Shqipëria dhe Kosova nuk mund ta frikësojnë BE-në me alternativa

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 04 September 2019 08:16

Serbia është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që po përfiton duke e frikësuar BE-në me alternativa. Për shkak se Serbia e ka aleat kryesor Rusinë, BE-ja tenton ta mbajë sa më afër. Kështu, Serbia përfiton nga BE-ja pa pasur asnjë obligim ndaj saj, ndërkohë që mbetet aleate besnike e Rusisë. Kosova dhe Shqipëria nuk mund ta frikësojnë në këtë mënyrë BE-në, sepse nuk kanë asnjë alternativë nga e cila BE-ja do të shqetësohej. Afërsia e kryeministrit të Shqipërisë dhe e presidentit të Kosovës me Turqinë nuk është diçka që shkakton ndonjë shqetësim serioz në Bruksel.

Shqiptarët, si në Shqipëri, Kosovë apo në ndonjë shtet tjetër të rajonit, janë shumë pro BE-së. Janë të parët në rajon për nga mbështetja për integrimin e vendit të tyre në BE. Dashuria, orientimi drejt BE-së dhe synimi për anëtarësim janë pa asnjë dyshim. Por në anën tjetër, shqiptarët me të drejtë ndiejnë se nuk po trajtohen si duhet nga BE-ja. Ata të Kosovës vazhdojnë të mbahen të mbyllur pa liberalizim vizash. Kosova nuk ka mundësi që të kërkojë anëtarësim në BE, apo ka frikë ta bëjë kërkesën, sepse mund të refuzohet pasi nuk është e njohur nga të gjitha shtetet anëtare. Shqipëria po ngec shumë në procesin e anëtarësimit, me pritje të gjatë për të marrë statusin e kandidatit para disa vitesh, ndërsa tash edhe për të marrë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Është e vërtetë se BE-ja mund të gjejë shumë raste për ta qortuar Shqipërinë për sundimin e ligjit, për mungesë të vendosmërisë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të pastruar skenën politike nga krimi e të tjera, e të tjera. Por në të njëjtën kohë, Serbia, që sipas vetë BE-së nuk bashkëpunon me Gjykatën Ndërkombëtare për krimet e luftës, që ka shkelje të rënda të lirisë së mediave, që ndihmon, glorifikon dhe angazhon persona të dënuar për krime lufte, është e përkëdhelura e BE-së.

Por Serbia mund të përfitojë për shkaqe politike, sepse Serbia e ka Rusinë si aleate të fortë. Dhe po e përdor për mrekulli për interesa të saj lidhjen e fortë me Rusinë. Po forcohet ushtarakisht, po bën marrëveshje tregtare, po e shfrytëzon Rusinë për të penguar avancimin e Kosovës në ndërtimin e subjektivitetit ndërkombëtar e shtetëror. Dhe BE-ja nuk ka çfarë t’i bëjë. Madje, sa më shumë bën Serbia në afrim me Rusinë pasojnë shpërblimet nga ana e BE-së. Hapen kapituj të rinj të negociatave të anëtarësimit, zbehet kritika për sundimin e ligjit. Kështu ndodhi edhe tash kur Serbia vendosi të hynte në Marrëveshjen tregtare të Euroazisë, ku janë Rusia dhe disa shtete të rajonit të ish-Bashkimit Sovjetik. E BE-ja vetëm tha se “Serbia ka obligim të dalë nga kjo marrëveshje kur të bëhet anëtare e BE-së”. Kjo nuk ka nevojë fare të thuhet, sepse edhe analfabetët politikë e dinë se secili shtet që është anëtar i BE-së nuk mund të ketë asnjë marrëdhënie tregtare me askënd tjetër, por ato i rregullon BE-ja për të gjitha shtetet anëtare. Pasi është pjesë e një tregu unik.

Shqiptarët, maqedonasit dhe boshnjakët nganjëherë pyeten se a mund të përfitojnë edhe ata duke e frikësuar BE-në se, në rast se BE-ja nuk i do, mund të kenë edhe alternativa të tjera. E vërteta është se nuk kanë asnjë alternativë më të mirë dhe as që mund të kenë. Rusia mbështet Serbinë, sepse përmes saj dhe serbëve në vendet e tjera të rajonit ka një ndikim të madh. Asnjë popull tjetër nuk e ka asnjë aleat aq besnik sa e ka Serbia Rusinë. E Rusia nuk është shtet i cili kërkon ndonjë standard për ta mbështetur Serbinë. E mbështet në mënyrë të pakusht.

