1 perditesime
22:00

Kukalaj: Kryerësit e masakrës së Dubravës hyjnë në Kosovë, pasi s’ka asnjë akuzë ndaj tyre

Bedri Kukalaj, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se është i bindur se kryerësit e masakrës së Dubravës hyjnë në Kosovë, pasi që nuk ka asnjë akuzë ndaj tyre.

“Ata për ditë munden me hi në territor të Kosovës … as nuk është i akuzuar askund edhe ai shlirë hyn sillet nëpër Kosovë sot, edhe vjen në qytetin e tij edhe e viziton se s’ka fletarrest, s’ka kurrgjë”, ka thënë Kukulaj.

Sipas tij, më e keqja është se nuk kanë lëshuar fletarreste, që ata të paktën të mos futet në territorin e Kosovës.

Tutje, Kukulaj tha se është i bindur se 80 për qind e atyre mund të hyjnë lirshëm në territorin e Kosovës, për shkak se emrat e tyre nuk janë në dokumente të shtetit, që janë të kërkuar për krim.

Sipas tij, është shkatërrim psikik që nuk janë ngritur aktakuza ndaj tyre edhe pa prezencën e të njëjtëve.

“Kjo është për mu më shkatërruesja që na kanë bërë shkatërrim psikik, që nuk kemi ngrit aktakuza ndaj tyre edhe pa prezencën e tyre”, tha Kukulaj.


Kukalaj: Pas masakrës në Dubravës u dërguam në Beograd, maltretimi ka vazhduar

Kukalaj tha se pas masakrës në Dubravë, ishin dërguar në Beograd dhe ka vazhduar maltretimi.

“Pasi na kanë tërheq prej Dubravës, neve na kanë dërguar për Lipjan edhe mu më kanë dërguar për spital të Prishtinës. Pas spitalit të Prishtinës, na ka operuar një mjek, ka qenë rus. Po, forcat serbe na kanë marrë, na kanë përcjellë në Lipjan kur na kanë tërheq të gjithëve prej Dubrave. Në Lipjan, atë natë kam qëndruar, të nesërmen mu më kanë dërguar për spital për Prishtinë”, ka thënë Kukulaj.

Ai tha se më pas, aty ishin operuar nga një mjek rus, duke shtuar se i njëjti vetëm se kishte bërë masakër mbi trupat e tyre.

“Mu më ka operuar pa më dhanë opium, në kokë më ka operuar. Po fati ka qenë që jam kanë pa vetëdije 50-50 edhe nuk kam mundur, fort me ndie atë dhimbje. Masandej, ne na kanë dërguar për Lipjan prapë edhe atje në Lipjan, mu ndihma mu ka dhanë prej të burgosurve shqiptarë”, ka shtuar Kukulaj.

Tutje, ai tha se forcat paramilitare ushtarake serbe i kishin marrë me vete kur kanë filluar të hyjnë në Kosovë forcat ndërkombëtare.

“Na kanë marrë me vete edhe mu më kanë dërguar në Prozhevac, prej burgut të Prozhevacit e të nesërmen më kanë dërguar në burgun qendror të Beogradit, edhe atje unë 4 herë jam operuar në spital të Beogradit. Në Spital të Beogradit operacionet janë kryer mirë, ama jam kanë dy herë ma zi se kur kam ardhur në burg se atje u kanë maltretimi shume i madh”, tha ai.

Po ashtu, Kukalaj tha se maltretimet kanë qenë jashtë njerëzore, duke shtuar se “atje unë sa herë jam operuar, kur jam ardhur dy here ma zi e kom pas operacionin ma kanë shkatërrua menjëherë prej maltretimeve”.

21:06

I mbijetuari i masakrës së Dubravës: Është shtënë mbi ne me çdo lloj arme

I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Bedri Kukalaj, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se në masakrën e Dubravës ishte shtënë mbi të burgosurit me çdo lloj arme.

“Faktikisht, aty sekondat kanë qenë kur kanë filluar çdo lloj arme e gjuajtjes, çdo lloj arme. Mund të them prej zolle e deri më të voglën, me bume dore, me të gjitha jonë kanë edhe aty ma unë kam përfunduar në sekondat e parë të gjuajtjeve”, ka thënë Kukulaj.

Ai tha se kjo kishte ndodhur me 22 maj, rreth orës 7 të mëngjesit, ku sipas tij iu kishte dhënë urdhri që të rreshtoheshin.

“Kur na u ka dhënë urdhri me u rreshtu te pika e vrojtimit, gjoja që po duan të na numërojnë edhe të na transferojnë prej atij burgu se më këtu nuk ka siguri, e bombardoi NATO-ja edhe ma nuk ka siguri. Edhe i kemi pa gardianët aty ku kanë qenë prej vrojtimit edhe të armatosur me snajperka me krejt, po na s’kishim ku të shkonim përtej aty”, ka shtuar tutje Kukulaj.

Sipas tij, aty kanë qenë rreth 950 të burgosur, si dhe nuk kanë qenë të gjithë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.