Zbulohet një lëshim i madh në sistemin operativ Windows 10

Zbulohet një lëshim i madh në sistemin operativ Windows 10

17 January 2020 10:10

Agjensia Amerikane për siguri kombëtare (NSA) e ka zbuluar një lëshim të madh në sistemin operativ Windows 10, të cilin hakerët mund ta shfrytëzojnë për të krijuar softuer malinj i cili nuk detektohet si i tillë.

Microsofti e ka publikuar një arnim duke thënë se nuk ka asnjë provë se hakerët e kanë përdorur në ndonjë mënyrë këtë vrimë në sistem, përcjell BBC.

Problemi u zbulua gjatë një konference për media nga NSA-ja, dhe nuk dihet se sa kohë NSA-ja ka ditur për lëshimin softuerik përpara se t’ia zbulonte Microsoftit.

Brian Krebs, eksperti i sigurisë i cili e raportoi për herë të parë zbulimin, zbuloi se gjiganti softuerik fillimisht ua dërgoi arnimin degëve të ushtrisë amerikane dhe përdoruesve të tjerë të nivelit të lartë, gjë që flet mjaft për atë se sa është i frikshëm ky lëshim, shkruan KOHA Ditore.

Problemi u zbulua në komponentin bazë të Windowsit të njohur si "crypt32.dll", një program ky që ua mundëson programerëve të përdorin karakteristika të ndryshme, siç janë certifikatat digjitale. Në teori, ky program mund të mundësojë që hakeri të "kontrabandojë" softuer malinj si plotësisht të ligjshëm.

"Problemi është i madh sepse ndikon në softuerin themelor kriptografik të përdorur nga sistemet operative të Microsoftit. Edhe pse nuk ka asnjë dëshmi që hakerët e kanë përdorur këtë lëshim, ai është një kërcënim i madh sepse i lë përdoruesit të hapur për një seri sulmesh. Nuk ka arsye për panik, thjesht instalojeni arnimin sa më parë", thotë prof. Alan Woodward, ekspert i sigurisë në universitetin Surrey.

"Arsyeja për shqetësim qëndron në faktin se posa të përhapet lajmi dhe detajet për këtë lëshim, shumë njerëz do të përpiqen ta përdorin atë dhe t’i sulmojnë të gjithë kompjuterët që nuk kanë arnim," shtoi ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme