Vështrime

Çanta që peshon shumë

Në Enciklopedinë Pedagogjike të Jugosllavisë, botuar në fundin e viteve ‘80, mes tjerash, zinte vend një statistikë e habitshme. “Grafiku” ilustrues për numrin e studentëve ishte dizajnuar në formën e hartës së RSFJ-së. Shpeshtësia e pikave tregonte përfaqësimin e të rinjve në nivelin universitar në raport me numrin e popullsisë. Në mesin e gjashtë republikave dhe dy krahinave, harta e Kosovës kishte shpeshtësinë më të madhe. Numri i studentëve të Universitetit të Prishtinës, që nuk kishte kremtuar ende 20 vjetorin e themelimit, vlerësohej rekord. Ndryshe prej popujve të tjerë të Federatës, shqiptarët prinin edhe me dëshirën për të studiuar në universitetet e tjera, si në të Zagrebit, Beogradit, Lubjanës, Sarajevës, Shkupit...

Studimet e asaj kohe nuk ishin vazhdimësi e thjeshtë e transferimit të të gjithë maturantëve, siç ndodh sot, nga shkolla e mesme në fakultet. Studimet ishin të rezervuara kryesisht për nxënës të dalluar, që kishin prirje për të avancuar dijen profesionale e shkencore. Madje, një përqindje e konsiderueshme e nxënësve me sukses shembullor nuk ia dilnin t’i përfundonin studimet themelore. Shumë prej tyre dorëzoheshin që në vitin e parë dhe i ktheheshin realitetit, ashtu siç kishin bërë të tjerët “me dysha e tresha”, që këtë të vërtetë të “hidhur” e kishin kuptuar qysh gjatë shkollimit parauniversitar.