Vrapi pas “lokomotivës” që s’lëviz

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 29 September 2019 08:00

Nga drejtimi i “lokomotivës” nuk heqin dorë as ata që i bënë sherrin. Dikush thotë se do ta vërë në lëvizje e dikush tjetër se do t’i nxjerrë para drejtësisë prishësit e saj. Ka edhe që mburren që e kanë sjellë në këtë gjendje, duke thënë se më me rëndësi është se “makina” është pronë e jona

Kosova ngjan në një “lokomotivë” me defekt. Ka vite që nuk lëviz vendit. Asaj i hipën kush mundet - me apo pa leje. Punë e madhe që nuk të çon kund, punë e madhe që “vagonët” e saj, që mbartin fatet e njerëzve, mbahen peng.

Kostoja për mirëmbajtjen e saj sa vjen e shtohet - investitorë janë qytetarët që besojnë se janë edhe pronarët e saj, e përfitues “të zgjedhurit”.

Ajo nuk ka bërë asnjë hap tutje, ka rrezik edhe të humbë vlerën, ani që ta për të janë bërë shumë sakrifica e janë shpenzuar miliarda.

Përfitues të milionave janë të akomoduarit në vagonët e parë, të ashtuquajtur “makinistë”. Diçka nga paret e imëta u mbeten të akomoduarve në vagonët në vijim. Pjesa tjetër që mbahet në bisht të trenit, paguan koston e nuk merr asgjë si shpërblim. Për pasojë disa nga vagonët e fundit tashmë janë zbrazur.

Makina nuk është se ndonjëherë ka lëvizur shpejt, por nga viti 1999 e deri diku 10 vjet më parë të paktën nuk është ndalur.

Për ngecjen e saj nuk merr askush përgjegjësi. Bile, edhe duke qenë e palëvizshme është shumë e dëshiruar. Nga drejtimi i saj nuk heqin dorë as ata që i bënë sherrin. Dikush thotë se do ta vërë në lëvizje e dikush tjetër se do t’i nxjerrë para drejtësisë dëmtuesit e saj. Ka edhe që mburren që e kanë sjellë në këtë gjendje, duke thënë se më me rëndësi është se “makina”, është pronë e jona.

që u ka humbur durimi shpresojnë se pas 6 tetorit “lokomotiva” do të lëvizë nga vendi. Se investimet për mirëmbajtjen dhe forcimin e saj nuk do të bien më në duart e mashtruesve. Se dobinë e ndryshimit do ta ndiejnë edhe ata, të ngujuarit në “vagonët” e fundit.

Do të donim që “lokomotiva e prishur” të mos jetë gjetja e duhur për krahasim me Kosovën dhe realitetin e saj. Ashtu si do të donim të ishte e kundërta e dyshimit se numri i qytetarëve që shohin “ëndrrën e bukur”, është i vogël.

Por, në terren pamjet nuk janë optimiste. Sa më shumë që po flitet për ndryshimin, po aq po rritet fuqia e partive politike që e kanë frenuar atë. Madje, protagonistët e shkatërrimit të vendit deri në kufijtë e padurueshmërisë janë favoritë për t’i fituar zgjedhjet. Katër subjekte apo koalicione që ushtruan pushtetin 20 vjetët e fundit do ta dominojnë Parlamentin. Të ashtuquajturat ndryshime programore e kadrovike, qoftë me emra të përveçëm, qoftë me slogane e premtime nuk bindin mjaft. Partitë në përmbajtje kanë mbetur të njëjta.

Më e keqja se edhe elektorati i tyre i do të tilla. Dhe nga ky këndvështrim del se jo i tërë faji bie mbi liderët dhe subjektet që drejtojnë ata.

Derisa një pjesë e qytetarëve mban qëndrim refuzues e kritik ndaj tyre, është një tjetër masë, shumë më e madhe, që u është qepur pas dhe nga mënyra se si “jargaven” dhe vardisen, nuk ka se si të mos ndiesh trishtim e keqardhje, njëkohësisht. Rrethi i parë i tyre, me sfondin “elitarë”, ua mban “iso-n” 24 orë, e u thur lavde perëndish. E pak tutje janë rrethi tjetër - turma e injorantëve, që vrapon, çirret me javë e muaj, ndërsa me votën e tyre, të vetmen mundësi të ushtrimit të pushtetit, ua ruan fuqinë dhe ua zgjat jetën.

politike japin përgjigje të përgjithshme, por edhe specifike, për votuesit, varësisht nga konteksti politik, kulturor, gjeografik, historik, edukativ i një shoqërie të caktuar.

Në vendet, ku periudha e tranzicionit nuk ka të sosur, një pjesë e vogël e qytetarëve dalin në votim me qëllimin që të japin kontributin qytetar për ndryshime, ani pse kanë shumë dyshime nëse kjo do të bëhet realitet. Ka të ngjarë të votojnë, edhe ngase e ndiejnë obligim duke gjykuar se janë anëtarë të një shoqërie demokratike.

Një pjesë e qytetarëve nuk voton për ndryshime në favor të së përgjithshmes, por në favor të interesave personale. Ky grup, të vetmin ideal e ka përfitimin material.

Ndryshimet nuk çojnë peshë as për ata që konsiderohen militantë apo fanatikë të partive politike. Dilemën e vetme e kanë se cilin kandidatë brenda subjektit ta votojnë. Besnikërinë e arsyetojnë duke thënë se edhe të tjerat subjekte janë të njëjta.

Në vend se të jetë arbitër, votuesi ynë është shndërruar palë në proces. Votuesi nuk e sheh subjektin apo ofertën tjetër si alternativë, por si armik, si kërcënim të fuqisë së partisë së tij. Për votuesit argatë, partitë janë ndërmarrje ku ata kanë hise. Tkurrja e partisë i bënë të ndihen keq dhe përgjegjës.

Idealizimi i partive politike dhe i liderëve në Kosovë nuk dallon shumë nga shoqëritë njerëzore që besonin në Zotin e Diellit, të Erës,... apo edhe nga shoqëritë nën diktaturë. Votuesit më shumë se për shtetin, kujdesen për liderin, për partinë, për simbolet e saj.

Po të ishin në ndonjë vend normal, disa liderë dhe shumica e kandidatëve për deputetë nuk do ta kishin kërkuar votën qytetare. E edhe më pak përkrahje që tash po përkthehet në 10, 15 apo 20 për qind. Jo që nuk do të ishin në politikë, por emrat e tyre do të përdoreshin vetëm në statistikat e regjistrimit. Të popullsisë, të mos keqkuptohemi.

Përjashtimi i tyre nga skena politike dhe akomodimi në “vagonin e fundit të trenit” do ta kishte bërë më pak relevant vullnetin e qytetarëve. Do të ishin strukturat e shtetit që do të garantonin se cilindo kandidat që do ta kishin votuar qytetarët, qofshin edhe injorantë, nuk do të ishte i dëmshëm sa mund të jenë kandidatët e disa nga subjekteve në garën e 6 tetorit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi