Rusia kërkon nga Google të ndalojë përhapjen e kërcënimeve në YouTube
Foto ilustrim
Rusia ka kërkuar të premten që Google Alphabet të ndalojë “përhapjen e kërcënimeve kundër qytetarëve rusë në platformën e saj të ndarjes së videove në YouTube”, një veprim që sipas saj, mund të parashikojë një bllokim të plotë të shërbimit në territorin rus.
Rregullatori Roskomnadzor ka thënë se reklamat në platformë po bënin thirrje që sistemet e komunikimit të rrjeteve hekurudhore të Rusisë dhe Bjellorusisë të pezulloheshin dhe se shpërndarja e tyre ishte dëshmi e pozicionit anti-rus të kompanisë amerikane.
“Veprimet e administratës së YouTubet janë të natyrës terroriste dhe kërcënojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve rusë. Roskomnadzor kundërshton kategorikisht fushata të tilla reklamuese dhe kërkon që Google të ndalojë transmetimin e videove anti-ruse sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë rregullatori, raporton Reuters.
YouTube, i cili ka bllokuar mediat e financuara nga shteti ruse në mbarë botën, është nën presion të madh nga rregullatori rus i komunikimit dhe politikanët.
Mediat ruse të lajmeve, përfshirë RIA dhe Sputnik, cituan një burim të paidentifikuar të thoshte se YouTube mund të bllokohej javën e ardhshme.