Sezoni i pafund i rrenave

Flaka Surroi Flaka Surroi 27 August 2019 08:04

Përvoja e gjashtë palë zgjedhjeve nacionale që i kemi mbajtur mbase do të duhej të na mjaftonte për të kuptuar se kurrë asnjëherë nuk zgjodhëm program politik që do të duhej të kishte caqe e afate, masa e përgjegjësi. Zgjodhëm njerëz që na gënjyen për gjithçka, njerëz injorantë që i hëngrën fjalët e tyre; njerëz që na morën në qafë e na dërrmuan.

Kuvendi u mblodh. E bëri një punë të mençme para se të shpërndahej - i siguroi 90 milionë euro ndihmë nga Fondet IPA. Deputetët votuan për shpërbërjen e legjislaturës më të keqe që ka pasur Kosova në këta 20 vjetët e fundit. Në fund duartrokitën - sepse e kryen punën më të madhe në këta dy vjet torture së cilës na kanë nënshtruar. E përfunduan cirkun me një mori "selfiesh" si dëshmi e të qenit pjesë të Kuvendit më të papërgjegjshëm dhe zhvatës që kemi pasur që nga çlirimi.

Fushata në të tretën

Posa përfundoi seanca e çlirimit, nuk u desh shumë kohë që të nisnin paraqitjet e liderëve politikë që na treguan se si këto zgjedhje do të jenë gjëja më e mirë që na ka ndodhur në këta 20 vjet.

Ende pa dalë nga ndërtesa e Kuvendit, nisën deklaratat për qëllimet politike dhe për atë se kush do të garojë për kryeministër e kush jo. Rolin e skenarit të shkruar më parë më së miri e deklamoi ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili tha se do të bëhet kryeministri i ri i Kosovës, në krye të PDK-së, që nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike, të cilat duken të kenë që të gjitha vija të kuqe për të. Tha se do të ishte kryeministri që do ta luftonte korrupsionin.

Nëse makina kishte qenë në shpejtësinë e parë para se të shpërndahej Kuvendi, menjëherë kaloi në të tretën, si parapërgatitje për kakofoninë që do ta dëgjojmë në ditët vijuese. Kjo, deri në caktimin e datës së saktë të zgjedhjeve, e që teknikisht nuk munden me ndodhë pas datës 6 tetor, sepse ligji kështu e përcakton.

Natyrisht, do të jetë teke e Hashim Thaçit ta përcaktojë datën, porse e sigurt është se zgjedhjet nuk mund të mbahen para datës 22 shtator, sepse edhe këtë e saktëson ligji. Se përse i nevojiten më shumë se pesë minuta ta vendosë datën e zgjedhjeve, mbase do ta marrim vesh ditët në vijim, kur pushimin ta kenë kryer edhe prokurorët e Speciales. Me gjasë, ai do të ketë më shumë informata se të gjithë ne së bashku.

Orkestrimi

Strategjia e zgjedhur nga PDK-ja për këtë fushatë është që të dalin e të thonë se në qeverinë e shkuar ministrat e tyre kanë qenë më të mirët dhe se dikasteret e tyre kanë funksionuar për mrekulli. E tillë ishte deklarata e Blerta Deliut në “Interaktiv” të enjten, e tek e dëgjoja m'u kujtua ministrja Hoxha dhe dështimi i radhës për liberalizimin, plus edhe skandali me komunikatën plot rrena pas takimit me ambasadorin britanik; m'u kujtua edhe ministri Tahiri dhe skandali me noterët familjarë e dosta të njerëzve të PDK-së; i fundit m'u kujtua ministri i Kulturës, i cili vetë kishte deklaruar se i intereson më shumë sporti sesa kultura. E këtë gjë e vërtetoi kur e përgatiti terrenin për emërimin e një dosti nga Drenica për drejtor të Muzeut.

Ky veprimi i fundit në fakt e tregoi taktikën inventive që e zbatoi PDK-ja në këtë rast, për të treguar se, demek, e kanë seriozisht punën e luftimit të korrupsionit dhe të nepotizmit. Një ditë pas përzgjedhjes së personit pak a shumë anonim për drejtor të Muzeut, të nesërmen, me kërkesë të Veselit, Gashi e shkarkoi bordin e Muzeut dhe e anuloi emërimin e këtij personi.