Serbia është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që po përfiton duke e frikësuar BE-në me alternativa. Për shkak se Serbia e ka aleat kryesor Rusinë, BE-ja tenton ta mbajë sa më afër. Kështu, Serbia përfiton nga BE-ja pa pasur asnjë obligim ndaj saj, ndërkohë që mbetet aleate besnike e Rusisë. Kosova dhe Shqipëria nuk mund ta frikësojnë në këtë mënyrë BE-në, sepse, nuk kanë asnjë alternativë nga e cila BE-ja do të shqetësohej. Afërsia e kryeministrit të Shqipërisë dhe e presidentit të Kosovës me Turqinë nuk është diçka që shkakton ndonjë shqetësim serioz në Bruksel.

Në Kosovë, me gjithë faktin se Turqia konsiderohet si shtet mik që e ka ndihmuar Kosovën duke marrë pjesë në ndërhyrjen e NATO-s, pastaj pas luftës vazhdon ta mbështesë Kosovën, nuk e shohin Turqinë si ndonjë alternativë për të përforcuar lidhjet për shkak të refuzimit nga BE-ja. Sidomos jo nëse Turqia po ashtu vazhdon të afrohet me Rusinë dhe të largohet nga Perëndimi. E tendenca të tilla janë të pranishme, që shihen përmes blerjes së armëve ruse dhe fjalori i ashpër kundër Perëndimit dhe shumë miqësor ndaj Rusisë i presidentit të Turqisë, Erdogan.

Një Turqi si pjesë e NATO-s dhe si vend që përparonte në rrugën drejt BE-së ishte aleate edhe e përpjekjeve për zgjidhjen e problemeve në rajonin e Ballkanit. Dhe madje ishte një partnere me ndikim dhe shumë serioze. Por Turqia, e cila, sipas vlerësimit të Brukselit dhe disa kryeqyteteve evropiane, po largohet nga standardet perëndimore nuk shihet si faktor pozitiv në rajonin e Ballkanit. As ndikimi i Rusisë, e as ai i Turqisë në rajon nuk shihen me simpati nga Brukseli. Por BE-ja e ka vetë fajin, sepse, siç kanë tërhequr vërejtjen shumë politikanë evropianë, sa më pak të bëjë BE-ja, sa më shumë të vonojë në procese të zgjerimit, aq më shumë do të krijohet hapësirë që do ta mbushin të tjerët. Këtu mendohet për Rusinë tek serbët në Serbi, dhe për Turqinë tek boshnjakët dhe pjesërisht edhe tek shqiptarët.

Së shpejti mund të ndodhë edhe një dëshpërim dhe zhgënjim tjetër i shqiptarëve me BE-në. Gjasat po rriten që BE-ja Maqedonisë t’ia japë datën për nisjen e negociatave, por jo edhe Shqipërisë. Opozita në Shqipëri do ta shfrytëzojë këtë për ta akuzuar Qeverinë. Qeveria do të fajësojë edhe opozitën dhe BE-në. Opozitën pse me bojkotin dhe protestat ka krijuar probleme politike në vend, ndërsa BE-në për diskriminim ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Turqia, pos që nuk e ka fuqinë që e ka Rusia, në kushtet e tashme të betejës së brendshme politike edhe në Turqi, nuk është edhe shembull që qytetarët e vendeve të Ballkanit duhet ta ndjekin. Pra edhe po të vendosnin liderët politikë që të largoheshin nga BE-ja dhe të afrohen më shumë me Turqinë nuk mund të jenë të sigurt se do ta kenë popullin prapa. Pa marrë parasysh dëshpërimin me BE-në, shqiptarët vazhdojnë të jenë të orientuar nga BE-ja dhe Perëndimi në përgjithësi. Së paku deri tani. Në të ardhmen gjërat mund të ndryshojnë, por për momentin as shqiptarët nuk shohin ndonjë alternativë të orientimit drejt BE-së, edhe pse kanë shumë arsye të ndihen të pakënaqur dhe të diskriminuar nga BE-ja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

arti10/09/2019 14:14

ku asht aleati yn Amerika a spaskemi lidhje te forta me ta a ? po quditem Serbia me >Rusin Shqiptaret me Ameriken thjesht

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj