Tik-tak, tik-tak…

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 02 September 2019 08:22

Muaji shtator do të jetë muaji i torturave të fushatave të gërditshme partiake. Surlet, tupanët veçse kanë filluar. E kur u bë kjo traditë kështu tek ne? Përndryshe, nga deklarimet e politikanëve të të gjitha partive politike dhe sondazheve në të cilat ata po bazohen, po rezulton se të gjithë janë fitues. Secila parti po na del fituesja e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Edhe më pak se 24 orë do të skadojë afati i paraparë nga KQZ-ja për dorëzimin e marrëveshjeve të koalicioneve parazgjedhore partiake.

Sytë e pjesës më të madhe të qytetarëve të Kosovës janë të drejtuar kah LDK-ja dhe VV-ja, nëse këto dy parti do të arrijnë për të krijuar marrëveshjen e tyre për koalicionin parazgjedhor. Përgjigjja në këtë pritshmëri të tyre do të kuptohet sonte pas mesnatës, ndërsa nesër, me publikimin e ditarit tim, ajo veçse do ta ketë marrë dhenë.

Mua si diplomat të rryer frazat, të cilat më së shumti më nevrikosin gjatë fushatave parazgjedhore të partive politike janë deklaratat e politikanëve, të cilët u përkasin atyre dhe që deklarojnë se "ne jemi parti e qendrës së djathtë" ose "ne jemi parti e qendrës së majtë". E vërteta të cilën qytetari i Kosovës dhe votuesi potencial duhet ta dinë është që në Kosovë nuk ekzistojnë as parti të qendrës së djathtë e as parti të qendrës së majtë. Të gjitha ato reduktohen në parti të egove të liderëve të tyre ose eventualisht parti të kalkulimit të interesave të udhëheqjes dhe këtu përfundojnë lidhja e tyre me votuesin dhe përgjegjësia partiake.

Në favor të këtij konkludimi tim diplomatik si shembull mund ta marrim deklaratën e Dardan Molliqajt nga PSD-ja, i cili deklaroi se "PSD-ja e pranon autostradën e Dukagjinit të AAK-së". E këso dhe të ngjashme po qe se njeriu i dëgjon me vëmendje dhe i analizon me kujdes, politikanët tanë bëjnë deklarata të tilla me bollëk. Në terma futbolli janë golashënues fantastikë të autogolave. Partia e deklaruar e qendrës së majtë socialdemokrate reduktohet në arsyetimin e koalicionit të saj me AAK-në, me pranimin e autostradës së Dukagjinit. No comment!

Të kthehemi prapë aty ku e fillova ditarin tim të radhës. Tik-tak, tik-tak. Akrepat po ecin dhe koha po kalon, dhe afrohet që LDK-ja dhe VV-ja të deklarohen nëse do të bëjnë koalicion parazgjedhor.

Po të ishte diçka shumë parimore dhe në të mirë të qytetarit, zgjidhja është fare e lehtë. Kandidati i cilësdo parti (LDK apo VV), i cili do të marrë më së shumti vota zgjidhet kryeministër. Në bazë të votave të fituara pas zgjedhjeve do të ndahen edhe ministritë, si rrjedhojë e një programi të përbashkët qeverisës.

Çdo qasje tjetër e stilit "jo ne nuk e japim kryeministrin ose vetëm Albin Kurti kryeministër, ose vetëm Vjosa Osmani kryeministre", pikësëpari janë përjashtuese për votuesin dhe qytetarin dhe janë kalkulime politike të kryesive partiake dhe interesave më të ngushta. Po lëreni sovranin ta thotë fjalën e vet. Me rëndësi është që ju të arrini një marrëveshje për ndryshimin emergjent, të cilin e dëshiron sovrani e që e pret Kosova. Më pas respektojeni vullnetin e sovranit dhe me procese le të udhëheqë ai ose ajo që merr më shumë vota. Matematikë e thjeshtë kjo dhe me ndërgjegje të pastër.

Do të jetë pika kur në Kosovë do të shkruhet një mënyrë e re e politikëbërjes në këtë vend ose do të vazhdohet me avazin e vjetër të zhbërjes dhe shthurjes së gjithçkaje që është arritur me aq shumë mund dhe sakrifica.

Nëse më pyetni mua personalisht, unë, duke u bazuar në përvojën e deritashme të politikës kosovare, mbetem pesimist për një mundësi të ndonjë marrëveshjeje parazgjedhore midis LDK-së dhe VV-së dhe arsyeshmëritë jua tregova më lart. Por nuk do të vonojë dhe deri të kemi lexuar ditarin tim të publikuar nesër në “Kohën Ditore”, ne do ta kemi edhe përgjigjen.

Përvoja e deritanishme më thotë se koalicionet tek ne bëhen 5 minuta në dymbëdhjetë, kur rritet çmimi i pazareve. Qytetari? Çka qytetari? Ai është në gjumin letargjik. Kush mërzitet për votuesin dhe qytetarin? Po sikur vetëm 1% të ishte brenga në pyetje për qytetarin, Kosova sot nuk do t’i kishte punët kështu se qysh i ka, dhe madje me vetëm 1% brengë për qytetarin. Për më tepër brengë ndaj qytetarit dhe votuesit, duhet pasur imagjinatë shumë të bujshme për t’i paramenduar rezultatet e asaj qasjeje. Prandaj unë mbetem skeptik dhe shtyrja e kësaj marrëveshjeje apo edhe mosarritja e saj nuk është bërë për sovranin, por për ego dhe interesa të ngushta.

