Vështrime

Kosovës nuk i duhet më Ministria e Integrimeve Evropiane

Brukseli dhe disa shtete anëtare janë duke ia lehtësuar punën Qeverisë së ardhshme, me gjasë koalicionit VV-LDK, në zvogëlimin e numrit të ministrive. Njëra, për të cilën nuk ka dilemë se duhet të shuhet, është Ministria e Integrimeve Evropiane. BE-ja është duke e ngadalësuar edhe më shumë procesin e ngadalshëm edhe ashtu, në të cilin Kosova nuk bën pjesë e nuk dihet se kur mund t’ia nisë kësaj rruge. Prandaj, të kesh tani Ministri për diçka që mund të vijë pas 10 apo 20 vjetësh, është një luks që Kosova nuk mund ta ketë. Nuk duhet hequr dorë nga procesi i përafrimit me BE-në, por detyrën e koordinimit të ministrive mund ta marrë një zyrë pranë kryeministrit

Pas disa shtyrjeve në dy vjetët e fundit, kur pritej që më në fund BE-ja ta merrte vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Franca del me një propozim tjetër. Kërkon që të ndryshohet metodologjia në procesin e zgjerimit. Që procesi të bëhet “më gradual” (lexo: më i ngadalshëm) dhe që Komisioni të përgatisë një raport për pranverën e vitit që vjen për implementimin e metodologjisë së re. Me fjalë të tjera, Franca, e mbështetur fuqishëm nga Holanda, pjesërisht nga Belgjika e pak edhe nga Gjermania, vetëm sa nuk thotë se duhet harruar procesin e zgjerimit për një kohë dhe, kur një ditë BE-ja të jetë e reformuar, t’i kthehen kësaj çështjeje.