Drama e 30 gushtit

Flaka Surroi Flaka Surroi 03 September 2019 08:06

Në rast se nuk i fiton zgjedhjet, Osmani nuk do të mundë të bëhet kryeministre. E me gjasë do ta humbë mundësinë që të kandidojë sërish, ngase "rastin ia dhanë, e nuk e shfrytëzoi". Ndoshta edhe ky do të mundë të ketë qenë plani i gardës së vjetër të LDK-së: që Osmani të "digjej" e që LDK-ja të vazhdonte me të vjetrën.

Po të dija se në mesin e partive që garojnë do të gjendet dikush që përnjëmend do t'i bënte ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të shmangur ditën sikur këtë të 30 gushtit, do t'ia jepja votën time pa e menduar dy herë.

Dramën e zhvilluar deri në çastin e fundit të afatit për zyrtarizimin e koalicioneve parazgjedhore do t'ia kemi për borxh Babës dhe gjithë ekipit të tij në Kushtetuese që para dy palë zgjedhjesh e shpikën interpretimin më absurd për ta akomoduar PDK-në në pushtet.

E drejta që partia e vetme apo koalicioni parazgjedhor që fiton më së shumti vota, edhe nëse nuk e ka shumicën absolute, ta ketë të drejtën për ta emëruar edhe kryeparlamentarin, e edhe ta ketë mandatarin për Qeveri në dy runde - është absurdi me të cilin ballafaqohet populli i Kosovës sa herë që duhet të dalë në zgjedhje.

Do të kujtojmë që inatet e herës së shkuar bënë VV-ja të shkojë e vetme në zgjedhje; që LDK-ja të shkojë edhe me kalin e Trojës në zgjedhje; e që krahu i luftës të mblidhej rreth një koalicioni tepër të madh, e që rezultoi me qeverinë më të madhe në botë. Qeverinë më të keqe që e kemi pasur deri tash.

* * *

Nga koalicionet që u shpallën më herët, dhe nga insistimi i PDK-së që të garonte e vetme, u bë e qartë se e vetmja mundësi për ta luftuar edhe një qeveri të re PAN, mbase kësaj radhe me Veselin në krye, ishte krijimi i një koalicioni VV-LDK.

LDK-ja i ndërmori ca hapa të shpejtë: emëroi një grua për kryeministre potenciale dhe e mbajti me shpejtësi edhe Këshillin Qendror, ku ia vërtetoi mandatin. La në prapavijë gardën e vjetër, por njërin nga ta e bëri shef të shtabit zgjedhor. Mbase paqësim i brendshëm, porse detaj që e ngadalësoi procesin e negociatave mes dy partive. Dhe i cili në fund e solli rezultatin e synuar me gjasë - garën secili për vete.

Sharra ngeci në gozhdën e quajtur kryeministër. Së paku kështu mund të përfundohej nga deklaratat që u dëgjuan. Secila parti doli me kandidatin e vet - LDK-ja Vjosa Osmanin e VV-ja me gjasë Albin Kurtin, ende pa e marrë verifikimin e organeve të partisë, por pa ndonjë kundërkandidat në dukje. Pikëlluese qe që thyerjet nuk ndodhnin rreth bazave të programit politik, pra rreth përmbajtjes së një qeverisjeje që do të duhej të ishte ndryshe nga kjo që kemi pasur këta 20 vjet. Ndodhnin rreth personit që do të duhej ta udhëhiqte këtë qeveri potenciale.

* * *

U fol për dy opsione: një, që mandati të ndahej në dy vjet për secilin kandidat potencial. Proceduralisht, e mundshme, me kusht që do ta kishin shumicën absolute si koalicion dhe po qe se do t'i përmbaheshin marrëveshjes. U komentua se asnjërit kandidat nuk i konvenonte kjo zgjidhje.

Opsioni tjetër ishte që në garë të shkohej pa kandidat/e, por që potencialisht gara të zhvillohej përbrenda subjektit dhe që vota e qytetarit ta përcaktonte fituesin/en. Pra, kandidati/ja që do ta merrte shumicën e votave të zgjidhej kryeministër/re.

Dhe dje pasdite, Albin Kurti e tërhoqi një lëvizje të mençur politike kur ia shkroi një letër të hapur Mustafës, në të cilën doli pikërisht me këtë opsion dhe me një diçka që e quajti koncesion: që Osmani të ishte bartëse e listës, kurse me gjasë Kurti të ishte i dyti në listë, por edhe përfaqësues i koalicionit. Sinqerisht nuk e kuptova këtë të dytën. Nuk e kuptova nëse, po qe se ky opsion do të pranohej, Kurti do të ishte i vetmi i cili do të kishte hapësirë për të folur në emër të koalicionit. E kjo nuk tingëllonte shumë e logjikshme. Po nejse.

Mustafa nuk priti shumë për t'u përgjigjur, gjithashtu nëpërmjet FB-së, duke e refuzuar ofertën, duke thënë se propozimi i VV-së e dëmtonte interesin e përbashkët. Sinqerisht, as këtë deklaratë të Mustafës nuk e kuptova - sepse nëse interesi i përbashkët është qitja e PAN-it në opozitë, ky ishte kompromisi mbase më i lehtë, me kusht që të sqarohej puna e "përfaqësimit të koalicionit".