A do ta kem gabim, nuk do të kalojë edhe shumë kohë dhe do ta kuptojmë.

Muaji shtator do të jetë muaji i torturave të fushatave të gërditshme partiake. Surlet, tupanët veçse kanë filluar. E kur u bë kjo traditë kështu tek ne? Përndryshe, nga deklarimet e politikanëve të të gjitha partive politike dhe sondazheve në të cilat ata po bazohen, po rezulton se të gjithë janë fitues. Secila parti po na del fituesja e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Është mirë njeriu që të kujdeset për shëndetin e vet mendor gjatë kësaj periudhe, sepse për një logjikë të shëndoshë mesatare këta janë mend e zarar.

Edhe një pjesë e konsiderueshme e mercenarëve politikë, që tek ne njihen me nofkën "analistë politikë", tashmë me të madhe janë duke ia rritur pazarin vetes. Analizat e tyre politike të barasvlershme me leximin e rezultatit të EKG-së së zemrës prej pulës. Analiza që herë dërgojnë ujë në mullirin e njërës parti e herë në mullirin e partisë tjetër. Çmimi në berëzën politike ShulTex shkon duke u rritur.

Aderimet gjithsesi mbesin pjesa më e devalvuar e çdo fushate politike të secilës parti. Aderime "artistësh", "këngëtarësh", "frizerësh", "xharrahësh", biznesmenësh e këso të ngjashme. Gjithçka gati për kanagjeq qeveri. Shpeshherë e pyes veten: mos jam unë duke jetuar në ndonjë botë paralele? Shekulli 21, 20 vjet pas luftës, ne sillemi sikur fise Zulu të sapodala dhe të ndeshura me civilizimin? Por, me rëndësi është që ne të vazhdojmë për t'ia bërë qejfin njëri- tjetrit. Po shkëlqen! Ma i forti je! Mafi je! Babikë, këqyrma njerin! Komplimente pa kurrfarë përmbajtjeje e as kuptimi, përveçse një demagogji e lodhët e intelekteve të lodhëta.

Nuk e idealizoj unë asnjë shoqëri. Në secilën shoqëri ka të tillë. Mirëpo, ashtu siç e kam thënë në pjesët e mëparshme të ditarit tim, fatkeqësisht tek ne ky mentalitet e ka formuar masën kritike dhe kjo masë kritike i lëviz gjërat në shoqëri, i formon dhe i cakton normat e reja të devalvuara në secilën pore dhe qelizë. E fajin më të madh për këtë gjë, sipas librave të mi, e kanë pikërisht politika, partitë, politikanët pa kurrfarë vizioni, përveç atij se si të gllabërojë për veten. Ma thoni një politikan tek ne, i cili nuk rezulton të jetë milioner? Me rroga i krijuan ato pasuri? Me trashëgimi familjare? Mos ma thoni, ju lutem! Prindërit e mi punuan 30+vjet, në trashëgimi të tyre mund ta kem një banesë në “Bregun e diellit” dhe një garazh në “Ulpianë”. Unë para se të kthehesha në Kosovë 8 vjet punova në Londër. Në Kosovë u ktheva me 3.000 DEM në xhep. Pjesa më e madhe shkuan si dhurata nipave e mbesave që kishin lindur gjatë kohës që unë nuk isha në Kosovë. Puna ime në UNMIK paguhej diku 3.000 DEM, në PTK 540 euro, ndërsa në Procredit dhe Raiffesien nga 1.500 euro. Të shumtën e kohës kam jetuar vetë. Unë nuk arrita as atë banesën e prindërve ta rinovoja se lëre më të kisha qindra e mijëra euro në llogari apo të krijoja pasuri me patundshmëri. Ndoshta edhe nuk jam aq ekonomist i mirë, ndoshta edhe fakti se kam jetuar vetë ka pasur shpenzime më të mëdha për t’u ushqyer jashtë gjatë gjithë kohës, por sidoqoftë milioner nuk u bëra.

Politikanë të dashur, Kosova është vend shumë i vogël dhe thuajse ne të gjithë jemi të njohshëm apo kushërinj ndërmjet vete. Nëse nuk po flitni ju, të mos jeni aq të sigurt se nuk po flasin ata, e edhe katundi që digjet kallauz nuk do. Prandaj ju lus që t'na kurseni nga hipokrizitë e juaja se ju mundoheni për popull e për qytetarët e Kosovës. Ata janë dhe mbesin brenga juaj e fundit.

Shpresoj që të më demantoni me veprat dhe vendimet e juaja qysh nga nesër, t’i lini egot dhe interesat e juaja të ngushta partiake dhe së paku një herë në historinë tonë të re të mundohemi të ndërtojmë shtet për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të saj.

P. S. Ramush, burrë, ty s'po di çka me të thonë kësaj radhe, pasi që jemi në fushatë zgjedhore, a ma plotëson një dëshirë muzikore? "O ti moj Kosovë, o moj bukuroshe"!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani