3 perditesime
17:06

Fushë Kosova shtang Prishtinën, i merr pikë në fund të takimit

Skuadra e Fushë Kosovës ka marrë edhe pikën e dytë këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll. Pas barazimit me Dritën, Fushë Kosova luajti baras edhe kundër Prishtinës në ndeshjen e fundit të xhiros së tetë të elitës së futbollit kosovar.

Dueli i luajtur të hënën në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, përfundoi me rezultatin 2:2. Në fakt, Fushë Kosova e siguroi barazimin në minutën e pestë të kohës shtesë. Pas harkimit nga këndi, ku në zonën e Prishtinës kishte shkuar edhe portieri i Fushë Kosovës, më së miri në tollovinë e krijuar u gjend mbrojtësi Dominik Ivkiq, i cili shënoi me kokë dhe siguroi barazimin për Fushë Kosovën.

Golin tjetër për Fushë Kosovën, e shënoi Armend Abazi, i cili ngushtoi epërsinë në 2:1. Abazi realizoi nga penalltia në minutën e 51-të. Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 40-të, me golin e shënuar nga Ardian Muja pas asistimit të Jalen Blesas.

Ndërsa, avantazhin e dyfishoi në minutën e 47-të nëpërmjet Hasan Hysenit. Me këtë barazim, Fusha Kosova mbetet e fundit në tabelë me dy pikë të mbledhura, ndërkohë Prishtina ka 11 pikë dhe renditet e pesta. Për Prishtinën, kjo është ndeshja e pestë rresht pa fitore.

16:18

Fushë Kosova ngushton rezultatin

Skuadra e Fushë Kosovës ka ngushtuar në 2:1 disavantazhin në përballjen kundër Prishtinën.

Golin për Fushë Kosovën, e shënoi Armend Abazi.

Abazi ishte i saktë nga penalltia në minutën e 51-të.

16:12

Prishtina shënon edhe golin e dytë

Prishtina ka dyfishuar epërsinë ndaj skuadrës së Fushë Kosovës.

Me të filluar pjesa e dytë, Prishtina ka shënuar edhe golin e dytë të këtij takimi që po zhvillohet në Lipjan. Sulmuesi i krahut, Hasan Hyseni realizoi në minutën e 47-të për rezultatin 2:0.

Golin e parë për Prishtinën në këtë duel të xhiros së tetë të Superligës, e shënoi Ardian Muja (40’).

15:54

Prishtina avancon ndaj Fushë Kosovës

Skuadra e Prishtinës po avancon ndaj Fushës Kosovës, në ndeshjen e fundit të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll.

Në duelin që po luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, Prishtina po udhëheq me rezultatin 1:0.

Golin për Prishtinën në këtë përballje e shënoi mesfushori Ardian Muja.

Ai realizoi në minutën e 40-të nga afërsia pas asistimit të sulmuesit Jalen Blesa.