Javën e kaluar janë luajtur ndeshjet e para të Ligës së Kombeve të UEFA-s për futbolliste. Është kjo garë e re e Konfederatës Evropiane të Futbollit, e ndarë në nivele.
Përfaqësuesja e Kosovës do të debutojë në Ligën e Kombeve të martën. Prej orës 17:00 takohet me Bullgarinë në stadiumin “Lokomotiv” në Plovdiv.
Kosova është në Grupin 5 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Liga C është niveli i tretë, përkatësisht i fundit në Ligën C. Kosova e kërkon vendin e parë në grup, i cili i garanton avancimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm. Avancimi është i mundur edhe nga pozita e dytë. Në grup me Kosovën e Bullgarinë është vetëm edhe Maqedonia e Veriut.
Të premten Bullgaria fitoi 1:0 ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup. Përkundër fitores së bullgareve, optimizmi te Kosova është i madh. Pikërisht të premten përfaqësuesja e Kosovës është mbledhur në Plovdiv. Pasi nuk kishte ndeshje në terminin e parë, përfaqësuesja është mbledhur më vonë se përfaqësueset e tjera.
“Jemi grumbulluar më vonë pasi nuk kemi pasur ndeshje në xhiron e parë. Kemi bërë katër stërvitje të
përbashkëta dhe ka ndjenjë shumë të mirë në ekip. Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Disa prej lojtareve jemi në fillim të kampionatit me skuadrat tona. Disa të tjera, si ato që luajnë në Suedi, janë në fund të kampionatit. Por gjendja e lojtareve dhe ekipit në përgjithësi është shumë e mirë”, ka thënë kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti, për KOHËN.
Memeti, që luan në sulm, është pjesë e skuadrës së Bundesligës gjermane, Hoffenheim. Është prej pak lojtareve profesionale të Kosovës dhe lidere e përfaqësueses. Bullgaria është kundërshtare humë e njohur për Kosovën. Më 21 shkurt në Alanya, Kosova kishte fituar 2:1 ndaj bullgareve në një turne. Memeti kishte shënuar golin e parë. Më 6 prill në Sofje, në një turne tjetër, Kosova kishte fituar 1:0 ndaj Bullgarisë. Memeti kishte vendosur atë ndeshje. Kosova është në seri prej shtatë fitoreve. Të gjitha i ka arritur këtë vit, në ndeshje miqësore.
“Unë personalisht jam optimiste në çdo ndeshje. Me Bullgarinë kemi luajtur dy herë së fundi dhe e dimë çka të presim. Synimi natyrisht është fitorja. Të gjitha jemi të vendosura për fitore. E dimë që kemi nivel më të lartë se Bullgaria dhe këtë duhet ta shfaqim në fushë”, ka shtuar Memeti.
Kosova ndeshjen e ardhshme e ka më 27 tetor, kur luan ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.