4 perditesime
14:56

Dukagjini fiton ndeshjen e shtyrë ndaj Fushë Kosovës

Skuadra e Dukagjinit ka triumfuar pa telashe në ndeshjen e shtyrë të xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në futboll ndaj Fushë Kosovës.

Në duelin e luajtur të martën në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, Dukagjini fitoi me rezultatin 3:0.

Kjo ndeshje është dashur të luhet të shtunën, por shkaku i reshjeve të borës ishte shtyrë fillimisht për të hënën, përpara se Komisioni i Garave të njoftonte se do të zhvillohej të martën.

Dukagjini pati paraqitje më të mirë dhe pothuajse dominoi gjatë tërë ndeshjes ndaj Fushë Kosovës.

Ekipi nga Klina, shënoi një gol në pjesën e parë dhe dy të tjerë në të dytën për të regjistruar fitoren e katërt këtë edicion.

Me këtë fitore, Dukagjini ka tubuar 20 pikë, dhjetë më shumë se Fushë Kosova që regjistroi humbjen e 12-të dhe zë vendin e parafundit në tabelë.

Rezultati i ndeshjes, u zhbllokua në minutën e 17-të kur Blerind Morina u gjend më së miri në zonën e Fushë Kosovës pas harkimit të Redon Sylës nga këndi.

Me të filluar pjesa e dytë, Dukagjini e dyfishoi epërsinë. Këtë herë, mesfushori Bujar Shabani shënoi për 2:0 në minutën e 49-të.

Ndërkohë, rezultatin përfundimtar të takimit, e vulosi Altin Merlaku, i cili realizoi në minutën e 82-të.

Skuadra e Fushë Kosovës që po lufton për mbijetesë, e shënoi një gol me anë të Endrit Bahollit (62’) por që u anulua pas rishikimit të VAR-it.

14:54

Dukagjini shënon edhe golin e tretë

Skuadra e Dukagjinit i ka dhënë fund çështjes së fituesit në duelin kundër Fushë Kosovës.

Dukagjini ka shënuar edhe golin e tretë dhe po avancon me shifrat 3:0 kur kanë mbetur më pak se një çerek ore lojë deri në fund të takimit.

Golin e tretë për Dukagjinin, e shënoi kapiteni Altin Merlaku në minutën e 82-të pasi mori top nga mesi i fushës dhe me t’u futur në zonë mposhti portierin kundërshtar.

14:16

Dukagjini dyfishon epërsinë ndaj Fushë Kosovës

Skuadra e Dukagjinit ka shënuar edhe golin e dytë në fillim të pjesës së dytë dhe tani po avancon me rezultatin 2:0 ndaj Fushë Kosovës.

Golin e dytë për ekipin nga Klina, e shënoi mesfushori Bujar Shabani në minutën e 49-të.

13:53

Dukagjini në avantazh pas pjesës së parë

Dukagjini po avancon 1:0 ndaj Fushë Kosovës pas pjesës së parë të ndeshjes që po luhet në Lipjan dhe i takon xhiros së 15-t të elitës së futbollit kosovar.

Golin e vetëm gjatë 45 minutave të para, e shënoi Blerind Morina.

Morina reagoi më së miri në minutën e 17-të pas harkimit nga këndi i Redon Sylës për ta zhbllokuar rezultatin e ndeshjes.

Pas golit të shënuar, Dukagjini lëshoi është disa raste tjera shënimi, por nuk arriti të realizoj.

13:21

Dukagjini në epërsi ndaj Fushë Kosovës

Skuadra e Dukagjinit po avancon ndaj Fushë Kosovës, në ndeshjen e shtyrë të xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Në duelin që po luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, rezultati është 1:0 në favor të Dukagjinit.

Rezultati i ndeshjes u zhbllokua në minutën e 18-të, kur Blerind Morina u gjend më së miri në zonën e Fushë Kosovës pas harkimit nga këndi të Redon Sylës për të shënuar për 1:0.