2 perditesime
21:26

Gola: Kisha Ortodokse Serbe s’do të ketë më kompetenca shtesë

Ardian Gola, profesor i Sociologjisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Kisha Ortodokse Serbe nuk do të ketë kompetenca shtesë dhe se ajo ishte garantuar në marrëveshjet e mëhershme.

“Kompetenca të tjera nuk do të ketë, ajo që tashmë është garantu në marrëveshjet e mëhershme kuptohet ajo varet edhe prej vullnetit të Serbisë në respektimin e gjitha marrëveshjeve sepse kryeministri Kurti tashmë e ka bërë të qartë që nuk do të ketë zbatim selektiv të marrëveshjeve politike me Serbinë dhe për aq sa ato janë të garantuara me si me thënë marrjen përsipër institucionalisht të këtyre përgjegjësive, normalisht që ato do të ekzekutohen. Përndryshe, bëhet thjesht çështje për formalizim të statusit, por jo dhënie e ndonjë kompetence të re të Kishës edhe arsyen pse i është dhënë status i veçantë ne i dimë historinë politike të shtetndërtimit në Kosovë”, tha Gola.

 

21:20

Gola: Me Projektligjin e ri, mjaftojnë 100 persona për ta regjistruar një bashkësi fetare

Ardian Gola, profesor i Sociologjisë, në emisioninTempus” në KTV, tha se me Projektligjin e ri, nevojiten rreth 100 persona për ta regjistruar një bashkësi fetare.

“Është diku rreth 100 veta që duhet me qenë si një numër minimal për me ushtru kërkesën, shto faktin këtu që pastaj edhe është çdokush që ndihet i një besimi të caktuar fetar edhe nëse nuk ka ndonjë komunitet në të cilën do të mund të ishte pjesëmarrës me besimin e tij, ai është plotësisht i lirë që ta shpërfaqë besimin e tij, por edhe nëse nuk është i regjistruar si bashkësi fetare”, tha Gola.

Po ashtu, i njëjti ka thënë se Kosova është shtet i cili garanton maksimalisht liritë fetare.

“Kosova jo vetëm ligjërisht, por edhe si Kushtetutë, si shtet sekular konstitucional, por edhe në praktikë e ka dëshmu që është shteti i cili garanton maksimalisht liritë fetare”, ka thënë Gola.

Sipas tij, Kosova në “World Justice Project” ka dalë shumë mirë si shtet edhe në garantimin efektiv të lirive fetare dhe lirinë e mendimit.

 

21:07

Gola: Projektligji për liritë fetare garanton sekularitetin e shtetit

Ardian Gola, profesor i Sociologjisë, në emisionin “Tempus” në KTV, të hënën tha se Projektligji për liritë fetare garanton sekularitetin e shtetit.

“Mendoj që konsultimet publike do të vazhdojnë edhe në nivel të legjislativit, për të plotësuar atë që ekzekutivi e ka nisur, qoftë si projekt politik, qoftë si përpjekje institucionale për të rregulluar në spektrin afatgjatë të kohës këtë çështje. Me aq sa kam mujt me pa, për një gjë jam plotësisht i sigurt, nuk di që ka një dispozitë që e minon parimin e sekularitetit sipas kritikës së bërë nga Kisha Ortodokse”, tha Gola.

Ai tha se Projektligji do të has në sfidë për shkak që është me interes vital dhe nevojiten votat e 2/3 të minoriteteve, që do të thotë duhet të votojë edhe komuniteti serb.

“I mbetet kohës me pa si ky komunitet, përkatësisht përfaqësuesit politik në Parlament do të reagojnë. Kjo është “Thembra e Akilit” e vazhdueshme që ka qenë gjatë këtyre viteve. Por, unë thellësisht besoj që ky është një Projektligj që rregullon relativishit mirë çështjen juridike të bashkësive fetare dhe aspak nuk e minon, përkundrazi e ruan dhe garanton parimin e sekularitetit institucional të shtetit të Kosovës”, shtoi Gola.