrojmë këtë ndeshje, na pret derbi i madh me Dinamon. Trajneri ka besim në mua dhe unë jap çdo gjë edhe kur e kam më së vështiri. Po ushtroj shumë dhe falënderoj Zotin që kjo po shpërblehet”, ka thënë Sahiti për mediat kroate.
Ai ka pranuar se i ka munguar goli. Është optimist për ndeshje të mira në vazhdim të kampionatit. Sahiti ka pasur edhe një porosi për tifozët e Hajdukut, “Torcida”.
“Duhet të japim çdo gjë nga vetja. Kjo fanellë e bardhë rëndon shumë. Torcida është lojtari ynë i 12-të. Nuk ka askush kësi tifozësh në Kroaci, ndoshta as në Evropë”, ka theksuar Sahiti.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.