Arritja e sigurt në Tokio e paralimpistëve afganë, dërgon “një mesazh të fortë shprese”, ka thënë zëdhënësi i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Craig Spence, raporton BBC.
Zakia Khudadadi dhe Hossain Rasouli kanë arritur në Japoni pasi u larguan nga Kabuli në një “operacion të madh”.
Ata u mirëpritën në fshatin e sportisëve me një festë, ku ishte prezent edhe presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons.
“Siç mund të paramendoni, takimi ishte shumë emocional. Kishte shumë lot për të gjithë në dhomë. Ishte takim i jashtëzakonshëm”, ka thënë Spence.
Kudadadi dhe Rasouli ishin në mesin e mijëra afganëve që nuk ishin në gjendje të largoheshin nga vendi pasi talebanët morën në fuqi. Të dy u evakuuan më në fund.
Flamuri i Afganistanit në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike u mbajt nga një vullnetar.
Khudadadi 23-vjeçare do të jetë gruaja e parë që do ta përfaqësojë Afganistanin në Lojërat Paralimpike. Ajo garon të enjten, ndërsa Rasouli do të garojë të premten.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.