Vlera dhe antivlera

Flaka Surroi Flaka Surroi 10 September 2019 08:11

Lufta e madhe e diplomatëve të akredituar në Kosovë qe që në lista të mos përfshiheshin kandidatë me aktakuza për vepra penale çfarëdo qofshin ato. Porse, siç do të komentonte me shumë sens dhe spirituozitet një mike imja në FB, nuk është problemi se pse kandidohen njerëzit me aktakuza, por pse në mesin e të gjithë atyre kandidatëve ka njerëz që ende nuk kanë aktakuza.

Kush pati të kalonte në politikë, a prej një subjekti në tjetrin, tashmë kreu punë. Trenin e fundit e zunë dhe kush mundi u fut në listat zgjedhore që u dorëzuan mbrëmë në mesnatë.

Lufta e madhe e diplomatëve të akredituar në Kosovë qe që në lista të mos përfshiheshin kandidatë me aktakuza për vepra penale çfarëdo qofshin ato. Porse, siç do të komentonte me shumë sens dhe spirituozitet një mike imja në FB, nuk është problemi se pse kandidohen njerëzit me aktakuza, por pse në mesin e të gjithë atyre kandidatëve ka njerëz që ende nuk kanë aktakuza.

Se ka shumë njerëz të politikës që janë zhytur në e të spërkatur nga afera korrupsioni nuk ka shumë dyshime. Atë që e kanë dëshmuar sistemet tona prokuroriale e gjyqësore në këto dy dekada është se nuk janë të interesuar për të bërë ndjekje a për të gjykuar hajni. Janë të interesuar që të kryejnë punën për të cilën janë zgjedhur: që t'i mbrojnë "të mëdhenjtë" pa i prekur fare. Ose kur i prekin, të kërkojnë falje se pse e bëjnë atë.

Prandaj, në esencë nuk është shumë relevante po qe se ka njerëz me aktakuza në lista zgjedhore. Për shkak se nuk ka kurrfarë garancish që ato lista të përmbajnë edhe njerëz me duar të pastra apo vetëm të tillë.

Krejt kjo, thuhet, në kërkim të vlerave.

Mst: Vlera

Strellc i Poshtëm, Deçan

20 gusht 1998

Kishte shumë kohë që varganët me ndihma që niseshin për në Dukagjin duhej të udhëtonin nga Mali i Zi për të mbërritur në Pejë dhe Deçan. Arsyeja ishte bllokada e rrugës te Gryka e Llapushnikut. Barrikada, që në esencë ishte mbaruar prej një grumbulli gurësh dhe veturash të vjetra, në fakt nuk paraqiste ndonjë problem të madh për forcat serbe që me një tank (siç edhe do të ndodhte më vonë) ta mënjanonin. Krijohej përshtypja se e kishin lënë të qëndronte aty me qëllim, ashtu që t'u pamundësohej qarkullimi varganëve të organizatave ndërkombëtare me ndihma. Sepse pos kësaj magjistraleje, opsionet e tjera ishin të qarkullohej nëpër rrugë anësore, kryesisht malore, shumë të papërshtatshme për vetura të rënda.

Bllokada ra pak ditë pas rënies së Rahovecit dhe shtetrrethimit të hekurt të kësaj qyteze, në të cilën nuk na u lejua hyrja së paku edhe pesë ditë pasi që kishin ndodhur vrasjet brenda në qytezë.

Sidoqoftë, na u bë me dije se mund të qarkullonim "lirshëm" asaj rruge, dhe se secili cep i territorit të Kosovës ishte i qasshëm me vetura. Kishte shumë kohë që nuk kishim qenë as në Pejë e as në Deçan, dhe për herë të parë, një numër i madh organizatash ndërkombëtare kishin vendosur ta organizonin transportimin e ndihmave të shumëllojshme në komunën e goditur të Deçanit. Dhe kjo po ndodhte me kërkesën e një gruaje nga Strellci dhe me insistimin e një humanisti të papërsëritshëm, dr. Gani Demolli, argumentet e të cilit nuk mund t'ia mohonte asnjë përfaqësues i organizatave ndërkombëtare në Prishtinë.

