2 perditesime
14:59

Feronikeli 74 fiton ndaj Dukagjinit

Feronikeli 74 ka shënuar fitore në ndeshjen e xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në futboll. Skuadra nga Drenasi të dielën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” fitoi me rezultatin 1:0 ndaj Dukagjinit.

Golin e vetëm në këtë ballafaqim e realizoi Florent Avdyli. Avdyli në minutën e 34-t plasoi bukur topin nga zona, pasi mori pasimin nga sulmuesi Alban Shillova. Për Feronikelin 74 është fitorja e pestë e edicionit aktual, ndërsa Dukagjini pësoi disfatën e katërt sezonale. Me pikët e plota, Feronikeli 74 tani ngjitet në pozitën e shtatë me 18 pikë, një më shumë se Gjilani i vendit të tetë.

Dukagjini mbetet në vendin e gjashtë me 21 pikë. Në javën e ardhshme të Superligës dhe të fundit për këtë vit, Feronikeli 74 luan në udhëtim te Fushë Kosova, ndërsa Dukagjini në Klinë e pret Gjilanin.

14:18

Feronikeli 74 në epërsi ndaj Dukagjinit, baras në Gjilan

Feronikeli 74 ka shkuar në pushim me epërsinë e një goli ndaj Dukagjinit, në ndeshjen e xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës që po luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Florent Avdyli e shënoi golin e vetëm në këtë ndeshje në minutën e 34-t, pas asistimit të Alban Shillovës.

Ndërkohë, derbi gjilanas mes Gjilanit dhe Dritës pas 45 minutave të para, është mbyllur pa gola.

Raste patën të dyja ekipet, por gola nuk u shënuan falë edhe intervenimeve të mira të portierëve të të dyja skuadrave.

Kjo ndeshje po luhet në terrenin me bar sintetik në Gjilan.

14:17

Feronikeli 74 kalon në epërsi ndaj Dukagjinit

Feronikeli 74 ka kaluar në epërsi ndaj Dukagjinit.

Golin për 1:0 në portën e portierit Kenan Haxhihamza, e realizoi Florent Avdyli.

Avdyli në minutën e 34-t shënoi me gjuajtje të saktë nga zona, pasi u asistua nga sulmuesi Alban Shillova.