Vështrime

“Eyyy Merkel”, “Eyyy Europa”

“Këqyrëm në sy, pse nuk po më këqyr në sy?”: çka tregon gjuha e Rexhep Taip Erdoanit, e Vladimir Putinit dhe e diplomatëve rusë?

Edhe politikanët janë njerëz, në të shumtën e rasteve. Shajnë e bërtasin. Zemërohen kur gazetarët u bëjnë pyetje kritike. Humbin kontrollin kur mediat zbulojnë ndonjë skandal, në të cilin mund të jenë të përzier. Por politikanët e zgjuar dinë të fshehin nervozizmin së paku në paraqitjet publike. Atëherë sillen si profesionistë, të cilëve sulmet nuk u lënë shenjë. Angela Merkel është kryeshembulli i maturisë. Fjalia më e rëndë që mund t’ia thotë ajo një kundërshtari apo kritiku tingëllon kështu: “Sa i përket kësaj çështjeje ne kemi mendim tjetër”. Merkel nuk flet në veten e parë në këso rastesh, tipar ky politikanësh modestë dhe të pjekur. Natyrisht, këtu luan rol edhe edukimi. Merkel është rritur në një familje ku nxënia e dijes ka qenë prioritet. I ati i saj ishte prift protestant, e ëma mësuese e anglishtes.