1 perditesime
14:57

Drita fiton derbin gjilanas

Drita e ka fituar derbin e qytetit ndaj Gjilanit. Të dielën në fushën me bari sintetik në Gjilan, Drita fitoi me rezultatin 1:0. Ndeshja e xhiros së 17-të u vendos në minutën e 67-të. Pas një asistimi mjeshtëror të Muharrem Jasharit nga krahu i djathtë, edhe më bukur topin në rrjetë e dërgoi sulmuesi Blerim Krasniqi.

Golin e pestë të edicionit, Krasniqi e shënoi me goditje me thembër. Merita për fitoren e Dritës ka edhe portieri Florjan Smakiqi. Në minutën e 93-të, ai fillimisht ndali topin e goditur me kokë nga Kushtrim Shabani.

Pas topit të kthyer goditi Shend Kelmendi, por Smakiqi sërish shpëtoi portën e Dritës. Me fitore Drita është kthyer në pozitën e dytë. I ka 31 pikë, sa edhe Llapi në vendin e tretë. Udhëheq Ballkani me 38 pikë nga 15 ndeshje. Drita i ka 16 ndeshje të luajtura. Gjilani është i teti me 17 pikë nga 16 ndeshje të luajtura.

 

14:30

Drita në epërsi ndaj Gjilanit

Drita ka kaluar në epërsi 1:0 në derbin ndaj Gjilanit, në ndeshjen e xhiros së 17-të të elitës së futbollit të Kosovës.

Blerim Krasniqi realizoi për 1:0 në minutën e 67-të të ndeshjes.

Për të ishte goli i pestë i edicionit aktual, ndërsa asistimin e pestë të sezonit e regjistroi Muharrem Jashari që harkoi nga e djathta.