Zogaj: Jam intervistuar vetëm formalisht nga EULEX-i, me kalimin e kohës po zbehen kujtimet

Zogaj: Jam intervistuar vetëm formalisht nga EULEX-i, me kalimin e kohës po zbehen kujtimet
Bislim Zogaj, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, në emisionin “Tempus” në KTV, të hënën, tha se ishte intervistuar vetëm formalisht nga EULEX-i, ndërsa shtoi se me kalimin e kohës kujtimet po zbehen.
“Personalisht, mua EULEX-i më ka ftuar një herë për një deklaratë, e kam dhënë atë deklaratë dhe aty ka mbetur. Kurrë nuk kam pas kurrfarë përgjigje më. Kam pasur përshtypje formale, sepse fatkeqësisht koha po e bën të veten, disa dëshmitarë po vdesin, disa argumente harrohen, mosha po e bën të veten që personat tash pas 24 vjetëve problem me i njohur. Pastaj, kemi plot dëshmitarë apo të plagosur që së bashku me reliktën e luftës në trupin e tij po shkon në varr, sepse kemi ende të plagosur me pjesë metalike në trupin e tyre, që janë plagosur nga armatimi, e që kishte me qenë argumenti më bindës sepse Serbia shumë herë arsyetohet se NATO i ka vrarë të burgosurit”, tha Zogaj.
Ai tha se është shumë e lehtë të vërtetohet se çfarë armatimi ka qenë ai në turpin e të plagosurve.
“Pra, me kalimin e kohës po zbehen faktet e argumentet edhe pse ende kemi mjaftueshëm, por sa më vonë më vështirë do jetë”, tha Zogaj.
Zogaj: Neglizhencë ekstreme, UNMIK-u dhe EULEX-i kishin mundësi të bënin më shumë
Bislim Zogaj, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ka pasur neglizhencë të madhe në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës dhe se UNMIK-u dhe EULEX-i, kishin mundësi të bënin më shumë.
“Realisht, UNMIK-u, EULEX-i kanë pasur kapacitete dhe mundësi, sepse ata kanë qenë ndërkombëtarë sepse kanë mundur të lëshojnë fletarreste, kanë mundur t’i zënë në Zvicër, Gjermani dhe shtete tjera. Neglizhencë ekstreme është, sepse të gjithë këta që kanë përjetuar masakra për çdo ditë pritet me eksploduar, me shpreh, sepse në të ardhmen kemi mundësi në çdo ditë me pa nga një prej atyre që ka përjetuar masakra i sëmurë që sillet rrugëve, që do të na mbushen spitalet, që do të krijojë probleme në familje. Ajo do të vijë me kalimin e kohës me siguri sepse me kalimin e kohës këto raste do të shpeshtohen”, tha Zogaj.
Ai tha se po t’i përjetonte një popull tjetër ato që i kanë përjetuar shqiptarët, gjysma do të sëmureshin psiqikisht.
I mbijetuari i masakrës së Dubravës: Numri i të vrarëve mund të jetë më i madh se 117
Bislim Zogaj, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, në emisionin “Tempus” në KTV, të hënën, tha se numri i të vrarëve në këtë masakër mund të jetë më i madh se 117. Sipas tij, dihen me emra dhe mbiemra organizatorët e kësaj masakre.
“Pas 24 vjetëve, ende nuk e kemi asnjë iniciativë më konkrete për ta vërtetuar, apo dënimin e atyre që e kanë organizuar, menaxhuar dhe ekzekutuar këtë ngjarje, që definitivisht është prej ngjarjeve më të dhimbshme”, tha Zogaj.
Ai tha se kjo masakër dallon nga të tjerat për dy arsye: kohëzgjatja është pesë ditë dhe ka ndodhur në një institucion që është dashur të kujdeset shteti t’i mbrojë të burgosurit.
“Përkundrazi, këtë masakër e ka organizuar shteti. Kur them e ka organizuar shteti, kemi argumente dhe fakte që Burgu i Dubravës është zbrazur nga të burgosurit kah muaji maj i vitit 1998 dhe pastaj është zbraz për shkaqe sigurie. Të paktën sipas një urdhri të një ministri të Drejtësisë të asaj kohe të ish-Jugosllavisë gjoja se po bëhet transferimi i të burgosurve nëpër burgjet tjera për shkaqe sigurie dhe me po të njëjtën arsye pastaj kthehen nga burgjet e Serbisë dhe të Kosovës, gjoja për shkaqe të sigurisë”, tha Zogaj.
I mbijetuari i masakrës së Dubravës shtoi se përveç ministrit të Drejtësisë, përgjegjës janë edhe drejtori i burgut, gardianët, e të tjerë.
“Pra, këtu kemi me emra dhe mbiemra se kush e ka organizuar këtë masakër”, tha ai, duke shtuar se numri mund të jetë më i madh se 117 të vrarë, sepse kishte të grumbulluar edhe të burgosur e qytetarë të tjerë në burgun e Dubravës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Shala: Qartazi kemi të bëjmë me vepër penale të terrorizmit

Ibishi: Armatimi tregon se sulmi dhe furnizimi vjen nga Serbia

Vrajolli: Dështimi ka ndodhur te KFOR-i

Bytyqi: Ekipi i gazetarëve që qëndroi në Banjskë dëgjoi të shtëna armësh rreth 3 km nga vendi ku u stacionua

Prokurori Abazi: Pelegrinët që u gjetën në Manastirin e Banjskes nuk ishin të përfshirë në rast

Gjyqtari Maxhuni: Gjoba prej 200 eurosh për kanosje ndaj një gazetari ose komunitetit LGBTIQ+, e ultë

Mulliqi: Sulmuesit e gazetarëve ndëshkohen kryesisht me gjobë

Prokurori Zeqaj: Rastet e gazetarëve trajtohet me prioritet, 5 aktakuza deri në gusht të këtij viti

Shabiu: Nxitja e dhunës e urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+ nis në Kuvendit të Kosovës

Të drejtat dhe përgjegjësitë e institucioneve në trajtimin e rasteve të gazetarëve dhe LGBTIQ+?

Miftaraj: MD-ja në përpjekje për ta kapur Këshillin Prokurorial
