Shpirtra votues

Bekim Kupina Bekim Kupina 08 September 2019 08:02

Si në grotesken “Shpirtra të vdekur” të Gogolit, lista e votuesve kosovarë prej 20 vjetësh përmban emra njerëzish që kanë ikur nga kjo jetë, e të cilët si në rrëfime legjendash japin preferencën e tyre në zgjedhje për ndonjërin nga kandidatët apo subjektin politik

E cilësuar vepra e mijëvjeçarit, Gogoli në të parodizon nëpërmjet Çiçikovit, i cili mbledh emra të vdekurish për të përfituar shpërblim nga shteti. Në Rusinë feudale, këta njerëz (shpirtra) ishin të pronarëve të tokave dhe përveçse mund të përdoreshin si fuqi punëtore, mund të shiteshin apo të hipotekoheshin

Mospastrimi i listave zgjedhore ka prodhuar humor të zi në relacion me procesin zgjedhor. Me një proces, i cili vazhdon të mbetet shumë delikat për rrethanat kosovare dhe ku përmasa e përballjes elektorale nuk e ka kuptimin e rivaliteti politik, por animozitetit rajonal.

Përpjekja me çdo kusht për t`i fituar zgjedhjet, pa i zgjedhur metodat, i ka shndërruar ato në biznes. Një numër i madh i njerëzve që kanë hyrë në politikë, nuk i kanë dhënë gjë asaj, e as votuesve, por vetes. Transformimi radikal prej biçikletës në “Mercedes” u shndërrua në formulë politike për pasurim, ndaj gara politike sa vjen e bëhet më e egër.

***

Diskursi fantazmagorik elektoral ndërton projeksione imagjinare për të mundshmen e të dëshirueshmen, porse jo për realen.

Në këtë sens, turmat e njerëzve nga këndvështrimi i një kandidati apo subjekti elektoral gjatë kësaj periudhe marrin trajtën e numrave. Ka vetëm homo numerus, ndaj në një realitet të tillë, secili trup përbën numër, madje qoftë ai edhe i vdekur.

Prezenca e emrave të atyre që nuk janë në jetë në lista zgjedhore nuk përbën shkarje, madje as incident. Është precedent për libër Guinnesi. Vendi ku edhe të vdekurit jetojnë, një situatë absurdi ngjashëm me “Shpirtra të vdekur” të Gogolit. E cilësuar vepra e mijëvjeçarit, Gogoli në të parodizon nëpërmjet Çiçikovit, i cili mbledh emra të vdekurish për të përfituar shpërblim nga shteti. Emra njerëzish që ende figurojnë në listat e revizionimit. Në Rusinë feudale, këta njerëz (shpirtra) ishin të pronarëve të tokave dhe përveçse mund të përdoreshin si fuqi punëtore, mund të shiteshin apo të hipotekoheshin. Prandaj me të drejtë, Nabokov thotë se është e pamundshme moralisht të gjykohet Çiçikovi, i cili blen shpirtra në vendin ku ata ligjërisht shiten apo hipotekohen.

Si në grotesken e Gogolit, lista e votuesve kosovarë prej 20 vjetësh përmban emra njerëzish që kanë ikur nga kjo jetë, e të cilët si në rrëfime legjendash japin preferencën e tyre në zgjedhje për ndonjërin nga kandidatët apo subjektin politik.

***

Sikurse Çiçikovi, edhe ndonjëri nga subjektet politike ka përdorur letërnjoftime të ikurish nga kjo botë për ta rritur përqindjen e votuesve për opsionin e tyre politik. Bizare, ama rastet si kjo janë shënuar në të gjitha rundet zgjedhore të mbajtura.

Nga kjo pastaj janë krijuar barsoleta, të cilat më së miri tipizojnë degradimin zgjedhor dhe përpjekjen për t`u kapur në maja të pushtetit me çdo kusht.

“Çka po pret, a nuk e kreve hala votimin a?!- Jo e kreva, po pres me e taku babën se e pashë në listën e votuesve...!”

