Semafori "i mençur" në Vjenë detekton nëse këmbësori ka ndërmend ta kalojë rrugën

Semafori "i mençur" në Vjenë detekton nëse këmbësori ka ndërmend ta kalojë rrugën

06 October 2019 10:54

Në Vjenë pas një faze testuese dyvjeçare është lansuar në trafik semafori i parë i mençur. Semafori ndodhet në udhëkryqin përpara një shkolle fillore dhe automatikisht kalon në të gjelbër kur në afërsi shfaqen këmbësorët të cilët duan ta kalojnë rrugën.

Kamera e vogël e cila e detekton lëvizjen e këmbësorëve është vendosur në katër metra lartësi, ndërsa sistemi me ndihmën e softuerit special identifikon nëse këmbësorët duan ta kalojnë udhëkryqin apo jo, shkruan KOHA Ditore. Kjo zgjat mesatarisht dy sekonda. Teknologjia e vendosur do të përdoret vetëm për ta identifikuar sjelljen e lëvizjes së këmbësorëve dhe nuk do të përdoret për qëllimin e monitorimit të personave. Të gjitha të dhënat e regjistruara procesohen në vendin e ngjarjes dhe pastaj fshihen përgjithmonë.

Përveç përmirësimit të qarkullimit të trafikut për këmbësorët, me sistemin e ri gjithashtu në të ardhmen synohet të rrjetëzohen të gjithë semaforët në qytet. Qëllimi është që ata të bëhen "më të mençur" dhe më fleksibil. Semaforët mund të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe kështu ta rregullojnë më mirë trafikun dhe t’i zvogëlojnë ngarkesat në trafik, siç janë ato gjatë aksidenteve të trafikut. Informacionet e mbledhura për trafikun do të dërgoheshin edhe në telefonat e mençur dhe sistemet e navigimit në automobila.

Semaforët në Vjenë gjithashtu do të duhej të pajisen me sensorë për mjedisin dhe motin. Instituti qendror i meteorologjisë dhe gjeodinamikës (ZAMG - Zentralanstalt für Meteorologie und Geodynamik) planifikon t’i vendosë rreth 10,000 sensorë në të gjithë qytetin të cilët do të kontribuojnë në monitorimin e temperaturës, cilësinë dhe lagështinë e ajrit, emetimet e materieve të dëmshme, zhurmës dhe parametrave të tjerë. Të dhënat e ZAMG do të jenë menjëherë të disponueshme dhe do të ndihmojnë për ta përmirësuar më tej cilësinë e jetës në Vjenë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme