Flutura Kusari, këshilltare në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, në emisionin “Tempus”, në KTV të hënën, tha se gazetarët janë pa mbrojtje të shtetit.
Sipas saj, në kohën e fundit nuk kemi pasur situatë më shqetësuese e më serioze se sa kjo sot, e pikërisht tani gazetarët janë pa mbështetjen e shtetit.
“Nuk duhet me prit me u vra gazetarët për me ndërmarrë masa” , deklaroi Kusari.
E njëjta tha se e kupton faktin që në veri Policia duhet të tregojë kujdes fillimisht për banorët që janë të rrezikuar, pastaj vetë policët dhe pjesëtarët e KFOR-it që janë të rrezikuar, por edhe gazetarët duhet të gëzojnë mbrojtje speciale për të cilët duhet të mendohet, e që sipas saj për fat të keq deri më tani nuk është menduar për ta.
Kusari: Krerët e shtetit s’e dënuan dhunën ndaj gazetarëve
Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, në emisionin “Tempus”, në KTV, tha se krerët e shtetit sot nuk e dënuan dhunën ndaj gazetarëve në veri. Ajo tha se duhet të krijohet një strategji për mbrojtjen e gazetarëve.
“Na po kemi dëshirë me u bë anëtare e Këshillit të Evropës, por jo aq shumë t’i zbatojmë ato standarde që pastaj vijnë si obligim. Nëse duam t’i zbatojmë me ato standarde, gjëja e parë që sot është dashtë me ndodhë është me u prononcu kryeministri, presidentja, kryetari i Kuvendit dhe politikanët tjerë, dhe me thanë na vjen keq çka ju ka ndodh mediave në veri, shprehim solidaritetin tonë dhe e dënojmë dhunën”, tha Kusari.
Ajo shtoi se krerët e shtetit janë të obliguar ta bëjnë të qartë që nuk e mbështesin dhunën sepse heshtja është aprovim.
Kusari tha se duhet të merren disa masa për parandalimin e këtyre rasteve, siç është ashpërsimi i dënimeve ndaj kryerësve të sulmeve, mbrojtja ndaj gazetarëve dhe ndjekja penale.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.