Kjo është përmbajtja e një situate ironike të ndodhur në zgjedhjet e 2017-s. Atë vit, në listën përfundimtare të votuesve janë ndodhur 33.542 votues të vdekur që nga zgjedhjet e vitit 2014 dhe 19.796 persona që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. E çuditshme pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk i kërkon Agjencisë së Regjistrit Civil që pastrimi i listës zgjedhore nga ata që nuk janë në jetë dhe ata që kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare të bëhet në mënyrë dinamike. Por jo të pritet caktimi i datës së zgjedhjeve të radhës në mënyrë që mandej ky proces, përveçse të kryhet me vështirësi, të mund të prodhojë edhe keqpërdorime në proces të votimit.

Kur merren parasysh shifrat e mësipërme dhe ambicia për pushtet, del se jo vetëm që është e mundshme, por edhe e preferueshme e një pjese të subjekteve politike që me të gjallë e të vdekur ta bëjnë të pamundshmen. Që nesër të zënë vend në shtëpinë e ligjeve dhe tamam sikurse të vdekurit, jo për të bërë ndonjë gjë për ta lehtësuar jetën e qytetarëve, por për t`i hipotekuar ata.

Një votë apo një kontingjent për një vend pune për këta shpirtra votues që pushtetin ta udhëheqin ata që problemin e shohin si zgjidhje, e zgjidhjen utopi.

Kjo e bën anakronike ftesën e subjekteve (përpos VV-së, e cila nuk ka udhëhequr me pushtetin qendror), që njerëz nga diaspora të vijnë e ta hedhin votën në zgjedhjet e 6 tetorit. Si ka mundësi të bëhet kjo ftesë, teksa vargani i atyre që po e lënë Kosovën po rritet, pikërisht ngaqë qeverisjet e deritashme nuk arritën ta krijojnë një ambient minimalisht të jetueshëm me dinjitet.

***

Sigurisht që në statistikat e sivjetme numri i atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës do të jetë më shumë se 20 mijë. Me këtë ritëm ka rrezik që këtyre subjekteve do t`u vijë koha ta votojnë njëra-tjetrën, ose t`i marrin votat njëmend nga lista e të vdekurve.

Nuk mund të bëhet një jetë e tërë në politikë duke premtuar gjëra që s`bëhen. Partitë e individët mund të gënjejnë gjatë gjithë kohës, por jo përgjithmonë. Një ditë, piramida e rrenave do të shembet. Të vdekurit do të mbeten vetëm në përkujtime, siç do të mbetet edhe ndonjë subjekt politik a politikan.

Trishtim duket teksa sheh përpjekjet e PDK-së që mbijetesën politike në këto zgjedhje ta sigurojë nëpërmjet lansimit të Paktit kundër korrupsionit.

Një ide e keqe luftohet në parim nga një më e mirë. Në rastin e PDK-së, kredibiliteti i idesë/ofertës së tyre është nul. Nëse paskan pasur ide për t`krijuar një front anti-korrupsion, pse iu paskan dashur pothuajse 2 dekada për ta zbuluar idenë e mirë. Për vjet të tëra, pikërisht ky subjekt barti primatin e shndërrimit të korrupsionit në mjet politik, duke prodhuar afera të shumta në të dyja nivelet e qeverisjes. Nga kjo mendësi, sot korrupsioni është organik në shoqërinë kosovare. Të korruptuarit cilësohen ‘të zotë’, teksa të kundërtit ’të ngathtë’. Në pamundësi për ta realizuar liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE, ky subjekt dhe shegertët, të vetmen gjë që kanë bërë është integrimi i korrupsionit në të gjitha sferat jetësore.

***

E, atyre që njëmend e kanë për këtë vend, Fishta do t`u thoshte ‘sugrite mortum’(qohuni të dekun), votoni se koha për një pushtet tjetër erdhi. Kësaj here, vërtet. Asnjë votë, qoftë edhe nga të vdekurit për meskinët politikë, që veç të mira nuk ditën t`i sjellin këtij vendi!

Vota nuk është plumb, por më 6 tetor disa e meritojnë amshimin politik!

bekim.kupina@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Bekim Kupina