Nga prizmi i kosovarëve, të cilët si të gjithë popujt e vegjël kapen pas shpresës si për një fije bari, gjithçka është në rregull: sekretari amerikan i Mbrojtjes ka thënë se Kosova mund të themelojë ushtrinë e vet, sekretari i Shtetit uroi kosovarët me rastin e 9-vjetorit të Pavarësisë. Ndër sukseset kryesore numëroi medaljen e artë të Majlinda Kelmendit. Vërtet kjo medalje është e rëndësishme për t’ua krijuar ndjenjën njerëzve se shumë ëndrra janë të mundshme - madje edhe në Kosovë.
Por a nuk do të ishte edhe më mirë nëse në urimin amerikan të përmendej edhe hapja e vendeve të punës në Kosovë si rrjedhojë e veprimeve të mençura të Qeverisë së Kosovës? Fundja, medaljet - sado të mirëseardhura - prapëseprapë s’hahen. Meqë amerikanët nuk mund të shpikin suksese në Kosovë, mbetet medalja si e arritur e madhe.
Nga prizmi i botës perëndimore në Washington po mbretëron një situatë tejet kaotike, e paqartë, madje e frikshme me një president që duket se nuk e ka nën kontroll ekipin e tij, që botën tejet komplekse e shpjegon me 140 shkronja në Twitter, që brenda një kohe të shkurtër godet aleatët dhe për shefin e Kremlinit gjen vetëm fjalët më të mira. “Së bashku do të përcaktojmë kursin e Amerikës dhe të botës për shumë-shumë vjet. Do të ketë sfida dhe situata të vështira, por ne do t’ia dalim”, tha Trump një muaj më parë në shkallët e Kapitolit, kur u inaugurua në postin e presidentit. Nëse bëhet bilanci i katër javëve të para të Trumpit në pushtet, atëherë mund të thuhet se presidenti nuk po arrin të përcaktojë kursin e ekipit të vet - e lëre më të Amerikës.
Skandali më i madh është, pa dyshim, kontakti i ngushtë i Michael Flynnit me ambasadorin rus në Washington. Flynn, një gjeneral me tre yje, i shquar për deklarata islamofobe, i njohur si mysafir i televizionit propagandistik rus “Russia Today” dhe mbështetës i Vladimir Putinit, kishte zhvilluar disa telefonata me kryediplomatin e Moskës në Washington, ku mes tjerash ishte diskutuar edhe për heqjen e sanksioneve amerikane kundër Rusisë. Kur Flynn i zhvilloi këto biseda, ishte vetëm qytetar privat. Më vonë ai nga presidenti Trump u emërua këshilltar për Siguri Nacionale, një ndër postet më të rëndësishme në administratë.
Me javë të tëra Flynn gënjeu eprorët e tij, duke thënë se nuk kishte folur me rusët për çështjen e sanksioneve. Ai e dinte se si person privat nuk mund të negocionte me shtete të tjera. Apo ishte aq naiv? Kjo duket e pabesueshme, kur dihet se Flynn ka qenë shef i shërbimit sekret ushtarak derisa u shkarkua nga Barack Obama, për shkak të mospajtimeve me presidentin nga radhët e demokratëve. Flynn kishte thënë se nuk i duhej një vend pune (“Nëse e di një gjë për veten time, atëherë këtë: unë mund të jem i lumtur edhe si pjatalarës”). Për të Obama ishte një gënjeshtar, nën qeverisjen e të cilit ishte “masakruar Amerika”. Në fjalimin e tij inaugurues edhe Trump përdori këto fjalë.
Flynn qëndroi në postin e këshilltarit për Siguri Nacionale tri javë e tri ditë dhe rreth 11 orë - një rekord. Laku në fytin e tij ishte shtrënguar gjithnjë e më shumë pas presionit të mediave amerikane, të cilat me gjithë fyerjet nga ana e Trumpit po e kryejnë punën e tyre. Ishin mediat që zbuluan se Trump ishte i informuar mbi kontaktet e Flynnit me rusët, por kishte heshtur, duke shpresuar se kjo aferë do të harrohej disi. Por kjo aferë nuk do të mbyllet aq lehtë, sepse një artikull i “New York Times” tregoi se bashkëpunëtorë të Trumpit kanë mbajtur kontakte me zyrtarë të shërbimit sekret rus gjatë fushatës elektorale.
Dorëheqja e Flynnit nuk është goditja e vetme që mori Trump. Pasi u bë zot shtëpie në Shtëpinë e Bardhë ai vendosi me dekret të ndalojë hyrjen në SHBA të qytetarëve të shtatë shteteve të ashtuquajtura myslimane. Kundër dekretit u ngritën në protesta mijëra qytetarë, pastaj çështja kaloi në duar të drejtësisë. Rezultati dihet: Trump pësoi një disfatë nga gjykatësit, të cilët ia treguan atij kufijtë e pushtetit. Mbi ligjin nuk qëndron as presidenti amerikan.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.