Tech

“WhatsApp”, me mundësinë e shlyerjes së mesazheve pas shtatë ditësh

 

Drejtuesit e aplikacionit të komunikimeve “WhatsApp” kanë paralajmëruar se do të paraqesin së shpejti mundësinë e “zhdukjes së mesazheve”, me anë të së cilës do të fshihen bisedat nga telefoni i dërguesit dhe i marrësit, pas një periudhe kohore prej shtatë ditësh.

Ky opsion i ri në aplikacion, i cili është në pronësinë e Facebook-ut dhe që ka më shumë se dy miliardë përdorues nëpër gjithë botën, sipas drejtuesve, do të ndikojë që mesazhet të mbahen private. Por drejtuesit kanë bërë të ditur se pranuesit e mesazheve megjithëkëtë do të mund t’i fotografojnë ekranet e përmbajtjes dhe t’i dërgojnë tek ndonjë përdorues tjetër, fotografitë apo videot që duan t’i ruajnë.