Pra, posti i cili është i pambushur për thuajse një vit mbeti për t'u plotësuar mu në ditën kur shpërndahej Kuvendi. Po atë ditë emërohej një militant partiak, dhe të nesërmen konkursi anulohej. Personi i emëruar shërbeu si kurban për "luftën e njëmendtë" të Veselit. Hiç s'është larg mendsh se do të shpërblehet me futjen në listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie.

Qëllimi i këtij orkestrimi është aq i tejdukshëm, saqë veprime të këtilla veç mund të shërbejnë për të vërtetuar se këtë që e thotë Veseli për korrupsionin e nepotizmin është vetëm farsë dhe se nuk e ka përnjëmend. Për shkak se PDK-ja që ka qenë në pushtet në të gjitha qeveritë e pasluftës pos njërës, është pikërisht partia që i ka instaluar korrupsionin e nepotizmin në Kosovë. Është vështirë e besueshme se ajo do ta luftojë vetveten kur struktura e saj ka mbetur pothuajse e pandryshuar.

Dy koalicione që nuk befasojnë

Ende pa u shpërndarë Kuvendi, u arrit marrëveshja e parë e koalicionit parazgjedhor: AAK-ja u bë bashkë me PSD-në. Kalkulim i thjeshtë matematikor: PSD-ja në sondazhe, që nuk po bëhen publike, del të mos e kalojë pragun zgjedhor. AAK-ja, në anën tjetër, del e fortë sidomos mbas vendimit populist të Haradinajt për të dhënë dorëheqje, për shkak të ftesës në Hagë, pa pasur aktakuzë. Së bashku, mbase mund ta mbërrijnë çerekun e elektoratit - që mund të shërbejë për ndonjë lëvizje paszgjedhore po qe se nuk ka numra të mjaftueshëm për formimin e Qeverisë.

Megjithatë, Qeveria Haradinaj 2 do të mbahet në mend për të keq. Për një numër të pafund skandalesh dhe për numrin enorm të ministrive, zëvendësministrave, këshilltarëve, koordinatorëve e çkamos tjetër. Do të mbahet në mend edhe për faljen e 53 milionëve “Bechtelit”; për nepotizmin; dhe e fundit, për zgjatjen e monopolit për firmën “Eurolabi”, që pos homologimit të veturave e mban edhe kontrollin e automjeteve të riaftësuara. Prandaj mbase do ta kenë menduar se me ardhjen e atyre që nuk kanë mbajtur pushtet qendror, por që e mbajnë Prishtinën, do t’ia sjellin një frymë më urbane partisë. Sepse në mesin e anëtarëve të PSD-së do të gjenden disa nga deputetët më elokuentë të Kuvendit të dembelëve që posa u shpërnda.

Nga ana tjetër, refuzimi që të lidhin çfarëdo marrëveshjeje me PDK-në në këtë çast vetëm e shpërfaq antipatinë që shënoi rritje sidomos nga koha e taksës. Porse kjo nuk do të thotë se nuk do të mundë të arrihej një marrëveshje e çastit të fundit edhe me PDK-në, për t'u siguruar numër më i madh votash për krijimin e Qeverisë Haradinaj 3.

Koalicioni tjetër është ai i tyxharëve. Kryetyxhari Pacolli u lidh me NISMËN e Limajt - edhe këtu për matematika të thjeshta: AKR-ja nuk e kalon pragun, ashtu siç nuk e kalonte as në zgjedhjet e shkuara kur u lidh me LDK-në, e të cilën e tradhtoi që në rastin e parë. Limaj garon për kryeministër me shanse minimale për fitore, por me shanse për t'u bërë njeriu nga i cili do të varet krijimi i Qeverisë së re, po qe se fituesi nuk do të jetë në gjendje t'i mbledhë numrat për krijimin e saj. Kjo me supozimin se fituesi nuk do të dojë ta formojë qeverinë me votat e Listës Serbe, siç ka ndodhur herën e kaluar. Për Pacollin do të jetë edhe një rast për të "shnuk" edhe diçka nga pjesëmarrja eventuale në Qeveri, nga e cila del si ministri më i keq i Jashtëm që ka pasur Kosova ndonjëherë.

