Kambanat bien për ata që kanë veshë

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 12 August 2019 08:16

Por kjo “qetësia” ime nuk do të zgjaste shumë. Ajo u trand në momentin kur hyra të lexoja në portale komentet e njerëzve për artikullin në lidhje me vrasjen në Prizren, dhe nëse ato komente janë pasqyrim i gjendjes shpirtërore të shoqërisë sonë, më vjen keq t'jua kumtoj lajmin se ajo qenka shumë më alarmante sesa që e kisha projektuar në mendjen time. “Kambanat bien për ata që kanë veshë”, ndërsa ata të cilët disponojnë me ta janë pranë një shurdhimi akut

Në fizikë shpejtësia më e madhe të cilën e njeh shkenca është ajo e dritës, mirëpo unë jam i mendimit se e vetmja shpejtësi në natyrë, e cila e tejkalon atë është shpejtësia se sa shpejt ecën java e ditarit tim.

Pra, miq të nderuar, ja ku takohemi sërish unë, ditari im dhe ju.

Kabllogramet diplomatike kanë qenë më të qeta sesa që janë ato zakonisht, apo thënë më saktësisht kanë qenë përsëritje e atyre të javës së kaluar. Kjo ka të bëjë me periudhën më të qetë verore dhe faktin se plot nga protagonistët e kabllogrameve, të cilat tashmë jemi mësuar t’i lexojmë rregullisht, gjenden në pushimet e tyre vjetore.

Por ata të cilët ndër ne nuk kanë as pushime verore, apo për të qenë ironia edhe më e hidhur e kryejnë aktin e tyre në kohën e pushimit të tyre, janë vrasësit. Shoqëria jonë është dëshmitare e një vrasjeje të rëndë e cila e tronditi thellë opinionin publik, me rastin i cili ndodhi në Prizren.

Çifti i cili në Prizren kishte ardhur nga Zvicra për t’i kaluar pushimet në vendlindje ishte i implikuar në këtë rast të rëndë. Edhe një rast makabër i vrasjes së gruas nga ana e burrit të saj për motive të ulëta. Kjo vrasje makabre tronditi bazamentin e shoqërisë sonë, të cilën jemi duke e ndërtuar tash e dy dekada pas luftës.

E di se ndonjë cinik dhe i pagdhendur (që ndër ne fatkeqësisht kemi shumë) do të thoshte se “vrasjet e tilla ndodhin kudo në botë dhe Kosova nuk veçohet nga ato”, por ja ku jua them unë se Kosova veçohet që ç’ke me të!

Për kokë banori (për capita) numri i këtyre vrasjeve, të cilat burrat kosovarë/shqiptarë i bëjnë ndaj grave të tyre, është alarmant. Ajo gjë e cila nuk është e vërtetuar është se ky numër a është në rritje prej viteve të paraluftës apo thjesht është shpejtësia me të cilin sot lajmi e merr dhenë, tashmë me zhvillimin aq të hovshëm të teknologjisë. Edhe sikur rezultati i një hulumtimi të tillë të dilte se nuk ka një rritje të tillë, ajo nuk do të thotë se shoqëria jonë nuk ka probleme fondamentale në ndërtimin e bazës së saj, familjes e veçanërisht respektimin e gruas. Kjo problematikë, si popull na përcjell edhe në vendet ku ne jetojmë në Perëndim. Edhe në ato vende, raste të shumta janë shënuar ku burri shqiptar e vret gruan e vet për motive të ulëta.

Për të thënë se kemi qenë një shoqëri patriarkale dhe tani jemi në periudhë transicioni, thjesht nuk mjafton dhe nuk qëndron. Edhe shoqëritë e tjera kanë qenë patriarkale dhe kalojnë në të njëjtin transicion, mirëpo ky jorespekt ndaj gjinisë më të bukur nuk e besoj që e arrin këtë nivel, prapë e them për capita. Shumë psikologë dhe studiues tanë socialë do të duheshin që t’i përvilnin mëngët e tyre dhe të bënin një studim të thellë rreth arsyeve, të cilat gruan e zhvlerësojnë aq lehtë në shoqërinë tonë. Për këtë studim do të duhej platformë shtetërore se si t’i qasemi kësaj problematike, dhe cilat do të ishin zgjidhjet e duhura afatshkurtra dhe ato afatgjate, ndërsa hallkat të cilat kanë pëlcitur në zinxhirin e shoqërisë sonë, tashmë janë plot. Disa nga to janë të ndërlidhura njëra me tjetrën, disa të tjera thjesht “nuk jemi në dijeni” se nuk janë duke funksionuar, dhe janë ai elefanti në dhomë të cilin shoqëria jonë nuk dëshiron që ta shohë.

Mosfunksionimi i ligjit, sistemi i zhvlerësuar arsimor, siguria e brishtë, asnjë kriter në bazë të të cilit televizionet tona u servojnë seriale të kota turke apo çfarëdo qoftë tjetër pa kurrfarë vlere edukative, pastaj videolojërat me përmbajtje ekstreme të dhunës, e cila sot është pjesë e secilës fëmijëri të një adoleshenti kosovar e të mos hyjmë në industrinë e “muzikës” me tekstet e tyre vulgare, si dhe videoklipet pa asnjë shije dhe mesazh edukativ, prejudikimi i normave morale të shoqërisë dhe familjes sipas tekeve të imamëve dhe priftërinjve dhe interpretimit të tyre në emër të fesë janë vetëm disa nga elementet ekstreme, të cilat secila në mënyrën e vet kanë kontribuar që shoqërinë tonë ta sjellin në këtë gjendje. Ndërsa kur jemi tek elefanti në dhomë, të cilin asnjëri nga ne nuk po dëshiron që ta shohë, e vërteta e hidhur është se nuk është më vetëm elefanti, por tashmë në dhomë na është zhdjergur mbarë kopshti zoologjik, por ne nuk po dëshirojmë që ta shohim atë.

Shoqëria jonë nuk do të rregullohet me statuse Facebooku. Këtu e fus edhe veten në këtë kategori dhe nuk e përjashtoj as veten nga kjo dukuri.

Në fakt, unë kësaj radhe as nuk shkrova ndonjë fjalë në lidhje me këtë ngjarje, e cila ndodhi në Prizren. Jo pse nuk isha i trishtuar me ngjarjen, por arsyeja pse nuk e bëra një gjë të tillë kishte të bënte me faktin se për tri ditë do të shkruhet dhe thuhet shumë në Facebook, por e tëra mbetet aty, asnjë lëvizje përpara si shoqëri. Unë kësaj radhe i dhashë vetes kohë që të mos shkruaj statuse vetëm nga hidhërimi momental, por u mundova që informatën ta procesoja në qetësinë më të madhe të mundshme përkundër një akti aq të ligë e makabër. Por kjo “qetësia” ime nuk do të zgjaste shumë, ajo u trand në momentin kur hyra nëpër komentet e njerëzve në artikullin në lidhje me këtë rastin e vrasjes, të shpërndarë nga portalet e shumta të lajmeve, dhe nëse ato komente janë pasqyrim i gjendjes shpirtërore të shoqërisë sonë, më vjen keq t'jua kumtoj lajmin se ajo qenka shumë më alarmante sesa që e kisha projektuar në mendjen time. “Kambanat bien për ata të cilët kanë veshë”, ndërsa ata të cilët disponojnë me ta janë pranë një shurdhimi akut. Nesër është veçse vonë, që nga sot secili nga ne duhet të punojë me fëmijët tanë, kohë shtesë për të biseduar me ta, ekstra mund të japim dhe t'ua sqarojmë faktin se burrat edhe gratë janë qenie të barabarta, dhe si të tilla bashkëveprojnë njëra me tjetrën, si të tilla krijojnë familje dhe shoqëri të avancuara. Një shoqëri me gruan e shtypur në të është e destinuar që të dështojë, dhe dështimet fillojnë nga shtylla e parë e secilës shoqëri, e cila është familja, e më tutje me shembjen e saj si institucion, do të pasojë shembja e secilës shtyllë tjetër, si kegllat në tavolinën e bilardos.

Hapini dyert e shtëpive tuaja secili prej jush, filloni që të ballafaqoheni me “kopshtin zoologjik” brenda shtëpive tuaja, moralizmat e rrejshëm nuk do të mundë ta ushqejnë as egon e juaj të sëmurë, as sedrën e lënduar. Kuptojeni një herë dhe përgjithmonë se kompasi i moralit të një njeriu, pavarësisht gjinisë së tij, nuk qëndron midis këmbëve të tij në organet gjenitale, por në kokën e tij/saj. Ndërsa koka kërkon ushqim të shëndoshë, informata të shëndosha, edukatë, shkollim, lexim, këto janë ato të cilat e ushqejnë një kokë dhe e bëjnë atë të logjikojë me një mënyrë të shëndoshë, dhe s'do të lejojë që koka e vogël ta dirigjojë kokën e madhe.

Ta pranojmë të gjithë që palca kurrizore e shoqërisë sonë është komprometuar dhe sa më parë ta shikojmë realitetin në sy, dhe të ballafaqohemi me të gjasat mund të jenë që gjërat të përmirësohen në një afat më të gjatë, për të mirën e fëmijëve tanë dhe brezave të cilët do të vijnë. Por, siç e thashë më herët, zinxhirit organizativ të shoqërisë sonë i janë këputur shumë hallka, dhe aty ka shumë punë për t’u bërë, ndërsa koha për të vepruar është tani!

P. S. Ramush, qysh bre burrë ishe konë aq qiragji i keq e s’ia kishe pagu qiranë me rregull Kadrushit, si kryeministër kur ishe. Qe tash, ai është idhnu, edhe postin e kryeministrit ma nuk don me e lëshu me qira. Qaq fort e ke idhnu, që ndoshta Kadrushi e shet atë post krejt me koncesion për ndonjë kryeministër me reklamacion (feler)...

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani