Natën e mirë, bandë!

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 09 September 2019 08:24

Nuk kaloi as gjysmë ore kur miku i kishte pranuar në Pejë ato mjete dhe tashmë ishte duke e kryer edhe këtë pjesën tjetër të amanetit tim për të blerë disa gjëra ushqimore për atë familje të përvuajtur.

Sa me fat isha që shërbimin e “Moneygram”-it e kisha pasur shumë afër dhe ajo punë u krye shumë shpejt.

Aktiviteti i vetëm, i cili më bën që bateritë e mia të rimbushen dhe që për një çast të largohem nga zhurmat dhe kaosi i një metropoli të madh, është hikingu të cilin e bëj. Ashtu ndodhi edhe sot, e kisha arritur pikën kur mua do të më nevojitej energji e re, të cilën e marr vetëm në afërsi me natyrën.

Kësaj radhe, vendin ku do të ecja e përzgjodha që të ishte Box Hill, një pjesë në Surrey, që është një paralagje e Londrës.

Me të arritur atje, treni im ndaloi në destinacionin tim në Leatherhead. Para se të filloja të ecurit tim në natyrën dhe fshatrat piktoreske angleze, u ula në një PUB që fillimisht ta pija kafenë time të mëngjesit.

Pasi që ajo m’u shërbye, e shfrytëzova rastin që te shikoja se çfarë risish kishte andej nga ambasada ime në Facebook në këto kohëra me zhvillime aq dinamike. Në postimet e mia të mëhershme po shikoja dhe lexoja komentet e miqve të shumtë. Jo secilit koment më premton koha që t’i përgjigjem, por së paku do t’ia bëj një like, sa për t'ia bërë me dije mikut se e kam lexuar komentin dhe nuk e kam injoruar.

Në lexim e sipër të komenteve hasa në një koment nga një person që nuk i përkiste grupit të miqve të mi, të cilët unë jam mësuar t’i lexoj zakonisht. E kuptova se nuk e kisha as në mesin e miqve. Nuk e di nëse ai profil më ndjek. Sidoqoftë, zonja më ishte drejtuar me kërkesë për ndihmë për të dhe familjen e saj, pasi që ajo kishte kushte të vështira materiale, dhe se kohëve të fundit nuk po mundej t’i ushqente as fëmijët e saj. Natyrisht se nuk do t’i bëja like këtij komenti dhe gjëja e parë e cila m’u kujtua ishte t’i drejtohesha mikeshës sime Edita Doli, e cila me emisionin dhe ekipin e saj "Radar" ka bërë punë të mrekullueshme duke iu dalë në ndihmë familjeve në nevojë. Me siguri Edita ishte e zënë dhe përgjigjja nga ajo po më vonohej.

I shkrova mesazh një mikut tjetër në Pejë, i cili fatmirësisht kishte qenë me telefon në dorë në ato momente dhe m’u përgjigj menjëherë. I tregova se si qëndronte puna, dhe se edhe unë do të dëshiroja që t'ia dërgoja asaj zonje një ndihmë simbolike e që mikun tim doja ta ngushtoja që të shkonte të blinte gjëra ushqimore për atë grua dhe jetimët e saj, të cilat mund të ishin të mjaftueshme vetëm për disa ditë. Miku më tha se ai do t’i blinte e unë do t’ia ktheja mjetet kurdo që ne do të takoheshim, por disi unë dëshiroja që dëshira dhe vullneti im të shkonin në vend, dhe i thashë se do të shikoja për mundësinë e transferimit të parave. Posa e përfundova kafen, e pyeta banakieren se a kishte zyrë postare në këtë fshat. Me tha se po, dhe më udhëzoi se si ta gjeja. Posa arrita aty kuptova se posta kishte shërbimin “Moneygram” dhe unë isha në gjendje që ta bëja transferimin e parave në kohë shumë të shkurtër në emër të mikut tim.

Nuk kaloi as gjysmë ore kur miku i kishte pranuar në Pejë ato mjete dhe tashmë ishte duke e kryer edhe këtë pjesën tjetër të amanetit tim për të blerë disa gjëra ushqimore për atë familje të përvuajtur.

Sa me fat isha që shërbimin e “Moneygram”-it e kisha pasur shumë afër dhe ajo punë u krye shumë shpejt.

Në Facebook e shkrova një status, ku iu drejtova miqve që sipas mundësive t’i dilnim në ndihmë kësaj gruaje. Brenda një kohe të shkurtër dhjetëra sish m’i dërguan dëftesat e pagesave të tyre të cilët e kishin ndihmuar me mjete materiale këtë grua, pasi që e kishin kontaktuar atë direkt. Ajo e kishte lënë numrin e saj të telefonit në komentin tek unë, të cilin unë e kisha kopjuar në statusin tim.

Miqtë më lutën që të mos i bëja publikë emrat e tyre, por më përgëzuan për iniciativën. U lajmëruan edhe shoqata të ndryshme, të cilat premtuan se të nesërmen do të dilnin në terren dhe të shihnin nga afër se si do të mund t’i ndihmonin.

E gjitha kjo më kujtoi atë se sa solidarë ne dimë që të jemi. Se ajo njerëzorja në ne ende nuk është venitur plotësisht, dhe se mua personalisht ende ma mban gjallë besimin në shoqërinë tonë.