Në pritje të koalicionit LDK-VV

Ka jo pak kohë që takimet ndërmjet shefave të këtyre partive janë shpeshtuar. Para se të shpërndahej Kuvendi, takimet kishin të bënin me "varrimin e shtizave të luftës" dhe bashkërenditjen politike në Kuvend. Jo pak herë janë treguar unikë kur është dashur të prishej kuorumi në legjislaturën e shkuar dhe kur duhej të kundërshtohej një qëllim i partive të koalicionit qeverisës që gjatë mandatit e humbën shumicën e votave.

Për dallim nga hera e shkuar, LDK-ja më nuk është kategorike se do të garojë e vetme në këto zgjedhje. Ngase, sipas sondazheve, e vetme nuk e mbërrin as një të pestën e elektoratit, për pasojë, mbetet në opozitë. Edhe shkuarja e VV-së në zgjedhje e vetme, e sjell rezultatin e njëjtë: qëndrimin në opozitë.

Duke mos ditur se nga janë duke shkuar bisedimet mes këtyre partive, nuk është larg mendsh që problemi kryesor në arritjen e marrëveshjes është ndarja e dy posteve kryesore, me të tretin në perspektivë: kush kandidat/e për kryeministër/re dhe bartës/e i/e listës; kush kandidat/e për kryeparlamentar/e dhe kush kandidat/e për kryetar/e të shtetit. Do të kujtojmë se Hashim Thaçit mandati i skadon në prill të 2021-s, porse zgjedhja duhet të ndodhë së paku 30 ditë më herët.

Në situatën hipotetike ku Qeveria e ardhshme do të krijohej nga partitë e deridjeshme opozitare, Thaçi nuk do të mundë të rizgjidhej në këtë post. Prandaj edhe ky post do të duhej të ishte objekt negociatash brenda këtyre subjekteve politike, nëse vërtet e synojnë garën së bashku në këto zgjedhje.

Në konstelacionin aktual, po qe se marrëveshjet e koalicioneve parazgjedhore mbesin këto që janë, nuk po duket se këto parti kanë shumë alternativa. Po qe se vendosin të garojnë secili subjekt ndaras, atëherë Kosova do të ketë sërish një qeveri hibride, të përbërë prej shumë partive që nuk do të kenë program qeveritar me orientime të qarta. Vetëm do të kenë synime për të vazhduar me ritmin zhvatës, i cili na ka udhëhequr gjithë këto vite.

* * *

Fushata moti ka nisur, e tash është intensifikuar. Do ta mbërrijë pikën në të cilën do të dëgjojmë aq shumë debate e pallavra sa do të lodhemi nga to. Ajo që na pret tashmë dihet: lumi i rrenave dhe premtimeve që do të na përcjellin deri në ditën e fundit, kur do të duhej të dilnim të votonim.

Përvoja e gjashtë palë zgjedhjeve nacionale që i kemi mbajtur mbase do të duhej të na mjaftonte për të kuptuar se kurrë asnjëherë nuk zgjodhëm program politik që do të duhej të kishte caqe e afate, masa e përgjegjësi. Zgjodhëm njerëz që na gënjyen për gjithçka, njerëz injorantë që i hëngrën fjalët e tyre; njerëz që na morën në qafë e na dërrmuan.

Mbase më në fund e kemi arritur pikën e pjekurisë, ku rroga si në Suedi, liberalizimi i vizave dhe punësimi i 200 mijë vetave nuk do të jenë karrema me të cilët do të na i zënë votat. Mbase.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Dritani30/08/2019 13:15

Fajet per gjithqka i ka ky popull, gjegjesisht shumica e tyre qe nuk jane ndryshe si mashtruesi e genjeshtari Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Behxhet Pacolli, Kadri Veseli e Shpend Ahmeti. Ky popull keshtu po e don dhe keshtu po e gjen. Vrapon si delja pas bariut nga fatkeqesia ne fatkeqesi. Shih tani: ka filluar te vrapoje edhe pas Vjosa Osmanit, nje politikane nenmesatare qe ka deshtuar edhe si juriste ne Presidencen e Fatmir Sejdiut. Ky popull e ndjek pas, ngase ka bere kritika ndaj disa personave. Cfare tjeter ka ofruar ajo? Asgje. Edhe Albini asgje pos fjaleve boshe deri tani nuk ka ofruar. Duhet nje udheheqes punetor, i ndershem, tokesore, jo duke fluturuar, i arsyeshem dhe kursimtar.

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi