Kur të rriturit shpërfillin të vegjlit

Brikenda Rexhepi Brikenda Rexhepi 25 August 2019 08:00

Për më shumë se 20 vjet institucionet arsimore nuk ia kanë dalë ta përpilojnë një planprogram për edukimin e gjeneratave më të reja para se ato t’ia nisin shkollës. Kosova mbetet vendi i fundit në Evropë për përfshirje të fëmijëve në nivelin parashkollor (çerdhe e kopshte) ku bëjnë pjesë moshat 0-3 vjeç dhe 3-6 vjeç

Në vend se të shtohet numri i çerdheve, po zvogëlohet numri i fëmijëve. Viti i pasçlirimit, 2000-ta, solli rreth 40 mijë bebe. Shifrat më të reja, ato të 2018-s, flasin për pak mbi 20 mijë lindje në Kosovë. Viti i pasçlirimit pati sjellë edhe shpresën se Kosova do të bëhej vendi i njerëzve që ia dinë vlerën lirisë. Vitet që pasuan qenë të një shteti të kafshuar nga të pangishmit.

Për më shumë se 20 vjet institucionet arsimore nuk ia kanë dalë ta përpilojnë një planprogram për edukimin e gjeneratave më të reja para se ato t’ia nisin shkollës. Kosova mbetet vendi i fundit në Evropë për përfshirje të fëmijëve në nivelin parashkollor (çerdhe e kopshte) ku bëjnë pjesë moshat 0-3 vjeç dhe 3-6 vjeç. Para dy vjetësh Kosova u rangua e parafundit në botë për cilësinë e arsimit, bazuar në testin PISA, të cilit iu nënshtruan nxënësit e sistemit arsimor të pasluftës.

Sot kur interesohesh për nivelin më bazik, atë të çerdheve e kopshteve, Ministria e Arsimit nuk e tregon as vullnetin më të vogël për të shpjeguar se çka ofron për kalamajtë.

Nuk tregon se pse nuk e ka shtuar numrin e institucioneve parashkollore publike, kur e di që ka jashtëzakonisht shumë kërkesa për regjistrim të fëmijëve. Nuk e jep këtë sqarim, përderisa Malisheva ka veç një çerdhe publike. E votat e mbijetesës së Nismës për Kosovën, partisë që ia ka ngulur dhëmbët arsimit, vijnë pikërisht nga kjo komunë. Çerdhja e Malishevës ka kapacitet për 80 fëmijë, e votat nga ky bastion që i pret Nisma shkojnë në mijëra. Nuk ka treguar pse nuk shpronësuan tokë për ndërtimin e një çerdheje të re, edhe pse fitimi do të dilte i vogël për ata që do ta blinin atë paraprakisht. Nuk ka shumë fitim prej çerdheve. Në përgjithësi në Kosovë janë dhjetë komuna që nuk kanë fare çerdhe e kopshte publike, përderisa në të gjitha komunat e tjera numri është tejet i kufizuar dhe prindërit detyrohen t’i çojnë fëmijët në subjekte private, të cilat në masë të madhe janë të palicencuara.

MASHT-i nuk ka vullnet të tregojë as pse nuk ka krijuar trupa për licencim, përderisa Ministria është vërshuar nga militantët e partisë së Malishevës, që e kanë zënë çdo qosh të objektit masiv. Është ironike kur lexon raporte OJQ-sh që flasin për mungesë kapacitetesh njerëzore që t’i kryejnë punët si licencimi, dhe në të njëjtën kohë lexon artikuj gazetash për punësime masive partiake qysh prej ditës së parë.

Në mungesë të procesit të licencimit, çerdhe e kopshte hap kujt t’i teket. Kërkesat janë të mëdha e mbikëqyrja inekzistente. Sot sheh çerdhe nëpër banesa; shtëpi të vogla, gjysmë-shtëpi, derisa gjysma tjetër shërben për ndonjë ordinancë apo kafene, objekte pa oborr, pa ndriçim, pa izolim... sheh edhe çerdhe në objekte të bukura, ndonëse jo të ndërtuara enkas për atë destinim. Sheh edhe çmime marramendësi për oferta e programe po ashtu të palicencuara e që njohësit e arsimit i shohin me dyshim. Çdokush mund të shesë çka të dojë, mund ta paketojë si të dojë, t’ia vërë çmim sa të dojë, derisa askush nuk cakton standarde e as nuk kërkon përgjegjësi.

Bëhet fjalë për fëmijën tënd, për fëmijën tim;

Bëhet fjalë për atë se çfarë garniture funksionimi do t’i krijohet në mendje mbi të cilën ajo apo ai do ta ndërtojë dijen në pjesën tjetër të jetës;

Bëhet fjalë për nxënësit që viteve të ardhshme do t’i nënshtrohen PISA-s;

Bëhet fjalë për gjeneratat e ardhshme të mësuesve, mjekëve, inxhinierëve.

Derisa Kosova ende nuk e ka atë që quhet Kurrikula Bërthamë për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme 0-5 vjeç, Finlanda, që është shteti model për sistemin e arsimit, rëndësinë më të madhe ia kushton pikërisht kësaj moshe. Jo veç sa u përket planprogrameve, por edhe nivelit të edukatorëve që angazhon dhe numrit të fëmijëve që përfshin. Kosova qëndron në qoshen tjetër të Finlandës për përfshirje. Sipas të dhënave publike të MASHT-it, në institucione parashkollore (çerdhe e kopshte) shkojnë vetëm 8335 fëmijë. Ndërkohë që njëri nga faktet më të rëndësishme që numërohet për sistemin parashkollor të Finlandës është ai se mësuesit për këtë nivel të edukimit përzgjidhen nga 10-përqindëshi i studentëve më të dalluar. Se si shkon përzgjedhja në Kosovë pak a shumë dihet. Se si ia ndihmojnë institucionet përgjegjëse, në këtë rast jo veç Ministria por edhe komunat e inspektoratet, po ashtu dihet. Se si do t’ia bëjnë kalamajtë pritet të shihet.

brikenda@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Brikenda Rexhepi