* * *

Ajo quhej Sabrije Zeqaj. Një grua me energji uragani, me një sens të hollë humori dhe me një vullnet të pabesueshëm për jetën. Në rini e kishte pësuar një incident të shëmtuar që e kishte lënë të lidhur për karrocë. Pas disa vjetësh letargjie, e kishte "kthyer në jetë" miku i saj i shtrenjtë Halit Ferizi. Edhe ai vetë i lidhur për karrocë, e kishte bindur se mund ta vazhdonte jetën si përpara, por me kushte tjera, e madje edhe ta ngiste veturën vetë. Në moshën 30-vjeçare do ta themelonte organizatën që do të përkujdesej për persona me nevoja të veçanta dhe me të do t'i organizonte aktivitetet humanitare edhe në luftë.

Pas një shtegtimi disaorësh, për shkak se policia na ndali dy herë, një herë në Kijevë e më pas në Pejë - ku mbetëm të ngujuar nja dy orë - ia dolëm të mbërrinim në Strellc. Nuk shihej njeri i gjallë, derisa nga fundi i rrugës nuk u pa Sabrija, tek e shtynte karrocën e saj para, për të na uruar mirëseardhje: "E lumja unë e lumja kush na ka ardhë" - bërtiste posa e pa Ganiun, e më pas të gjithë neve të tjerëve që shkonim pas.

Shpejt e organizoi fshatin që ta bënin shkarkimin e mallit, se ne duhej të ktheheshim sa më shpejt në Prishtinë. Nuk patëm kohë as për t'u çmallur si duhet, e megjithatë e kuptuam se gjendja ishte tejet e rënduar. Siç do ta shënonte më vonë Ganiu në ditarin e tij, Sabrija na tha: “Në vend se të më inkurajojnë dhe të më japin shpresë bashkëfshatarët e mi, po më duhet t’i qetësoj ata. Gjithë ditën po endem prej një shtëpie në tjetrën dhe po i lus të mos i lëshojnë shtëpitë e tyre. Këtu me të madhe po flitet dhe po pritet se të shtunën forcat serbe do ta sulmojnë fshatin dhe të gjithë ata që nuk arrijnë të largohen nga fshati kanë me i vra dhe masakrua. Në fshat kanë mbetur vetëm disa pleq e plaka, të cilët nga frika e granatimeve të shtëpive po flenë në traktorë apo nën qiell të hapur”.

* * *

Sabrije Zeqaj vdiq papritmas para dy ditësh duke e lënë të pikëlluar të gjithë familjen, por edhe komunitetin e gjerë në Deçan dhe në qendrat e tjera të Kosovës. Ata që kanë pasur fatin ta njihnin dhe të punonin me të, do ta kujtojnë përherë si njeriun që kurrë nuk u dorëzua dhe që të gjithë qenien e saj ia dedikoi punës me persona që sikur ajo kishin pasur ndonjë nevojë të veçantë. Falë mendjes së saj të shëndoshë dhe insistimit, pas luftës ia doli ta hapte qendrën e Handikosit në Deçan, ku jo vetëm organizonte aktivitete, por ku edhe punësoi një varg vashash me nevoja të veçanta, që të qëndisnin me makinë qepjeje pajat e nuseve. Dhe që me punën e tyre të siguronin edhe mjete financiare për nevojat e veta.

Sabrija ka qenë një nga shembujt më të bukur e të mirë të vlerave të çmuara që i ka kjo shoqëri e jona e katandisur. Ishte vlerë që do ta mbajmë mend, si gruan e cila nga fatkeqësia e vet e nxori fuqinë për t'u ndihmuar atyre që besonin se më nuk kishte shpresë për ta.

Pushoftë e qetë!

Mst: Antivlerat

Ndërkohë, në parafushatën së cilës nisën të na nënshtrojnë partitë politike, në skenë doli Kadri Veseli. I veshur me një këmishë me logo të PDK-së, e thirri një konferencë për shtyp në të cilën e bëri publike intencën e tij për ta krijuar një "Pakt kundër korrupsionit". Kërkoi nga secila parti që ta nënshkruanin dokumentin me të cilin do ta përkrahnin "idenë e tij brilante" që korrupsionin në Kosovë duhej luftuar.

Në konferencë nuk pranoi pyetje të gazetarëve dhe u largua. Demek, "e bëra një goditje efekti, e tash ju merreni e lexojeni se çfarë ka dashur të thoshte autori".

Gazetarët nuk u morën fort me tekstin. Partitë politike e injoruan madje edhe e përqeshën. Për pasojë, refuzuan ta nënshkruanin. Ngase ky dokument nuk kishte asnjë kuptim të vetëm: korrupsioni nuk luftohet me copa letre e gjashtë-shtatë nënshkrime. Luftohet fillimisht me parandalim, e më pas edhe me mjetet që shteti normal i ka në dispozicion për t’i luftuar krimin e korrupsionin. Në Kosovën e kontrolluar nga PDK-ja e Veselit me shokët, intenca për ta luftuar vetveten është absurd i pakuptimtë që shërben vetëm për marketing politik, për ata që besojnë se atë që ka bërë PDK-ja në gjithë këto vite nuk është krim e korrupsion, por shpagim i merituar për meritat e luftës.

Kjo është kur antivlera nis kryqëzatat për kinse mbrojtjen e vlerës më të madhe që duhet ta ketë ky shtet: sundimin demokratik për të mirën e përgjithshme pa hajni, pa mashtrime.

Një tjetër antivlerë e Qeverisë së rënë (e këso antivlerash ka pasur aq shumë, sa asnjë përmbledhje e re e zgafellave nuk do t'i zinte) është edhe ministri i Arsimit në dorëheqje nga Qeveria, e i dorëhequr nga partia.

Shyqiri Bytyqi do të ketë qenë mbase ministri më i keq i Arsimit që ka pasur Kosova. Para se të vendoste të dorëhiqej nga NISMA, doli për të na thënë se ai nuk ka faj për asgjë, dhe se krejt veprimet që i ka ndërmarrë, pak a shumë, kanë qenë rezultat i trysnive politike. Nëse paska qenë kështu, pse atëherë nuk u "bë burrë" e nuk dha dorëheqje derisa e mbante pozitën dhe i punësonte krejt kushërinjtë e militantët e NISMËS në MASHT e sistemin arsimor. Nuk e dha dorëheqjen për shkak se edhe ai është pjesë e establishmentit politik, që tash e ndërron partinë për t'i larë gjynahet. Në kushte normale, ky do të duhej të merrej në përgjegjësi, e jo të trajtohej aset nga PSD-ja që e merr në gji të vetin dhe e kandidon për deputet.

Sikur kjo të mos mjaftonte, doli edhe antivlera tjetër e quajtur NISMA. Pas kalimit të Bytyqit në PSD (që është tash në koalicion parazgjedhor me AAK-në), NISMA e kërkoi shkarkimin e tij (sic!). Po edhe ky populizëm as nuk çon peshë e as nuk pi ujë, por vetëm e tregon diletantizmin politik ndër ne.

Edhe po të vendoste Haradinaj ta shkarkonte Bytyqin, edhe i pari, edhe i dyti janë në dorëheqje, pra a do të thotë kjo se do të emërohej një ministër i ri në dorëheqje, mundësisht ndonjë kushëri i Limajt, ashtu që të përfitonte ndonjë rrogë shtesë pas formimit të Qeverisë së re? E pabesueshme se me çfarë lehtësie dalin e bëjnë kërkesa e deklarata. A thua ende mendojnë se ama bash hiç nuk ka evoluuar votuesi kosovar?

Mbase edhe po harrojnë se çdo vit shtohen edhe rreth 30 mijë votues të rinj, që po shpresoj do të jenë më të kthjellët se ne, që të mos bien më në grackat e "heronjve" të luftës, të cilën shyqyr na e mbylli NATO-ja, se patëm me u zhdukë krejt.

* * *

Thuajse edhe 20 ditë kanë mbetur deri në nisjen e fushatës zyrtare. Ndërkohë do të na e mbushin kokën me rrena e budallallëqe në kërkim të pozicionimit më të mirë para zgjedhjeve. Mbase edhe do të na tregojnë se çfarë programi politik kanë, nëse e kanë, e mbase edhe do ta kenë kuptuar se i pari që premton punësimin gjashtëshifror dhe liberalizimin e vizave nuk do të ketë shans për të fituar.

E votuesit do të jetë aftësia për ta dalluar vlerën nga antivlera. Se sa kemi arritur ta zhvillojmë këtë aftësi, do ta kuptojmë shumë shpejt.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi