Vështrime

Shpërfillja e fuqisë së natyrës

Dridhjet e tokës apo tërmetet vështirë shlyhen nga kujtesa. Në ato pak sekonda sa zgjasin njeriu përjeton emocione të fuqishme të frikës dhe panikut.

Tek ndien kokën dhe trupin të humbin drejtpeshimin, ndërsa shikon orenditë e shtëpisë që lëvizin andej-këndej, para syve të shfaqet jeta me të gjitha rëniet, ngritjet, humbjet, fitoret, gëzimet e hidhërimet e saj. Pasigurinë e dilemën si të veprohet e sheh edhe në shikimin e njerëzve të shtëpisë. Janë këto çaste kur më shumë se kurrë e ndien pafuqinë tënde si qenie njerëzore brenda universit. Instinktivisht të gjithë mësyni nga dera kryesore.