Si bëhet politikë në Kosovë? Me kurthe, mosbesim, intriga dhe mizori që i ngjajnë pothuaj fiksionit. Një sprovë
Pas një dite të gjatë, plot tensione, pas fjalimeve të ashpra të opozitës, protestave të zëshme dhe të pazëshme të qytetarëve, pas raportimeve dramatike të mediave, pas një dite kur diplomatët perëndimorë herë nguteshin të shkruanin mesazhe për shefat e tyre, herë vraponin të pinin një kafe dhe pastaj ktheheshin pa frymë në tribunën e nderit në mënyrë që të mos humbnin zhvillimet në Kuvend, pas një dite kur shpirtrat e ligsht trazoheshin dhe fitimtarë mund të ishin vetëm cinikët me nerva të çelikta, Reptili i Gjatë arriti në cak. Në cakun tjetër të karrierës së tij të pasur me intriga. Para se të votohej Reptili i Madh i kishte thënë Profesorit të Vogël: «Prof., a më garanton se i ke votat?» Profesori i Vogël ishte zbehur për një çast. Me fytyrë të zverdhur, por i vendosur tha: «Po!»
Pak sekonda pasi Zabit Zëholli dha lajmin e zgjedhjes së Reptilit të Madh, disa përfaqësues të popullit u çuan në këmbë për të duartrokitur për inat të kundërshtarëve. Të tjerët, anëtarët e partisë së Profesorit të Vogël, u menduan pak, por pasi ia kishin dhënë votat dhe shitur shpirtin Reptilit të Madh, s’kishte kuptim të rrinin ulur. U ngritën në këmbë dhe me duar të djersitura e gjunjë që u dridheshin bënë sikur po duartrokasin, ndërkohë që Deputete Turtullesha mori një buqetë me lule nga Reptili i Madh. Një buqetë që, në të vërtetë, ishte kurorë me një shirit të zi pa mesazh. Kush kishte sy atë ditë mesazhin e kuptonte.
Profesori i Vogël besonte se tani kishte shkelur zenitin e karrierës politike. Do të bëhej shef i kabinetit. Do të qeveriste, administronte, sundonte, shkruante, lexonte e nënvizonte në rehati në katër vjetët e ardhshëm, duke shpresuar se çfarë kishte premtuar në fushatën zgjedhore nuk do t’ia përkujtonte askush. Nëse ndokush do të merrte guximin ta bënte këtë, do të pësonte një shpullë virtuale përmes Facebookut. Këtu i ngjante Reptilit të Madh. Të dy në fushatën elektorale premtuan me zë të lartë çfarë dëshironte të dëgjonte populli: vizat do të hiqen, vende pune do të ketë me bollëk, prona do të mbrohet, korrupsioni do të luftohet, ligjet do të respektohen, rendi do të vendosej në veri e në jug, në lindje e perëndim. Me gjakftohtësi të paparë zunë vend në kolltukët e pushtetit – Reptili i Madh dhe Profesori i Vogël.
Tre vjet zgjati kjo agoni. Tre vjet kur Reptili i Madh dhe Zabit Zëholli shkëlqyen edhe njëherë aty ku janë më të shkathtë, aty ku nuk ua kalon askush: në ngritjen e kurtheve, në prodhimin e mjegullës, në kultivimin e intrigave me pasion monumental, me gjakftohtësi, kalkulim, manipulim, inskenim, sabotim, lajme të rrejshme. Të dy e kanë përsosur zanatin, por edhe i kanë sofistikuar metodat: s’ka më vrasje pas shpine, as atentate, as prita, as pusi, as kërcënime. Pasi kanë depërtuar në botën e kostumeve, kravatave dhe kaviarit janë bërë «tolerantë», pushteti është bërë vegjetarian, siç thotë poetja ruse Ana Ahmatova në një kontekst tjetër.
Tani agonisë po i afrohet fundi. Reptili i Madh dhe Zabit Zëholli s’kanë më nevojë për Profesorin e Vogël. Vetë Profesori i Vogël dhe besnikët e tij të fundit po sillen si adoleshentët që për herë të parë përdorin mariuanën: demonstrojnë nervozizëm për t’u dukur trima, pastaj qeshin prej zori, i japin kurajë vetes, ngushëllojnë njëri-tjetrin me thirrjen lapidare «mos u dorëzoni burra» dhe ulin kokën të dëshpëruar me shpresën se e tëra është vetëm një ëndërr e keqe. Një ëndërr që s’shihet as në gjumë të thellë, as me sy hapur. Tani, në çastin e fundit, «pacifistët e përbetuar» rrokin flamurin dhe kërcënohen e përbetohen se do të hidhen në betejë, sepse, siç thuhet te romani i Stefan Zweigut mbi Joseph Fouché-në «krimet e tiranit janë bërë të dukshme dhe i kanë mbushur zemrat me maraz. Nëse koka e tij nuk përfundon nën shpatë, atëherë të gjithë grabitqarët dhe vrasësit do të shpëtojnë me kokën lart, dhe kaosi më i tmerrshëm do të na kanosej». Por fjalët metalike s’po bëjnë punë më.
Reptili i Madh dhe Zabit Zëholli po përgatisin intrigën e radhës. Shkëndijat e kësaj intrige, të cilat po shfaqen në horizont si zjarrmure, e kanë rrethuar Profesorin e Vogël. Këto shkëndija nuk po e ngrohin, por po e paralajmërojnë se qorrsokaku politik në të cilin hyri para tre vjetësh përfundon në ferr politik.
Po pastaj? Pastaj na pret parajsa. Reptili i Madh dhe Zabit Zëholli edhe formalisht do të jenë eprorë të ushtrisë dhe milicisë, të shërbimit sekret, të fabrikave të rrenave, të prokurorisë, këshillit gjyqësor dhe këshillit për kontabilitet, autoritetit të veterinarisë dhe pylltarisë, bankave dhe barnatoreve, korporatave, gurthyesve, vreshtave, postës, telekomit, pistave të skijimit, arave me patate, kullotave, fermave, spitaleve të zemrave dhe të veshkave, klinikave të syve dhe të veshëve, të ajrit dhe ujit, lumenjve dhe liqeneve, urave dhe përrenjve.
Do të sundohet me dekret dhe pa dekret, me ferman dhe me firmë, me shpatë dhe me shat. Do të jetë një epokë e paharruar. Lum ata që e përjetojnë. Lum ata që kanë fatin të jenë dëshmitarë të fillimit të ri. Të filmit të ri me aktorë të vjetër. Kur të marrë fund ky film, kjo dramë, ky festival intrigash, njerëzit do të ankohen, do të kërkojnë që banketi të vazhdojë. Sepse gjithçka qe bukur. Sepse gjithçka iku si një përpëlitje qerpikësh.
PS. Çdo ngjashmëri e figurave të këtij rrëfimi me persona realë është e rastësishme dhe qëllimisht e dëshirueshme.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.