Mandati i dështuar

Agron Bajrami Agron Bajrami 22 September 2019 09:51

Nuk është Mogherini e para që e vuri dialogun në krye të listës së prioriteteve në raport me Kosovën. Por është e para që nga pozicioni i saj “lehtësues” në dialog e legjitimoi të drejtën e Thaçit dhe Vuçiqit që një këmbim të synuar territoresh dhe popullatash ta prezantojnë si një zgjidhje e arritshme, madje edhe evropiane! Lejoi që tavolina e dialogut në Bruksel të shndërrohej në tezgë rivizatimi hartash e kufijsh, duke plotësuar (bashkë me presidentin e Kosovës) ëndrrën më të madhe të nacionalistëve serbë – negocimin e kufijve etnikë në Kosovë, me çka krijohet hapësira e kërkuar për revidimin e gjithë kufijve në Ballkan

I

“Lehtësimin” e dialogut Kosovë-Serbi, shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, e nisi në mars të vitit 2015, rreth katër muaj pasi mori postin në Bruksel, duke bërë një vizitë në Prishtinë dhe më pas në Beograd. Qysh në këtë vizitë të parë, Mogherini, ish-ministre e Jashtme e Italisë, e cila në krye të shërbimit të jashtëm të BE-së e zëvendësoi baroneshën angleze Catherine Ashton, tregoi se ka aftësinë e injorimit të përgjegjësisë së saj në këtë proces, i cili për qytetarët e dy vendeve të Ballkanit peshon sa krejt jeta e tyre.

Të përkujtohemi pak: në Prishtinë, gjatë një debati publik me studentë në Bibliotekën Kombëtare, e pyetur nga audienca të qartësojë pozicionin rreth dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve, siç ishte ajo për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Mogherini tha se “dialogu ndodh mes dy shteteve sovrane”, dhe se ajo dhe BE-ja janë thjesht “lehtësues” - asgjë më shumë.

Një ditë më pas, në Beograd, kur u pyet të qartësonte deklaratën e saj rreth shtetit sovran të Kosovës, e cila i kishte shqetësuar thellë të gjithë, përfshirë Vuçiqin dhe Daçiqin, Mogherini tha se biseda në Prishtinë ishte “kolokviale” – pra, e “e gjuhës së folur” – e bërë me fjalor joformal, dhe si e tillë nuk shpreh qëndrimin e BE-së rreth Kosovës!

Kështu, qysh në vizitën e parë Mogherini arriti që në Prishtinë të thotë se Kosova është shtet sovran, dhe në Beograd të thotë se BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet sovran! Dhe të gjithë u ndanë të kënaqur – Kosova, se tani kishte një zyrtare të BE-së që e njeh si shtet, dhe Serbia, se BE-ja konfirmon zyrtarisht se nuk e njeh Kosovën shtet. E Brukseli ishte i kënaqur, sepse tani hapej rruga për dialogun e proklamuar të nivelit të lartë, të cilin Mogherini do ta udhëhiqte personalisht deri në fund të mandatit të saj.

II

Dhe, ja ku jemi, pesë vjet më vonë, në fund të mandatit të saj.

Ka më shumë se një vit që dialogu nuk vazhdon. Përkundër fjalëve dhe presioneve të shtuara për arritjen e “marrëveshjes finale”, e vërteta është se nuk jemi asnjë hap më afër përmbylljes së procesit sesa që ishim para pesë vjetësh, në fund të mandatit të baroneshës Ashton.

Ndërkohë, shumica e marrëveshjeve të arritura deri më tash, përfshirë edhe ato “historiket” nga koha e pararendëses së Mogherinit, nuk zbatohen plotësisht, ndërsa gjatë viteve të dialogut të Mogherinit shpeshherë ka pasur tensionime mes Kosovës dhe Serbisë deri në pikën e vlimit (të kujtojmë këtu vetëm situatën e krijuar në janar të vitit 2017, në veri të Kosovës, me trenin provokues serb dhe me ndërtimin e murit te ura mbi lumin Ibër).

Paralel me dialogun, Kosova për pesë vjet mbeti e izoluar, liberalizimi i premtuar i vizave nuk ndodhi, ndërsa edhe progresi në përmbushjen e agjendës reformuese evropiane ngeci. Për këto, natyrisht, nuk mund ta fajësojmë Mogherinin – është Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera të vendit ato që dështuan në arritjen e këtyre. Por Mogherini dhe ekipi i saj u treguan tejet të heshtur kur duhej adresuar këto dështime me qeveritarët kosovarë, derisa ishin shumë të zellshëm për të dalë me deklarata rreth çdo gjëje që në një mënyrë a tjetër rrezikonte dialogun. Kështu, publiku kosovar nuk ka se si të mos konkludojë se për Mogherinin dhe ekipin e saj niveli i demokracisë në Kosovë, dhe sundimi i ligjit në Kosovë, dhe reformat ekonomike në Kosovë – janë të një rëndësie dytësore krahasuar me dialogun Thaçi –Vuçiqi.

III

Nuk është Mogherini e para që e vuri dialogun në krye të listës së prioriteteve të BE-së dhe të Perëndimit në raport me Kosovën. Ka pasur dhe do të ketë shumë diplomatë që çështjen e Kosovës do ta kenë pjesë të detyrës së tyre vetëm për shkak të dialogut. Apo kryesisht për shkak të dialogut.

Këto janë të kuptueshme, sepse marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë është një nga çështjet e pakta që kanë mbetur të papërmbyllura në Evropën Juglindore. Dhe kërcënimet e përhershme politiko-ekonomiko-ushtarake nga Rusia dhe bota lindore në përgjithësi sigurisht se luajnë rol të madh në insistimin që Kosova dhe Serbia t’u japin fund mosmarrëveshjeve dhe të ndërtojnë një raport të ri mes vete, të bazuar në fqinjësinë e mirë dhe në standardet evropiane.

Natyrisht, është iluzion të besohet se fqinjësia e mirë dhe standardet evropiane janë të mundshme në shtete që nuk kanë demokraci funksionale dhe ku nuk sundon ligji, por politikanët në pushtet. Por, megjithatë, të parët që duhet të luftojnë për demokracinë dhe shtetin ligjor janë qytetarët e vetë shtetit në fjalë, jo diplomatët perëndimorë. Andaj puna e Mogherinit nuk do të ishte cilësuar e dështuar në Kosovë për shkak të qasjes së saj pasive dhe shpeshherë injoruese ndaj problemeve tona me demokracinë dhe ligjin. Do të ishte cilësuar e pamjaftueshme, ndoshta – por jo edhe e dështuar.

IV

E, megjithatë, ne sot themi se është e dështuar! Dhe gëzohemi që mandatit të saj i erdhi fundi. Gëzohemi, me gjithë faktin se në vend të saj vjen ish-ministri i Jashtëm spanjoll, i cili si zyrtar i lartë i Qeverisë në Madrid gjatë vitit të fundit nuk ka lënë rast pa e përmendur pozicionin kundërshtues ndaj pavarësisë së Kosovës. Pse?

Sepse Mogherini, nga pozicioni i saj “lehtësues”, lejoi legjitimimin e diskutimeve të ndarjes dhe ndërrimit të kufijve të Kosovës. Legjitimoi të drejtën e Thaçit e Vuçiqit që një këmbim të synuar territoresh, që pashmangshëm do të përcillej edhe me këmbime popullatash, ta prezantojnë si një zgjidhje e arritshme, madje edhe evropiane! Mogherini lejoi që tavolina e dialogut në Bruksel të shndërrohej në tezgë rivizatimi hartash e kufijsh, duke plotësuar (bashkë me presidentin e Kosovës) ëndrrën më të madhe të nacionalistëve serbë – negocimin e kufijve etnikë në Kosovë, me çka krijohet hapësira e kërkuar për revidimin e gjithë kufijve në Ballkan. Shikoni, tani dalin edhe lobistë amerikanë që thonë se Serbisë duhet siguruar “dalje në det” dhe futja e Shqipërisë në lojën me territore!

Dhe ku mbeti shteti sovran i Kosovës, për të cilin fliste Mogherini para pesë vjetësh, në vizitën e saj të parë në Prishtinë si “lehtësuese” e dialogut?

V

Tani Mogherini e përfundon mandatin. Nuk është e besueshme se do të mbetet pa punë. Nëse nuk vazhdon në diplomaci, do të gjejë angazhim tjetër, të paguar mirë – siç i ka hije një ish-ministreje dhe ish- nënkryetareje të Komisionit Evropian dhe një shefeje të diplomacisë së BE-së. Kush e di, mund të angazhohet edhe si këshilltare e ndonjë presidenti apo qeverie, mbase edhe në rajon, siç bëri pararendësja e saj Ashton. Mogherini nuk do ta ketë problem punën - ka një CV atraktive, në të cilën sigurisht se nuk do të shkruajë se puna e saj në krye të diplomacisë së BE-së ishte një dështim, së paku në rastin e Kosovës.

Dhe, derisa ajo vazhdon rrugën e saj, ne do të mbesim me pasojat e “lehtësimit” që na i bëri gjatë dialogut me Serbinë. Dhe me problemet e njëjta me demokracinë, qeverisjen, sundimin e ligjit, reformat e munguara, ekonominë e parimëkëmbur, standardet e paarritura… si para pesë vjetësh.

agronb@kohaditore.com

© KOHA Ditore

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami