Curri fajëson portierin për pikët e lëshuara

Trajneri i Prishtinës, Debatik Curri ka marrë përgjegjësinë për rezultatet e fundit të Prishtinës. Por ai me theks të veçantë e ka fajësuar portierin 21-vjeçar Agron Kolaj për pikët e lëshuara ndaj Fushë Kosovës. Ndeshja Fushë Kosova – Prishtina përfundoi baras, 2:2.
Golin e dytë për 2:2, Prishtina e pësoi në minutën e 94-t. “Është shumë zhgënjyese. E dominuam pjesën e parë e po ashtu edhe të dytën dhe normalisht si çdo skuadër kur ka rezultatin mbrohet. Vendosëm shtatë mbrojtës, por reagimi i tyre dhe pësimi i golave është shqetësuese. Të gjitha gabimet janë individuale. Si çdo ndeshje edhe këtë ndeshje mendoj se portieri ka fajin kryesor. Ai është për të mbrojtur dhe jo çdo gjuajtje në drejtim të tij të jetë gol. Nuk mund të kthejmë asgjë, duhet të vazhdojmë. Nuk jam aspak i kënaqur, futbollistët dhe portieri duhet të marrin përgjegjësinë. Kur ekipi fiton, portieri në shumicën e rasteve është protagonist, por në rastet kur pëson gola nga ndërprerjet e ka fajin e vet, pa përjashtuar edhe futbollistët”, ka thënë Curri për “Art Motion”.