Këshilli i përgjithshëm i LDK-së nuk vonoi për ta refuzuar ofertën e VV-së dhe Osmani doli për të thënë se kjo kërkesë në fakt shpie te gara e brendshme midis dy subjekteve në vend se nga gara kundër PAN-it. Dhe në esencë nuk do të mund të pajtohesha me këtë ide - ngase kjo garë potencialisht e brendshme do ta kishte një efekt të dobishëm për këtë listë: do të tërhiqte më shumë votues për koalicionin. E mbase do të ishte forma më demokratike për ta zgjedhur kandidatin për kryeministër/re, me gjithë rrezikun e vjedhjes së votave brenda koalicionit, që është punë që na ndodh në secilën palë zgjedhjesh.

* * *

Ajo që po dihet tash është se krejt partitë politike e kanë marrë këtë garë më duket më seriozisht se kurrë. Që të gjithë nuk i fshehin ambiciet për të fituar, duke u mbështetur mbi sondazhet tashmë të përmendura, por që kurrë s'u bënë publike, sipas të cilave katër subjekte politike (nejse, AAK bashkë me PSD-në) sillen rreth përqindjeve përafërsisht të njëjta të intencës së votës.

Me supozimin se këto matje janë të përafërta me të vërtetën, atëherë do të jenë nuanca ato që do ta përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve. Do të jetë fuqia e animimit që do ta kenë partitë për të ftuar sa më shumë anëtarë e simpatizantë që të dalin të votojnë dhe do të jetë përcaktuese fuqia e secilit subjekt për ta mbrojtur votën ditën e votimit. Vjedhja industriale e votave, të cilën e përmendën edhe ambasadorët e Pesëshes në Prishtinë, është një diçka që i druhemi të gjithë, vendas e ndërkombëtarë. Dallimi është se ne i vuajmë pasojat e saj.

Fushata do të kalojë me shumë akuza, ngase kështu e do zakoni, madje edhe ndërmjet atyre që mbase në të ardhmen do të krijojnë koalicion paszgjedhor, ngase asnjëri subjekt nuk do ta ketë fuqinë për t'i fituar zgjedhjet me shumicë absolute. Prandaj, mbase do të duhej të mendonin dy herë para se të flasin, që mos t'i marrin sakicat për ta "vrarë" njëri-tjetrin, e që më pas përnjëherë ta zbulojnë dashurinë e fjetur kur duhet të vendoset për krijimin e një qeverie të re.

* * *

VV-ja dhe LDK-ja e humbën rastin më të mirë që e kanë pasur që të hyjnë fuqishëm në garë. Fakti se lufta në fund u kufizua te personi i shefit/es të qeverisë, tregon se ende kanë shumë rezerva për njëri-tjetrin, edhe pse deklarativisht e kanë qëndrimin unik që Kosova mos ta ketë një PAN të ri.

Zgjedhja e tyre që të garojnë ndaras, me gjithë përpjekjet për ta krijuar "koalicionin e shpresës", në fakt u ka shkaktuar jo pak dëshpërim atyre që vërtet kanë besuar se një koalicion i këtillë parazgjedhor do të mundë të krijohej. Por, kjo ende e lë derën e hapur që një koalicion i tillë paszgjedhor të ndodhë eventualisht, po qe se njëra nga këto parti del fituese e zgjedhjeve. Në atë rast mandatarin do ta caktojë vendimi absurd i Kushtetueses, dhe do të bëhej fjalë më vonë vetëm për ndarjen e ministrive ndërmjet këtyre subjekteve, po qe se edhe atëherë bëhen bashkë.

Porse kjo nuk do ta përjashtojë mundësinë edhe të përsëritjes së "koalicionit të madh të stabilitetit", pra të një lidhjeje të re PDK-LDK që dy herë ka qenë thuajse vdekjeprurëse për Kosovën.

Tashmë jemi mësuar me LDK-në që t'u thotë jo koalicioneve të tilla, porse që në fund, "për shkak të presionit ndërkombëtar", të pranojë të hyjë në këso kombinimesh. Dhe po qe se kjo do të përsëritej, LDK-ja do të dëshmonte se nuk ka evoluuar nga ajo që ka treguar që nga 2007-a e këndej.

* * *

Si partia më e vjetër dhe si ajo që shpesh është deklaruar se është më e madhja, mbase është dashur të lëshonte pe dhe të hynte në koalicion parazgjedhor me VV-në. Gjithsesi se do të kishte tërhequr më shumë elektorat për ta siguruar pushtetin, i cili do të duhej të sillte ndryshim.

Insistoi në nominimin e Vjosa Osmanit për kandidate dhe ruajtjen e postit të shefit/es të Qeverisë për vete. Në rast se nuk i fiton zgjedhjet, Osmani nuk do të mundë të bëhet kryeministre. E me gjasë do ta humbë mundësinë që të kandidojë sërish, ngase "rastin ia dhanë, e nuk e shfrytëzoi". Ndoshta edhe ky do të mundë të ketë qenë plani i gardës së vjetër të LDK-së: që Osmani të "digjej" e që LDK-ja të vazhdonte me të vjetrën.

Çfarëdo të kenë qenë planet, drama e 30 gushtit nuk do të duhej të na përsëritej më kurrë për shkak të interpretimit skandaloz të Kushtetueses.

Duke shpresuar se këto zgjedhje do ta sjellin dikë në pushtet që do ta ndryshojë jo vetëm Kushtetutën por edhe gjendjen në Kosovë, po e përfundoj këtë kolumne. Ani që këtë që e shkrova e kam më shumë dëshirë e shpresë, sesa bindje se do të mund të ndodhë përnjëmend. Uroj ta kem gabim.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi