Sport

Kosova më në fund pranohet në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar

 

Kosova më në fund është anëtare e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC). Gati nëntë vjet pas pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kosova pranohet edhe në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Pranimi në IOC kishte hapur dyert e thuajse të gjitha federatave sportive për Kosovën. Por dyert e IPC-së mbetën të “mbyllura” për shkak të mosplotësimit të një numri kriteresh strikte, përkatësisht mosorganizimit të duhur të Komitetit Paralimipik të Kosovës.

Kosova tashmë është paraqitur në dy edicione të Lojërave Olimpike, por ka munguar në Lojërat Paralimpike në “Rio 2016” dhe “Tokio 2020” për shkak që nuk ishte anëtare e IPC-së. Lojërat Paralimpike, që janë ngjarje madhore shumësportëshe për sportistët me aftësi të kufizuara, mbahen pak javë pas Lojërave Olimpike. Paralimpistët e Kosovës do të debutojnë në “Parisi 2024”.