Tech

Analistët: Apple me siguri do të krijojë modemet e veta 5G për iPhone

Analistët: Apple me siguri do të krijojë modemet e veta 5G për iPhone

Gjatë MWC-së e patëm mundësinë të shohim paralajmërime për telefona të ndryshëm Android të cilët do ta mbështesin 5G, ndërsa qëndrimi i Apple ndaj standardit 5G është ende i paqartë. Raportet e mëhershme sugjeronin se Apple do të mund t’i lansojë modelet e veta iPhone 5G në vitin 2020. Megjithatë, raporti i fundit i Bloombergut i përmend gjetjet e analistit Matthews Ramsay, i cili pretendon se Apple është aktualisht në një pozitë të vështirë, raporton Ubergizmo.

Ramsay pohon se Apple aktualisht i ka katër opsione kur është fjala për 5G, ndërsa opsioni më i logjikshëm dhe i kuptueshëm në mesin e tyre do të ishte që kompania t’i krijojë modemet e veta në vend që të mbështetet në furnizues. Kjo nuk do të ishte hera e parë që kemi dëgjuar thashetheme të tilla, por sipas Ramsay, kjo do të mund të rezultojë të jetë taktikë shumë e kushtueshme e cila do të mund të bëjë që Apple të mos e lansojë telefonin 5G para vitit 2020, shkruan KOHA Ditore.