Duam fitore, duam fitore!

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 16 September 2019 08:21

Jo nuk ishin këto brohoritje të militantëve partiakë për fitoret zgjedhore dhe fushatë, por ishin klithje nga shpirti për fitoren e përfaqësueses së tyre, me të cilën sot aq shumë janë të mishëruar.

Edhe unë nuk do t’ju kursej nga një përshkrim i shkurtër në ditarin tim nga këndvështrimi im për atë se çfarë ndodhi në stadiumin “Saint Mary's” të Southamptonit. Unë nuk njihem për ndonjë tifoz të flaktë të futbollit, aq më pak për dikë që i njeh atë, lojtarët, si dhe klubet për t’u futur në analiza të thella. Shpeshherë në Facebook unë më shumë i ngacmoj adhuruesit e flaktë të ndonjë klubi apo futbollisti, sepse për mua mbetet vetëm një lojë e bukur për sy, në shumë momente edhe me dramaticitet në fushë, por asnjëherë që unë ta humbas arsyen time për çfarëdo që mund të ndodhë në fushë.

Do t’jua zbuloj edhe një të vërtetë. Kjo do të ishte ndeshja e parë në jetë të cilën unë do ta shikoja LIVE në fushën e futbollit në Angli, qysh prej vitit 1992 kur shkela këtu për herë të parë. Pra, e keni më shumë se të qartë se për çfarë pasioni ndaj futbollit po flasim kur kam mundur të qëndroj aq indiferent gjatë gjithë këtyre viteve. Mirëpo të mos gabohemi. Fakti se unë nuk jam një adhurues i flaktë deri në dëlir, nuk më ka bërë injorant në masën për të mos e kuptuar rëndësinë e këtij sporti në një shoqëri, urat lidhëse që ky sport i ka bërë ndërmjet popujsh dhe një mori vlerash të tjera (hiç këtu pjesën e përfitimeve nëpërmjet bastoreve).

Anglia ka kaluar nëpër kapitullin e saj të errët të futbollit dhe huliganizmit nëpër fushat e futbollit brenda dhe jashtë Anglisë qysh në vitet ‘80. Kryeministrja e atëhershme britanike, Margaret Thatcher, mori ca hapa radikalë duke e suspenduar pjesëmarrjen e klubeve dhe participimin e tyre në gara ndërkombëtare për 5 vjet, ndërtimin e rrjetave të hekurta si kafaz në fushat e futbollit, identifikimin e të gjitha grupeve ultra, dënimin e udhëheqësve të tyre, si dhe klubeve. Ishte rrugë e gjatë dhe e mundimshme për futbollin anglez, por ata ia dolën mbanë. Sot fushat e tyre të futbollit, si dhe pjesëmarrja në ndonjë ndeshje LIVE është sikur të shkosh në një shfaqje të bukur teatri. Njerëzit shkojnë me familjet e tyre, me fëmijët, dhe masat e sigurisë dhe të komoditetit për të shikuar një ndeshje futbollistike janë në maksimum.

Në Kosovë u ktheva pas përfundimit të luftës në vitin 2000. Ishte shoqëri e dalë nga një aparteid më shumë se 10-vjeçar, si dhe nga kulmimi i një lufte jo të barabartë dhe shkatërrimtare në njerëz, në gjërat materiale dhe infrastrukturë. Ishte më se normale që në atë ndjenjën njerëzore shoqëria të binte edhe nën ndikimin e euforisë për shkak të çlirimit, sepse jeta e të shtypurit nuk është e kollajshme dhe sakrificat e mbarë popullit kishin qenë enorme gjatë viteve. Futbolli gjendej aty, në atë pikë ku gjendej edhe çdo segment tjetër i shoqërisë, pra ishte i rrënuar dhe do të nevojitej një entuziazëm i pashoq për t’u marrë me rimëkëmbjen dhe organizimin e tij në një shoqëri të dalë nga aparteidi dhe tashmë edhe lufta.

Statusi jo i rregulluar politik si pasojë e kishte faktin se futbolli do të luhej vetëm përbrenda kufijve të saj, por kjo assesi nuk i ndaloi ata të cilët këtë sport e kanë pasion dhe i janë dedikuar me gjithë qenien e tyre, qoftë si lojtarë aktivë nëpër klubet e ndryshme kosovare, qoftë si pjesë organizative e këtij sporti në Kosovë. Infrastruktura ku po zhvilloheshin këto ndeshje kishte pësuar shumë gjatë viteve e sidomos si pasojë e luftës, por as kjo nuk do të ishte pengesë që garat të vazhdonin që të mbaheshin, që liria e Kosovës të shijohej në secilin cep të saj (hiç këtu pjesën veriore).

Vitet po kalonin, klubet kosovare tashmë kishin edhe simpatizuesit e tyre, edhe nga ata ultra. Jo rrallë do të shikonim skena jo të këndshme nëpër fushat e futbollit të Kosovës, disiplina nëpër ndeshjet e futbollit do të linte shumëçka për të dëshiruar, mirëpo unë në vete isha i bindur se një ditë do t'ia dilnim mbanë. Ishte viti 2007, gjë të cilën jua kam treguar edhe më parë në ditarin tim kur, pas kërkesës të cilën unë e pranova nga KF Prishtina për sponsorizimin e saj nga ana e bankës ku punoja, kërkova që të takohesha me Fadil Vokrrin legjendar, i cili veçse ishte kryetar i Federatës së futbollit të Kosovës. Si drejtor i marketingut i bankës “Raiffeisen”, e cila shtrihej dhe operonte në mbarë Kosovën, pavarësisht kërkesës shumë legjitime dhe të leverdishme nga aspekti i marketingut nga ana e KF Prishtina, unë kërkova për hapësirë dhe mundësi se si do të mund të bashkëpunonim me Federatën në afat më të gjatë dhe që kjo ndihmë të mos përqendrohej vetëm në kryeqendër dhe në një klub, por që ajo disi të shpërndahej dhe përfitues të ishte secili klub pjesëmarrës në Superligën e Kosovës. Pas disa takimesh dhe planesh e dakordimesh, me z. Vokrrin e arritëm një plan të përbashkët se si do t’i qaseshim këtij bashkëpunimi. Përpiluam edhe kërkesën të cilën unë do ta shtroja pranë bordit menaxhues të bankës, ku unë gjithashtu do t’i arsyetoja të mirat e përfshirjes së bankës në këtë projekt. Rrugëtimi nuk ishte i lehtë. Viti i parë i ndihmoi shumë klube që të mos shuheshin si pasojë e jomundësisë së tyre për t’i përballuar kostot e kuotizimeve për garat. Kishte edhe probleme me disiplinën në fushë gjatë ndeshjeve qoftë nga fansat e futbollit, qoftë nga vetë lojtarët. Me të gjitha këto u morëm si partnerë të vërtetë. Me gjithë presionet që ndonjëherë unë i kisha edhe përbrenda bankës për tërheqjen e përkrahjes së Federatës, pikërisht për shkak të problemeve dhe disiplinave nëpër fushat e futbollit, disi prapë arrija që çështjen ta shtyja tutje nga viti në vit.

Duke i parë duart e politikës së ndyrë se si i fut aty ku më së paku ajo kontribuoi, unë modestinë time do ta përshëndes, jo për te glorifikuar veten time, por thjesht për të thënë një pjesë të historisë së futbollit te ne ashtu siç ajo ka qenë.

Me Fadilin e kishim një marrëveshje dhe rrugëtimi ynë i përbashkët do të zgjaste deri atëherë kur çështja e futbollit kosovar do të ndërkombëtarizohej. Çdo vit kontrata pasuese me Federatën do të begatohej me një element shtesë. Hapjen dhe organizmin e ligës së femrave në futboll, kampet verore dhe turnet për fëmijë dhe të rinjtë, sjellja e ekspertëve të ndryshëm ndërkombëtarë për workshope të ndryshme etj. Ëndrra dhe projekti ynë i përbashkët afatgjatë ishte që futbolli kosovar një ditë të njihej edhe ndërkombëtarisht. Kur ajo ditë erdhi, unë veçse nuk gjendesha në Kosovë, për arsye familjare isha kthyer prapë në Angli. Por Fadili më mori në telefon nga Zvicra, ku edhe pse nuk e shihja fizikisht, në zërin e tij e dëgjoja atë gëzimin sikur të një fëmije kur e pranon dhuratën e tij të ëndërruar aq gjatë, e aq të shtrenjtë. "Asdren ia dolëm, prej sot Kosova është Federatë e barabartë me çdo federatë tjetër të futbollit në botë. Ja këtu jam me kryeministrin, ministrat dhe njerëzit e Federatës. Dëshiroj që edhe një herë të falënderohem për besimin dhe mbështetjen të cilën e bëre për ne edhe si individ, edhe si përfaqësues i ‘Raiffeisen Bank’. Mos na u shtjerrshin sukseset". Këto ishin fjalët të cilat Fadili m’i tha në telefon e unë në ato momente gjendesha para shkollës së djalit tim, Jonit, dhe po prisja që ai ta përfundonte mësimin. E si mundja që t’i ndaloja lotët që më rridhnin faqeve. Çfarë do të mendonin njerëzit, aq më bënte. Kosova ime e përvuajtur, gjenerata ime e sakrifikuar që nuk e gëzoi lirinë, nuk do të ishte fat i njëjtë për shumë të rinj e të reja, talente të Kosovës, që tashmë do të garonin në garat ndërkombëtare.

***

Lojën e shumëpritur të përfaqësueses së Kosovës kundër Anglisë në Southampton kisha vendosur se do ta shikoja në një lokal sportiv në Marylebone, ku unë jetoj në Londër. Do të isha në mesin e shumë shikuesve anglezë dhe do ta shikoja ndeshjen me ta. Ky ishte plani im dhe të njëjtin e postova ashtu me fotografinë përcjellëse të atij lokali dhe shakanë time të çastit. Nuk kaluan shumë orë dhe unë pranova një mesazh privat nga miku im i çmuar Ilir Havolli, i cili më kishte shkruar: "Dreni, unë e kam një biletë tepër dhe me dy miq të tjerë do të shkojmë me veturën time për të shikuar ndeshjen. Je i mirëseardhur që të na bashkohesh". E kush me mend në kokë do ta refuzonte një ofertë të tillë? E falënderova se i isha kujtuar dhe se me shumë dëshirë do t’iu bashkëngjitesha që këtë ndeshje të veçantë ta shihnim bashkë.

Rruga për në Southampton ishte mjaft e ngarkuar, sidomos në hyrje të qytetit ishin krijuar fytet e ngushta dhe trafiku po qarkullonte fare ngadalë. Në një moment Iliri e hapi xhamin e veturës dhe e pyeti shoferin e një taksie, e cila gjithashtu po priste në rendin e krijuar se pse ishte kjo tollovi. Është çmenduri vëlla iu përgjigj ai, është për shkak të ndeshjes. Me të arritur pranë stadiumit, sfida e radhës ishte që të gjenim një vendparkim për veturën. Pas ca gjirove poshtë e lartë, edhe kjo sfidë u tejkalua.

Kishin mbetur edhe 20 minuta deri në fillimin e ndeshjes. Biletat tona ishin në pjesën e ndarë për tifozët anglezë. Stjuardët që kujdesen për sigurinë në stadium po ndalonin shumë simpatizantë të Kosovës, të cilët biletat i kishin blerë në Angli dhe kishin përfunduar në anën ku ishin edhe simpatizantët anglezë. Arsyeja e ndaljes ishte sepse nuk u lejonin që të mbanin veshur fanellat e përfaqësueses kombëtare, flamujt apo çfarëdo rekuizite tjetër identifikues. Anglezët janë djegur nga qumështi i nxehtë më parë, tashmë i fyejnë edhe kosit dhe i ikin çdo mundësie ku provokimet mund të ndodhin në stadium. Ne nuk patëm fanella e as rekuizita të tjera, por ishin sigurisht pamja jonë dhe lëkura ngjyrë ulliri, si u thonë anglezët, ato që na "tradhtuan". Kujdestari me buzëqeshje m’u drejtua "ti je një nga fansat kosovar". Jo ia ktheva me një akcent cockney, unë jam me Anglinë". Po tha sigurisht dhe të dy qeshëm.

Intonimin e himneve nuk e dëgjuam se arritëm me vonesë. Posa ne u ulëm në ulëset tona u dëgjua fishkëllima e gjyqtarit dhe më shpejt se që unë do ta përfundoja këtë rresht të ditarit, Kosova e shfrytëzoi një gabim të lojtarëve anglezë dhe qysh në sekondën e 40-të shënoi gol. Nuk e di se a ka fjalë që mund t’i përshkruajë ndjenjën dhe reagimin e simpatizantëve të Kosovës. Ushtoi i gjithë stadiumi. Anglezët edhe në fushë, edhe në tribuna mbetën të shtangur dhe të shokuar. Të gjitha që u thanë dhe u shkruan për këtë përfaqësuese të Kosovës nuk paskan qenë të rastësishme, e dëshmuan që në minutën e parë. Nuk kishin ardhur këtu për t’u nënçmuar, por për të luftuar për një fije respekti ndaj tyre nga një skuadër superiore siç është Anglia.

Por ky gol aq i hershëm në ndeshje do të tregohej më i kobshëm për skuadrën e Kosovës se atë të Anglisë. Stadiumi po gjëmonte nga brohoritjet e kosovarëve "duam fitore", "edhe njo, edhe njo". Unë nuk do të hyj në përshkrimin teknik të ndeshjes e as golashënuesve, sepse besoj ato i keni dëgjuar mjaft tashmë dhe parë shumë herë, dhe përveç kësaj, unë nuk jam kurrfarë eksperti që të merrem me atë analizë. Sidoqoftë, përvoja e anglezëve do të ishte determinuese që ata të ktheheshin në lojën e tyre dhe të mos binin viktimë e shokut të pësuar qysh me fillimin e ndeshjes. Kosova filloi t’i korrte frytet e ndëshkimit nga përfaqësuesja angleze. Gol pas goli. Kur shënonin anglezët, unë dhe miku im duartrokitnim edhe për ta. E si të mos duartrokas. Gjysma e jetës sime i takon këtij shteti. Babai dhe vëllai im prehen në tokën e këtij shteti, i cili bëri aq shumë për përkujdesjen ndaj tyre dhe sëmundjeve me të cilat ata u ballafaquan. Simpatizantët anglezë, që ishin pas nesh, nuk po kuptonin se çfarë po ndodhte, ne u gëzuam në dëlir për golin e shënuar nga Kosova, por po e përshëndesnim edhe secilin gol të anglezëve. Ua shpjegova anglezëve se ne ishim kosovarë me origjinë, por që tash jetojmë në Angli dhe këtu jemi që të kënaqemi në një spektakël futbolli midis dy vendeve aq miqësore, dhe pavarësisht se kush do të fitonte ne prapë do të ndiheshim fitues. Ne i fituam zemrat e tyre. Ishin djem më të ri në moshë. Fundi i pjesës së parë e zuri Kosovën me rezultatin 5:1 dhe po qe se loja do të vazhdonte me të njëjtin temp, Kosova do ta pësonte edhe më keq.

Me fillimin e pjesës së dytë brohoritjet e tifozëve të Kosovës vetëm sa shtoheshin në volum "duam fitore, duam fitore". Jo nuk ishin këto brohoritje të militantëve partiakë për fitoret zgjedhore dhe fushatë, por ishin klithje nga shpirti për fitoren e përfaqësueses së tyre, me të cilën sot aq shumë janë të mishëruar. Ua përktheja anglezëve që ishin të ulur pas meje. Çka? Çfarë fitoreje? Po ju po humbisni 5:1? A nuk dorëzohen këta? U thashë se sikur të ishte dorëzimi në natyrën e tyre, sot nuk do të ishin këtu ku janë as ata, e as unë. Loja vazhdonte rrjedhën e saj, por tashmë tempi i saj kishte marrë tjetër kah, lojtarët e Kosovës kishin marrë veten dhe po luanin lojën e tyre. Nuk kishin ardhur në Angli për t’u nënçmuar e as gjunjëzuar aq lehtë pa luftuar. Filluan të krijoheshin rastet e para. Presioni i lojës së kosovarëve po shtohej në lojtarët anglezë. Ra edhe fryti i parë i asaj shtypjeje. U shënua goli i 2-të i Kosovës. Tashmë miqtë e mi të rinj anglezë po e duartrokitnin Kosovën dhe po brohorisnin për të së bashku me ne. Këta më të vërtetë nuk po u dorëzuakan, më thanë. Jo u thashë, nuk është në ADN-në tonë që të dorëzohemi. Nuk kaloi shumë kohë dhe u shënua edhe goli i tretë i Kosovës, stadiumi po gjëmonte. "This is crazy", po thërrisnin tifozët anglezë prapa nesh dhe po duartrokisnin Kosovën. Edhe neve na u kthye ajo pjesa e mburrjes se nga këtu nuk do të largoheshim të poshtëruar, të deklasuar dhe nënçmuar. U mbrojt edhe një penallti nga ana e portierit të Kosovës. Tashmë fansat anglezë e kishin respektin e plotë për Kosovën, dhe jo vetëm fansat prapa nesh, por i mbarë stadiumi. Respekti u fitua poshtë aty në fushën e blertë nga 11 djelmosha, të cilët nuk po dorëzoheshin dhe të cilët ende ishin në kërkim të golave të tjerë. Mund ta parafytyroja buzëqeshjen e mikut tim të ndjerë, Fadil Vokrri, sikur të ishte aty pranë meje duke e shikuar këtë ndeshje së bashku, duke më prekur ashtu me dorë dhe duke më thënë: "Asdren a po i sheh". Mirëpo unë mendoj se ai ishte aty në secilin prej nesh, ishte në atomin e secilit lojtar kosovar, ishte në zemrën e secilit tifoz, dhe Fadili është dhe ndihet i mburrur dhe i qetë kudo që të jetë. Misioni i tij jetësor është përmbushur. Cili është i juaji? E keni pyetur ndonjëherë veten?

Ndeshja përfundoi. Kosova pësoi humbje, mirëpo Kosova tregoi luftë dhe qëndrueshmëri të vërtetë. Ata i djersitën mirë edhe futbollistët anglezë e edhe tifozët anglezë. E fituan simpatinë dhe i fituan zemrat e shumë njerëzve. Mendoj se disa nga ta shumë shpejt do t’i shohim edhe nëpër klubet angleze, sepse u pa se çfarë talenti dhe kualiteti fshihet aty. E shumë dyer të reja do të hapen për talentet e reja anembanë botës.

Prandaj nuk është aspak korrekte që këta djem të rinj e të përkushtuar të shfrytëzohen për qëllime politike e për fushata politike. Ata po e arrijnë atë që politika nuk e arriti për 20 vjet. Prandaj duart e politikës larg nga Federata e futbollit, nuk jeni kurrfarë hisedarësh aty. Edhe kryetari i Federatës së futbollit duhet të ketë shumë, shumë kujdes me ekspozimin e lojtarëve të përfaqësueses dhe identifikimin e tyre me parti politike apo liderë të partive politike. Ata janë pasuri shtetërore e jo partiake. Lini këta djelmosha që punën e tyre ta bëjnë më së miri ashtu siç ata dinë, pa ua ngarkuar edhe barrën e politikës ditore përmbi supet e tyre.

Ata këtë gjë nuk na e kanë për borxh.

P. S. Ramush e pashë në postimin e zëvendëskryeministrit të parë në detyrë dhe ish-ministrit të Punëve te Jashtme se djelmoshat i kishin eksituar mjaft me lojën e tyre, as ty s’të kishin lanë për muhasere. Por e kuptoj, sepse më të vërtetë kanë luajtur mirë…

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Met17/09/2019 09:17

Faleminderit per kete pershkrim! Tani ndihem me mire edhe pse nuk pata mundesine te jeme ne stadion live.

LondonBoy17/09/2019 09:19

A ti lypi paret e bUletes, havolli? Se edhe kafen fallc (don caffe) e shesin per shqiptar aty, tjeter lloj kafe per ingilizat. Ja u merr mendja se nuk e dallojn shypet kvalitetin.

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani