Xhudistët e rinj të Kosovës e kanë mbyllur Kampionatin Ballkanik me një medalje të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë.
Kampionati Ballkanik për juniorë (U21) u mbajt në Bihaç të Bosnjë-Hercegovinës. Medaljen e artë e fitoi Anes Veseli, të argjendtën Muhamedin Veseli, derisa të bronztën Dëbora Gjakova.
Dy medalje ballkanike i kanë fituar karateistët.
Fortesa Orana dhe Endrit Beka i siguruan Kosovës medalje të bronzta nga Kampionati Ballkanik për seniorë që u mbajt në Tiranë. Shumë karateistë kanë përfunduar në vendet pesë dhe shtatë.
Kosova nuk pati rezultat as në garat ekipore në karate, ndërsa pritjet kanë qenë dukshëm më të mëdha.
Në Ballkanikun e mbajtur në Tiranë, karateisti prishtinas, Orges Arifi, ia siguroi Shqipërisë një medalje të argjendtë.
Deri tek medalja në kategorinë mbi 68 kilogramë, karateistja Fortesa Orana arriti falë dy fitoreve në repesazh. Orana e nisi garën me humbje 2:1 nga një sllovene.
Nga Sllovenia kundërshtarin e parë e pati edhe Endrit Beka i kategorisë deri 75 kilogramë. E mposhti sllovenin e po ashtu në raundin e dytë garuesin nga Bosnjë-Hercegovina. Në raundin e tretë u ndal nga garuesi i Malit të Zi, derisa mposhti garuesin nga Serbia për ta fituar medaljen e bronztë.
Rrugë më të gjatë deri te medalja e artë pati xhudisti Anes Veseli. Ai fitoi katër luftëra në kategorinë deri 81 kilogramë. Në xhiron e parë ishte i lirë, në xhiron e dytë mposhti një garues nga Mali i Zi, pastaj në çerekfinale dhe gjysmëfinale eliminoi dy rumunë, derisa në finale mposhti garuesin e shtetit nikoqir.
“Muhamedin Veseli i kategorisë deri 60 kilogramë është stolisur me medalje të argjendtë duke fituar dy luftëra dhe duke pësuar një humbje. Dëbora Gjakova e kategorisë deri 63 kilogramë është stolisur me medalje të bronztë. Ajo fitoi katër ndeshje dhe humbi një”, shkruan në njoftimin e Federatës së Xhudos të Kosovës.
Xhudo kishte edhe disa garues në Ballkanik, të cilët nuk patën ndonjë sukses. Por xhudo nuk ka telashet e karatesë.
Komuniteti i karatesë është ndarë në dy grupe. Njëri grup përfaqësohet nga Nazmi Gashi dhe Besart Baruti, kurse tjetri nga Avni Gashi. Priten zhvillime të reja në karate gjatë javës së ardhshme.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.