Më bëri ta mendoja teknologjinë, e cila na mundësoi që për aq kohë të shkurtër të mobilizoheshim.

E fillova ecjen time, do ta bëja një xhiro rrethore të cilën më herët e kisha programuar në GPS-in tim dhe e cila kishte gjatësi prej 26 kilometrash. Mendoja për të gjitha ato familje të përvuajtura në Kosovë. Jo secila do ta kishte apo dinte mundësinë që të drejtohej me anë të platformave sociale. Shumica nga to nga mburrja edhe keqardhja edhe nuk do të kërkonin ndihmë ashtu direkt fare. Pozitë e rëndë në jetë për t’u ballafaquar njeriu me të. E hapa Facebookun prapë dikur pas një copë rruge që e kisha ecur. Kisha pranuar edhe më shumë komente e edhe mesazhe.

Në murin tim dilnin postime nga më të ndryshmet. Lajme, artikuj, fotografi nga pushimet, plazhet, ahengjet e ndryshme familjare, nga më të ndryshmet. Prapë thashë me veten: "teknologjia". Përpara të gjitha këto fotografi do të ishin të renditura ashtu nëpër albumet familjare, e albumet do të kishin pasur vendin më të veçantë në vitrinën e dhomës. E albumet e fotografive tona do t’i ndanim me miqtë tanë më të veçantë, të cilët do të na vizitonin në shtëpi.

Tani në Facebook në muret tona i ndajmë edhe me njerëz fare të panjohur. I ndajmë darkat tona familjare, ahengjet tona familjare, fotografitë nga vizitat e të sëmurëve në spital, fotografitë nga vizita e varrezave të të afërmve tanë, fotografi e video në defilime fëmijësh. E di, teknologjia na e mundëson këtë, por a nuk mendoni se janë ca gjëra të cilat nuk do të duhej ndarë aq kollaj me njerëz, e sidomos jo me njerëz të panjohur. Ca gjëra meritojnë të jenë aty në pjesën më të bukur të vitrinës së dhomës dhe të ndahen me mysafirë dhe miq të veçantë. Ca gjëra mendoj se nuk duhet fotografuar fare.

Në fakt, më lindi një pyetje intriguese në kokë. Kur ishte hera e fundit që kam qenë mysafir tek dikush apo që dikush ka qenë mysafir tek unë? Të njëjtën pyetje mund që t'ia bëni edhe ju vetes. E di se shumicës prej juve do t'ju vijë paksa si trishtim. Ja, natyra m’i bën këto gjëra. Në mungesë të zhurmave dhe vjedhësve të përqendrimit tim, këtu kam kohën dhe mënyrën se si të lidhem me atë hallkën e cila po mungon, njerëzoren dhe të reflektoj.

Kilometrat po i lija pas vetes. Kjo pjesë e natyrës më ngjason me Gërminë tonë të bukur, por është ajo pedanteria angleze se si i mirëmbajnë natyrën dhe fshatrat e tyre që të fascinon. Gjithsesi se do të shkrepja fotografi me këto pamje të natyrës, e që do të mund t’i shihni të postuara në murin tim në Facebook ditëve në vijim.

Mundohesha që të rrija sa më larg nga teknologjia gjatë ecjes sime. Por ishin ato çastet kur ndalesha për të pushuar, që përpara do të rezultonin me ndezjen e një cigareje, por tani ka më shumë se një vit që unë atë më nuk e konsumoj e si duket vendin dhe dozën e saj e ka zëvendësuar Facebooku. E hapa edhe një herë. Lajmi i parë i cili m’u shfaq ishte fotografia e Kadri Veselit me Migjen Kelmendin dhe lajmi për aderimin e këtij të fundit në PDK. I kam urryer rokerët e dikurshëm jugosllavë, të cilët inkuadroheshin direkt apo indirekt në politikë, si Bora Çorba, çetnik i dëshmuar, Goran Bregoviqi e shumë, e shumë të tjerë. Nuk urrehen këta vetëm nga unë pse jam shqiptar, këta urrehen edhe nga vetë popullata e tyre, sepse besojnë në atë të njëjtën gjë në të cilën edhe unë besoj. Artistët dhe Rock & Rolli nuk e kanë vendin në politikë. Unë i shoh si rebelë kundër establishmentit e jo pjesë e promovimit të tyre. I kuptoj unë edhe brengën e edhe kompleksin e Kadriut për të dashur që ta promovojë veten si një njeri me histori urbane, por nuk shkojnë ato gjëra me zor Kadri. Po dilni qesharakë, edhe ti e edhe heroi yt i qytetit pa lumë.

Si mund t’i harroj monologët e shumtë të Migjenit në televizionin e tij, e që thënë të drejtën i dëgjoja me shumë ëndje, sepse ishte ai rebeli në veprim si unë e shoh artistin.

Tani, unë, ambasadori juaj, do ta përmbyll ditarin tim për këtë fundjavë me përshëndetjen "laku noć bando".

P. S. Ramush mos u ngut me e lexu përgjigjen të cilën ta ka dërguar Gjykata Kushtetuese. Neme lazëm burrë, s’je për ngutë, je në përgatitje të fushatës, shtabit tënd zgjedhor, të thashë e m'the, take it easy Rambo, ka vakt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Sinan Sakiq09/09/2019 11:27

Brega nuk ka qenë i kyqur në politikë.

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani