Kthim në vitin 2007

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 12 October 2019 08:10

 Në vitin 2007 për herë të parë opozita e kishte fituar pushtetin në Kosovë, si dhe për herë të parë SHBA-ja kishte të dërguar special për të arritur marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Cilat janë pritjet dhe ngjashmëritë?

JANË KËTO VETËM disa ditë të fundit që e kthejnë Kosovën në 2007-n, vitin para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Kuvend, dhe që paralajmërojnë të ndodhin ngjarje, të krahasueshme me shpalljen e pavarësisë.

Të dielën, pas plot 12 vjetësh, zgjedhjet në Kosovë i fitoi opozita. Kjo ishte hera e dytë që në vend ndodhte rotacioni politik me anë të zgjedhjeve. Deri në vitin 2007, të gjitha zgjedhjet i kishte fituar LDK-ja, kur këtë rol e mori PDK-ja. Që atëherë, PDK-ja me koalicione ia kishte dalë të renditet e para nëpër zgjedhje, deri me ndryshimin që ndodhi më 6 tetor, kur opozita e deritashme LVV dhe LDK i fituan më se 50 për qind të votave.

Të premten që shkoi, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si emisar të tij të posaçëm për “bisedimet e paqes” midis Kosovës dhe Serbisë.

Emërimi i të besuarit të tij në këtë rol të rëndësishëm e specifik vjen pasi që kanë dështuar përpjekjet e deritashme për të arritur “normalizim marrëdhëniesh” mes Kosovës dhe Serbisë nga ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian, me bazë Pakon e Ahtisaarit të inkorporuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Hera e fundit kur SHBA-ja kishte caktuar një emisar special për bisedimet Kosovë – Serbi ishte në verën e vitit 2007, pasi që Rusia kishte kundërshtuar propozimin e Ahtisaarit për statusin final. Atëbotë, treshja që përbëhej nga amerikani Wisner, rusi Botsan Kharchenko dhe gjermani (përfaqësues i BE-së) Ischinger, kishte mandatin katërmujor nga Grupi i Kontaktit, për të arritur një marrëveshje të pranuar nga të gjitha palët.

Pa humbur kohë, sot (e enjte), ambasadori Grenell zbarkoi në Prishtinë, për të vazhduar pastaj drejt Beogradit.

Në takimin me krerët institucionalë dhe politikë të Kosovës, porosia e tij ishte e qartë: Jam këtu me porosi të drejtpërdrejtë të presidentit Trump – na duhet një marrëveshje paqësore shpejt.

PAS ZGJEDHJEVE të vitit 2007 ishte formuar Qeveria e përbërë nga dy partitë më të mëdha të kohës, PDK-ja dhe LDK-ja, në mënyrë që të kishte edhe mbështetjen për fazën kur do të vendosej për statusin e Kosovës, përfshirë pranimin e pavarësisë së kushtëzuar, diskriminimin pozitiv për komunitetin serb, decentralizimin etnik, ndërrimin e flamurit etj. Një Qeveri e madhe, me krahun e luftës dhe paqes, për ta garantuar pavarësinë… dhe kompromiset. Opozita ishte e paktë në Kuvend, kurse Vetëvendosje ndodhej jashtë, duke protestuar në rrugë.

Sot Vetëvendosje është në Kuvend, madje pritet të konfirmohet si partia më e madhe aty dhe të udhëheqë me qeverinë e vendit. Bashkë me të pritet të jetë edhe LDK-ja, e cila sërish është partia e dytë më e madhe, me më pak se një për qind pas të parës.

(Digresion: Nëse analizohen rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2014, del se numri më i madh i votave për VV-në në zgjedhjet e fundit janë vota që dikur kanë qenë të PDK-së. Para 5 vjetësh, PDK-ja kishte rreth 222 mijë vota, kurse VV-ja afro 100 mijë. E vërtetë, në zgjedhjet e fundit kanë dalë diç më tepër votues se në zgjedhjet e vitit 2014, si dhe LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, ose kanë shënuar rritje ose kanë mbetur në votat e njëjta (rasti i Nismës). Por, me këtë përllogaritje, del se rreth 50 mijë vota të PDK-së kanë rrjedhur te VV-ja në këto zgjedhje, për shkak se tash VV-ja ka më se 200 mijë, kurse PDK-ja rreth 170 mijë. Pra, shumëkush nga elektorati i PDK-së sot e gjen veten të përfaqësuar nga VV-ja).

Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë mundësinë të formojnë qeverinë e shumicës me deputetë shqiptarë, plus deputetët e komuniteteve. Kjo shumicë garanton në masë të madhe edhe përfaqësim të mjaftueshëm për të marrë për barrë arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

NIVELI I SERIOZITETIT të çështjes tashmë ka arritur kulminacionin: Presidenti Donald Trump, pasi që rreth Vitit të Ri kishte nisur dy letra në adresë të homologëve të tij në Prishtinë dhe Beograd, jep indicie se ka vendosur që ta përfundojë procesin e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, para 3 nëntorit 2020.
Këtë duhet ta marrë tepër seriozisht e gjithë klasa politike në të dyja adresat në Ballkan.
Me emërimin e të besuarit të tij, Richard Grenell, që të “shërbejë njëkohësisht si i dërguar special presidencial për negociatat paqësore të Serbisë dhe Kosovës, dhe si ambasador i jashtëzakonshëm dhe i plotfuqishëm i ShBA-së në Republikën Federale të Gjermanisë”, tregohet qartë përkushtimi i njeriut më të fuqishëm në botë, që kjo çështje të mbyllet me sukses para zgjedhjeve të reja presidenciale amerikane, më 3 nëntor të vitit që vjen. Në këto zgjedhje Trumpi synon ta fitojë mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe do të bëjë gjithçka që të arrijë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ta renditur te sukseset e veta.
Përndryshe, nëse nuk do ta kishte si synim arritjen e një marrëveshjeje me çdo kusht, do të mund të mjaftohej me Palmerin, si të dërguar të Departamentit Amerikan të Shtetit, ose edhe vetëm përfaqësuesit e BE-së, siç ka qenë deri tash.
Që të bëhet edhe më serioze situata, ambasadori Grenell, në disa analiza po portretizohet si person, i cili e ka përkrahur idenë e shkëmbimit të territoreve dhe se ai do të bëjë përpjekje që këtë “zgjedhje” ta shtyjë edhe me Gjermaninë.

NUK ËSHTË e vërtetë se çështja e “shkëmbimit” ose rirregullimit të territoreve nuk është shtyrë përpara edhe më herët nga ndërmjetësit ndërkombëtarë. Në verën e vitit 2007, menjëherë pas takimeve të para me ekipet negociatore në Beograd dhe Prishtinë, treshja Wisner, Ischinger dhe Botsan-Kharchenko, kishin thënë se edhe kufijtë mund të jenë pjesë e marrëveshjes nëse palët merren vesh.

“Nëse duan… ne jemi të hapur për të gjitha mundësitë. Nëse të dyja palët janë të përgatitura të ndjekin cilëndo zgjidhje, do të ishte në rregull me ne. Por nëse ngujohen në pozicionet e tyre fillestare, do të ketë pak gjasa për kompromise mes palëve që kanë negociuar me ndërmjetësin e OKB-së, Martti Ahtisaari, për më se një vit”, kishte theksuar gjermani Ischinger, duke folur për mundësinë e marrëveshjes për ndarjen në “sektorin shqiptar dhe serb”.

Pala kosovare, natyrisht, me shumë të drejtë e kishte hedhur poshtë menjëherë këtë mundësi. Më 17 shkurt të vitit pasues ishte shpallur pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, pa ndryshim të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe pa njohje nga Serbia.

Tash, gati 12 vjet më vonë, kur ende Serbia s’e ka njohur Kosovën, kur ende Kosova nuk ka ulëse në OKB dhe kur dialogu i Brukselit është klinikisht i vdekur, Trumpi ka dërguar përfaqësuesin e tij special për ta arritur shpejt “marrëveshjen paqësore”.

Në javët në vazhdim do të marrim vesh më saktë se për çka, vërtet, bëhet fjalë!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi