Nata e madhe e Kosovës

Enver Robelli Enver Robelli 19 September 2019 08:23

Një ndeshje e futbollit, ndonëse e humbur, megjithatë trimëron kosovarët për ëndrra të mëdha. Kur në futboll arrihet diçka e paimagjinueshme, pse jo edhe në fusha të tjera?

Gjithçka çka na kujtohet nga e kaluara është ardhmëria. Paramendojeni me çfarë krenarie do t'i përgjigjeni pas 10 apo 20 vjetësh pyetjes: ku ke qenë një ditë pas ndeshjes Kosova kundër Anglisë? Kur fjala #kosovo në Twitter u bë trend global, kur gazetat e Londrës fitoren e ekipit të vet e regjistronin vetëm si fakt, e kureshtjen e ruanin vetëm për Kosovën, "the tiny nation", atë kombin e vogël, që po e habit botën, kur gazeta të tjera të Evropës shkruanin: festival i golave në Angli, Kosova e patrembur humb në një spektakël të çmendur, kur gazetarët gjermanë vraponin t'i portretojnë futbollistët e Kosovës me përvojë në Bundesliga, kur kolegët e tyre zviceranë Kosovën e përshkruanin si kanton të 27-të dhe numëronin futbollistët e Kosovës që janë lindur në Zvicër dhe kanë lozur diku mes Gjenevës dhe St. Gallenit. Gjatë, tepër gjatë do të mbahet në mend 10 shtatori i vitit 2019.

Në rastin e Kosovës futbolli është më shumë se sport. Është dëshmi se edhe një vend i vogël, me histori të vështirë dhe me mungesë të zhvillimit, korr sukses aty ku i ka njerëzit e lirë për të ndjekur ëndrrat e tyre. Gati të gjithë futbollistët e Kosovës bëjnë karrierë në botën e jashtme. Ata janë kthyer për ta marrë me vete një popull në rrugën e prekjes së horizonteve që dukeshin dikur të paprekshme. Madje deri në vitin 2016 dukeshin të paprekshme.

Tek në atë, pas shumë pengesave, Kosova u anëtarësua në UEFA dhe FIFA. Ndeshja e javës së kaluar, ndonëse e humbur, megjithatë trimëron kosovarët për ëndrra të mëdha. Kur në futboll arrihet diçka e paimagjinueshme, pse jo edhe në fusha të tjera? Pse jo në ekonomi, arsim e politikë?

Ku ke qenë në vitin 1954, kur Gjermania u bë kampion i botës në futboll? Këtë pyetje edhe sot ia bëjnë njëri-tjetrit gjermanët e moshuar. Më të rinjtë e pyesin njëri-tjetrin: a e ke parë filmin e Sönke Wortmann? Filmin «Das Wunder von Bern» (Mrekullia e Bernës)? Finalja e vitit 1954 u zhvillua në kryeqytetin e Zvicrës. Fitorja e atij viti u dha gjermanëve vetëbesim të pafrenueshëm për ta ndërtuar shtetin – përkundër fajit historik.

Kosova nuk ka faj historik. Kosova e ka fituar lirinë duke kapërcyer nëpër vrimën e gjilpërës. Më 5 shtator 2016 në bregdetin finlandez, në Turku, Kosova shkroi histori - me ndeshjen e parë në arenën ndërkombëtare si shtet i pranuar në federatën botërore dhe atë evropiane të futbollit. Pastaj nisi drama e mrekullive: 14 ndeshje e pamposhtur. Përballja me Anglinë ishte më shumë se lojë.

Shumë gjermanë i dinë përmendësh emrat e lojtarëve të vitit 1954 dhe emrin e komentatorit të ndeshjes. Ai quhet Herbert Zimmermann. Në mediat gjermane edhe sot botohen portrete të tij. Jehona e ndeshjes mes Kosovës dhe Anglisë ishte e madhe jo vetëm në viset shqiptare dhe në diasporë. Në Zvicër, për shembull, lojtari i 12-të i Kosovës ishte Matt Roethlisberger, ai që në tv24 e komentoi ndeshjen.

Disa thekse nga komentimi i tij: ky refer nuk është serioz përtej çdo dyshimi, Kosova beson në çmendurinë e fitores - e pse mos të besojë, po vetëm kush beson në çmenduri mund të luajë kështu, si Kosova, pa humbje, fansat e Kosovës - të zëshëm, ata janë të kënaqur dhe duhet të jenë të kënaqur me djemtë e tyre. Dhe kështu më tutje, me këtë ton mes habisë dhe entuziazmit të pafrenueshëm. Fjalia e tij e mbrëmjes ishte kjo: "Gol nga Valon Behrami, më falni, çka po flas unë, natyrisht Valon Berisha".

Në gjithë këtë tollovi të bukur emocionale javën që shkoi doli presidenti çek dhe tha se nuk e donte Kosovën. Diçka tjetër as që duhet të pritet nga një politikan si Millosh Zemani, i njohur për problemet e tij me pije të forta, i përbuzur si palaço për shkak të relativizimit të krimeve komuniste, i kritikuar për shkak të afërsisë me Vladimir Putinin.

Në Beograd Zeman tha, po ashtu, se do të përpiqej të tërhiqte njohjen e Kosovës, duke aluduar se Kosova për të nuk ekziston si shtet. Zeman nuk duhet të merret seriozisht. Sepse Zeman nuk është Çekia. Siç e tha Karel Schwarzenbergu, ish-ministri i Jashtëm çek: nëse Zemani mendon se Kosova nuk ekziston, atëherë le t’i pyesë futbollistët çekë.

Lideri i partisë opozitare STAN, Vit Rakushan, nënvizoi: "Po të doja të jem mizor, do të thosha se (Zemani) mund të llomotisë në pistën e aeroportit çfarë të dëshirojë. Politikën e jashtme dhe drejtimin e saj i përcakton Qeveria".

Zemanin nuk do ta mbajë askush në mend për marrëzitë e tij. Por Valon Berishën po. Ai momenti kur pas 35 sekondave pamëshirshëm e shfrytëzoi një gabim të mbrojtësit Michael Keane dhe shënoi për Kosovën. 35 sekonda!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Naimi23/09/2019 09:43

@Arber: Çka ka lidhje sporti me politikën? Mos e ke fobi VV?

Arber20/09/2019 10:11

Pse VV gjithmon e ka injoru kombëtaren e Kosovës? A duhet shperblyer me votë ata të ciët kanë pasur kontribut negativ ne kétë sukses?

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli